2008-10-16 10:56:15

"Jezusi jeton sot, me ne”.


(08.10.2008 RV)Të dashur vëllezër e motra,

në katekizmat e fundit kushtuar Shën Palit, fola për takimin e tij me Krishtin, që ia shndërroi thellësisht jetën e, pastaj, për marrëdhëniet me të dymbëdhjetë Apostujt e thirrur nga Jezusi – posaçërisht me Jakun, Kefën e Gjonin, si dhe për lidhjet që pati me Kishën e Jeruzalemit. Mbetet tani çështja mbi njohuritë që kishte Shën Pali për Jezusin tokësor, për jetën e tij, për mësimet e tij, për mundimet e tij. Para se të hyjmë në këtë çështje, mund të jetë e nevojshme të shënojmë se vetë Shën Pali dallon dy mënyra për ta njohur Jezusin, ose çdo njeri tjetër. Në Letrën e dytë drejtuar Korintianëve, shkruan: “Kështu pra, qysh tani nuk njohim më askënd në mënyrë thjeshtë njerëzore, por edhe në se e kemi njohur Krishtin në mënyrë njerëzore, nuk e njohim më ashtu” (5,16).
Të njohësh sipas mishit e gjakut, në mënyrë thjeshtë njerëzore, do të thotë të njohësh vetëm nga pamja e jashtme, sipas kriterit të dukjes; mund ta kesh parë një njeri disa herë, duke ia njohur tiparet dhe hollësitë e tjera të sjelljes: si flet, si ecën etj. etj. Por, në se e njeh njeriun në këtë mënyrë, nuk mund të thuash se e njeh me të vërtetë, sepse nuk njeh thelbin e tij. Vetëm me zemër njihet vërtetë njeriu. Farizenjtë e saduçenjtë e njohën Jezusin në mënyrë thjeshtë njerëzore, i dëgjuan mësimet e tij, mësuan shumë hollësira që kishin të bënin me të, por nuk munden ta njohin në të vërtetën e tij. Ka një dallim analog në një nga fjalët e Jezusit. Pas Shndërrimit, ai i pyet Apostujt: “Ç’thonë njerëzit, kush është biri i njeriut?” dhe “Po ju, ç’thoni, kush jam unë?”. Njerëzia e njohin, por cektësisht, dinë shumë gjëra për të, por nuk e njohin me të vërtetë. Ndërsa të Dymbëdhjetët, falë miqësisë, që ka të bëjë me zemrën, e kuptuan në thelb e nisën ta marrin vesh se kush është Jezusi. E edhe sot kemi mënyra të ndryshme për ta njohur tjetrin: ka njerëz të ditur, që e njohin me hollësi jetën e Krishtit, e njerëz të thjeshtë të cilët, megjithëse që nuk i njohin fare hollësitë, e njohin në të vërtetën e Tij: “Zemra i flet zemrës”. E Pali dëshiron të na thotë se e njeh Jezusin kështu, me zemër, e se vetëm në këtë mënyrë mund të njihet vërtetë tjetri, për t’u thelluar më pas, edhe në hollësitë.

Pasi e thamë këtë, prapëseprapë mbetet për t’u sqaruar çështja: sa i njohu Pali jetën konkrete, fjalët, mundimet, mrekullitë e Jezusit? Mund ta mbajmë si të sigurtë faktin se nuk e takoi asnjëherë gjatë jetës së tij tokësore. Natyrisht, përmes Apostujve e Kishës në fasha, ai njohu edhe hollësitë e jetës tokësore të Jezusit. Në letrat e tij mund të gjejmë tri forma njoftimesh për Jezusin para Pashkëve. Në radhë të parë kemi pohimet e qarta e të drejtpëdrejta. Pali flet për prejardhjen davidike të Jezusit (cfr Rom 1,3), ia njeh “vëllezërit”, gjakun e gjininë (1Kor 9,5; Gal 1,19), njeh hollësitë e Darkës së Mbrame (cfr 1 Kor 11,23), di fjalët e tjera të Jezusit, për shembull di ç’ka thënë për pazgjidhshmërinë e martesës (cfr 1Kor 7,10; Mk 10, 11-12), për nevojën që kush kumton Ungjillin, duhet të mbahet nga bashkësia, sepse është punëtor e i denjë për pagë (cfr 1 Kor 9,14; Lk 10, 7): Pali njeh edhe fjalët që tha Jezusi në Darkën e Mbrame (cfr 1 Kor 11, 24-25; Lk 22, 19-20) e njeh mirë edhe kryqin e Jezusit. Këto janë fjalët e ngjarjet e jetës së Jezusit, që i kujton drejtpëdrejtë.

Në rend të dytë, në disa fraza të Letrave të Shën Palit, mund të shikojmë sesi ai e hedh disa herë fjalën për traditën e vërtetuar të Ungjijve sinoptikë. Për shembull, fjalët që lexojmë në Letrën drejtuar Selanikasve, sipas së cilës “Dita e Zotit do të vijë shi ashtu si vjen hajduti natën”(5,2), nuk mund të shpjegohen me një kthim tek profecitë e Besëlidhjes së Vjetër, sepse krahasimi me hajdutin e natës gjindet vetëm në Ungjillin e Mateut e të Lukës, prej këndej mund të themi se është marrë nga tradita sinoptike. Kështu, kur lexojmë se “ Hyji zgjodhi të marrët para syve të botës… ” (1 Kor 1, 27-28), ndjehet jehona besnike e fjalës së Jezusit për njerëzit e thjeshtë e të varfër (cfr Mt 5,3; 11,25; 19, 30). Kemi, pastaj, fjalët e shqiptuara nga Jezusi në ngazëllimin mesianik: “Po të bekoj, o Atë, Zot i qiellit e i tokës, sepse ua fshehe këto sende të urtëve e të mençurve, e ua zbulove të vegjëlve”. Pali e di – është përvoja e tij misionare – sa të vërteta janë fjalët, sipas të cilave pikërisht të vegjlit e hapin zemrën për të pranuar Jezusin. Edhe cekja e nënshtrimit të Jezusit ‘deri në vdekje’, që lexohet në Fil. 2,8, nuk mund të mos na e kujtojë gatishmërinë e Jezusit tokësor për të bërë vullnetin e Atit të vet (cfr. Mk 3,35; Gjn 4,34). Duket qartë se Pali i njeh mirë mundimet e Jezusit, kryqin e tij, mënyrën si i jetoi çastet e fundit të jetës. Kryqi i Jezusit dhe tradita mbi ngjarjen e kryqit, është në qendër të Kerygmës së Shën Palit. Një shtyllë tjetër e jetës së Jezusit, ashtu si e njeh Shën Pali, është Predikimi në Mal, nga i cili citon disa elemente pothuajse fjalë për fjalë, kur u shkruan Romakëve: “Duajeni njëri-tjetrin... Bekoni salvuesit tuaj!... Jetoni në paqe me të gjithë… ngadhënjeni mbi të keqen me vepra të mira…”. Kështu mund të themi se në Letrat e tij pasqyrohet besnikërisht Predikimi në Mal (cfr Mt. 5-7).

Në fund, mund të vërejmë një mënyrë të tretë të pranisë së fjalëve të Jezusit në Letrat e Shën Palit; është mënyra e zhvendosjes së traditës para Pashkëve, në situatën pas Pashkëve. Një rast tipik është tema e Mbretërisë së Hyjit. Ajo është sigurisht në qendër të predikimit të Jezusit historik (cfr Mt 3,2; Mk 1,15; Lk 4,43). Te Pali vërehet një zhvendosje e kësaj tematike, sepse pas ngjalljes është e natyrshme që vetë Jezusi, i Ngjalluri, të jetë Mbretëria e Hyjit. Mbretëria arrin atje, ku është duke arritur Jezusi. E kështu është e natyrshme që tema e Mbretërisë së Hyjit, në të cilin përshpejtohej misteri i Jezusit, të shndërrohet në kristologji. Gjithsesi të njëjtat rregulla, që kërkon Jezusi për të hyrë në Mbretërinë e Hyjit, vlejnë pikë për pikë edhe për Palin, lidhur me shfajsimin përmes fesë: si hyrja në Mbretëri, ashtu edhe shfajsimi, kërkojnë një sjellje përvujtërie dhe gatishmërie të madhe, të çliruar nga fodullëku, për ta pranuar hirin e Hyjit. Për shembull, shembëlltyra e farizeut dhe e publikanit (cfr Lk 18,9-14) na jep një mësim që e gjejmë pikë për pikë edhe tek Pali, kur ngul këmbë se i krishteri e ka për detyrë të heqë dorë nga çdo mburrje përpara Zotit. Edhe fjalët e Jezusit mbi publikanët e gratë e përdala, më të gatshme se farizejtë për ta pranuar Ungjillin (cfr Mt 21,31; Lk. 7,36-50), e ulja e tij në sofër me ta (cfr Mt 9,10-13; Lk. 15,1-2) përputhen plotësisht me doktrinën e Shën Palit për dashurinë përdëllyese të Hyjit ndaj mëkatarëve. (cfr Rom 5,8-10; e Ef 2,3-5). Kështu tema e Mbretërisë së Hyjit propozohet rishtas, por në një formë të re, gjithnjë besnike ndaj traditës së Jezusit historik.

Një shembull tjetër i shndërrimit besnik të thelbit doktrinor të kërkuar nga Jezusi gjindet në ‘titujt’ me të cilët e kujton. Para Pashkëve vetë Jezusi e quan veten Biri i njeriut; pas Pashkëve bëhet e qartë se Biri i njeriut është edhe Biri i Hyjit. Por titulli më i pëlqyer nga Pali për të cilësuar Jezusin, është Kýrios, “Zot” (cfr Fil 2,9-11), që vë në dukje karakterin hyjnor të Jezusit. Zoti Jezus, me këtë titull duket në dritën e plotë të ngjalljes së Tij. Mbi Malin e Ullinjve, në çastin e ankthit të fundit të Jezusit (cfr Mk 14,36), dishepujt para se të flejnë, e dëgjuan si fliste me Atin dhe e quante “Abbá-Atë”. Është një fjalë shumë familjare, e njëjtë me fjalën tonë “babi”- që përdoret vetëm nga fëmijët në shenjë dashurie për atin e tyre. Deri në këtë çast as që mund të mendohej që një hebrè të përdorte një fjalë të tillë për t’iu drejtuar Hyjit; por Jezusi, duke qenë Bir i vërtetë, në këtë orë intimiteti, flet kështu e thotë: “Abbá, Atë”. Në Letrat e Shën Palit drejtuar Romakëve e Galatëve, çuditërisht kjo fjalë, që tregon pa kurrfarë dyshimi bijësinë e Jezusit, vihet në gojën e të pagëzuarve (cfr Rom 8,15; Gal 4,6), sepse kanë marrë ‘Shpirtin e Birit’ e tani mbartin në vetvete Shpirtin Shenjt e mund të flasin si Jezusi e me Jezusin, si bij të vërtetë, që i drejtohen Atit të tyre, mund të thonë “Abbá”, sepse janë bërë bij në Birin.

E në fund, dua të cek përmasën shëlbuese të vdekjes së Jezusit, që e gjejmë në fjalët ungjillore, sipas të cilave ‘Biri i njeriut nuk erdhi për të qenë i shërbyer, por që të shërbejë e të japë jetën e vet si shpërblim për të gjithë”(Mk.10,45; Mt 20, 28). Pasqyrimi besnik i kësaj fjale të Jezusit duket në doktrinën paoline mbi vdekjen e Jezusit si shpërblim (cfr 1 Kor 6,20), si shëlbim (cfr Rom 3,24), si çlirim (cfr Gal 5,1), e si pajtim (cfr Rom 5,10; 2 Kor 5,18-20). Këtu është qendra e teologjisë së Shën Palit, që bazohet mbi këtë fjalë të Jezusit.

Si përfundim, Shën Pali nuk mendon për Jezusin duke e parë me syrin e historianit, si një personalitet të së kaluarës. Natyrisht e njeh traditën e madhe mbi jetën, fjalët, vdekjen e ngjalljen e Jezusit, por nuk i shikon këto si ngjarje që i përkasin së kaluarës; i propozon si realitet të Jezusit të gjallë. Për Palin, fjalët e veprat e Jezusit nuk kanë të bëjnë me kohë historike, me të kaluarën. Jezusi jeton tani e flet tani me ne, e jeton për ne e me ne.Kjo është mënyra e vërtetë për ta njohur Jezusin e për ta pranuar traditën, që flet për Të. Duhet të mësohemi edhe ne ta njohim Jezusin jo sipas mënyrës njerëzore, si person i së kaluarës, por si Zotin tonë e Vëllain tonë, që është sot me ne e që na tregon si të jetojmë e si të vdesim.







All the contents on this site are copyrighted ©.