2008-10-15 19:04:49

Sot Kisha katolike kremtoi Shën Terezën e Avilës


(15.10.2008 RV)RealAudioMP3 Tereza de Cepeda y de Ahumada, lindi në Avilë të Spanjës në vitin 1515. Pati fatin të njihej së afërmi me Shën Gjonin e Kryqit, i cili u bë këshilltari e bashkëpunëtori i saj më i ngushtë. Nën drejtimin e Terezës filloi një mision që dukej krejt i pazakontë për një grua. Themeloi Urdhërin e Karmelitaneve të zbathura, i cili u përhap me shpejtësi në të gjithë Spanjën e përtej. E kaloi gjithë jetën ndërmjet vegimeve mistike, ekstazave e veprimtarisë më të zellshme praktike. Pati letërkëmbim me njerëzit më të shquar të kohës, duke nisur nga mbreti i Spanjës, Filipi II.
Në një nga letrat e saj, shkruan: “Tereza, pa hirin e Zotit, është një grua pa kurrfarë vlere; me hirin e Zotit, është forcë; me hirin e Zotit e me para, bëhet fuqi”.
“Historia e një jete”, shkruar nga Shën Tereza me këshillin e rrëfyesit të saj, vlerësohet si një nga librat më të sinqertë e më prekës që është shkruar ndonjëherë. Eshtë historia një shpirti, që lufton me të gjitha forcat për t’u lartuar drejt Zotit, ndonëse i duhet të kalojë vështirësi jo të pakta. Prandaj figura e saj bëhet shumë e afërt për ne, sepse duke qenë si ne, njeri me mish e gjak, arrin përsosurinë ungjillore, të cilën e dëshiron çdo besimtar.

O Zot i shpirtit tim – lexojmë në “Historinë e një jete” – Ti, kur shtegtoje këtu në tokë, nuk i përbuze kurrë gratë, përkundrazi, i ndihmove me mirësi e vërejte se kishin më shumë dashuri e fe sesa burrat. Ti i nderove para botës, sepse nuk je si gjykatësit e kësaj toke… O Mbreti im, besoj se do të vijë dita kur të gjithë do të vlerësohen për aq sa vlejnë! Nuk flas për vete. Bota e njeh mjerimin tim. Flas për kohët që do të vijnë në të cilat besoj plotësisht se nuk do të ketë më asnjë arsye për t’i nënvleftësuar shpirtrat e forta, plot virtyte, vetëm e vetëm pse janë gra”.

 
Shën Tereza vdiq në Alba de Tormes natën e 14 tetorit, pikërisht ndërmjet natës e ditës kur hynte në fuqi Kalendari Gregorian, prandaj të nesërmen ishte data 15 tetor e vitit 1582. Shenjte u shpall në vitin 1622 e, në vitin 1970, nën papninë e Palit VI, iu dha titulli Dijetare e Kishës.







All the contents on this site are copyrighted ©.