Papa në audiencën e përgjithshme: “Kisha nuk është shoqatë njerëzore, por Korpi i
Krishtit, shenjë e pranisë dhe e dashurisë së Zotit ndërmjet njerëzve”.
(15.10.2008 RV)Kisha nuk është
shoqatë njerëzore, por Korpi i Krishtit. Këtë theksoi sot Benedikti XVI në audiencën
e përgjithshme, duke kujtuar edhe mësimet e Shën Palit, që lidhen me vetë konceptin
e Kishës. E Papa e nisi katekizmin pikërisht me shpjegimin e fjalës Kishë: ‘Chiesa’
në gjuhën italiane; ‘Église’ në atë franceze; ‘Iglesia’ në spanjisht, fjala është
marrë nga greqishtja, “ekklesía’, por vjen nga Besëlidhja e Vjetër e do të thotë mbledhje
e popullit të Izraelit, e thirrur nga Zoti; posaçërisht mbledhja tek këmbët e malit
Sinai. Sot ka kuptimin e bashkësisë së re të besimtarëve në Krishtin, të Korpit të
Krishtit. Si korp i gjallë i Krishtit në fe, Kisha – tha Papa – është një bashkësi
e thirrur nga Hyji në çdo vend e në çdo kohë. Pali – shtoi Ati i Shenjtë – e dinte
se njeriu nuk bëhet i krishterë përmes rrethprerjes, por përmes përgjigjes së lirë
që i jep thirrjes së Zotit, Fjalës së Zotit.
Në katekizmin e sotëm Papa shpjegoi
realitetin historik e komunitar të Kishës, të mbështetur mbi një fe, që bashkëjetohet
e dëshmohet në vetjen e Krishtit, Fjalës së Mishëruar për shëlbimin e njeriut. Duke
folur për Kishën e zanafillës, Ati i Shenjtë kujtoi autorin e parë të shkrimeve të
krishtera, Shën Palin, i cili pas kthimit në rrugën e Damaskut, e lidhi gjithë jetën
me Fjalën e Zotit. Duke cituar Letrën e Apostullit drejtuar Selanikasve, Papa nënvizoi
universalitetin e Kishës. Kisha nuk është mbledhje e bashkësive të ndryshme vendase:
“Nuk është shoqatë njerëzore e lindur nga ide e interesa të përbashkëta,
por thirrje e bërë nga vetë Zoti. Zoti e mbledh e prandaj është një e vetme në të
gjitha marrëdhëniet e saj e është gjithnjë Kisha e Zotit. Uniteti i Hyjit krijon unitetin
e Kishës në të gjitha vendet ku ndodhet”.
Shën Pali
– shpjegoi Papa – nuk e njohu Jezusin, por ata që e kishin njohur, dhe e pati menjëherë
tepër të qartë vlerën themelore e themeluese të Krishtit. Vepra e tij – pohoi Benedikti
XVI - mbështetet mbi idenë për ta vënë në dukje sa më shumë që të jetë e mundur, karakterin
vendimtar të Fjalës së Hyjit, përmes së cilës u realizuan Shkrimet Shenjte. Veprimtaria
ungjillëzuese e Shën Palit – nënvizoi Papa – nuk ka synim tjetër, veçse ta themelojë
bashkësinë e besimtarëve, popullin e Hyjit, në Krishtin, me anën e dy përmasave, njëra
sociologjike e tjetra, kristologjike:
“Njëpopull
është si trupi me gjymtyrë të ndryshme. Secila nga gjymtyrët ka funksionin e vet,
por të gjitha – edhe më të voglat e më të parëndësishmet në dukje – janë të nevojshme,
që trupi të jetojë e të realizojë lidhjen e vet organike. E Shën Pali thotë kështu:
‘Kisha ka thirrje të shumta, vokacione të shumta, apostuj të shumtë, profetë e mësues
e njerëz të thjeshtë, që e jetojnë ditë për ditë dashurinë e krishterë, por të gjithë
janë njëlloj të nevojshëm për të realizuar unitetin e këtij organizmi shpirtëror”.
Kisha
– nënvizoi Papa – nuk është vetëm organizëm, por është vetë Korpi i Krishtit, duke
u nisur nga Eukaristia:
“Realiteti shkon shumë përtej shembëllesës sociologjike
e shpreh thelbin më të thellë të këtij uniteti të të gjithë të pagëzuarve në Krishtin.
Në se më parë tempujt shikoheshin si vende të pranisë së Hyjit, tani dihet e shihet
se Zoti nuk banon më në ndërtesa të ngritura me gurë, por vendi i pranisë së Hyjit
në botë është bashkësia e gjallë e besimtarëve. Ky është tempulli, në të cilin Zoti
është i pranishëm në botë”. Kisha – vërejti Papa – nuk mund
të krahasohet as me një lumë që përmbyt brigjet e as me vargmalet e larta, që s’tunden
nga stuhitë, por që janë të palëvizshme në madhështinë e tyre. Kisha përhap Fjalën
e kumtin e Kryqit e të Ngjalljes së Krishtit: “Ta lusim
Zotin që të jemi realisht e gjithnjë më shumë Kisha e tij, korpi i Tij, vendi e pranisë
së dashurisë së Tij në botën tonë e në historinë tonë”. Në
prag të 30-vjetorit të zgjedhjes së Gjon Palit II, Benedikti XVI i përshëndeti në
mënyrë të veçantë shtegtarët polakë. E, në ditën kur Kisha kujton Shën Terezën e Avilës,
Ati i Shenjtë, duke iu drejtuar të rinjve e të sëmurëve, pohoi se kjo Shenjtore e
madhe dëshmon që dashuria nuk mund të shkëputet nga e vërteta, gjë që tregon se Kryqi
i Krishtit është mister i dashurisë shpërblyese e model i besnikërisë ndaj Zotit.