2008-10-14 18:11:32

U botua programi zyrtar i vizitës së Benediktit XVI në Shenjtëroren e Pompeit.


(14.10.2008 RV)Filloi sot java, në përfundim të së cilës Papa do të shtegtojë në Shenjtëroren mariane të Pompeit. Sipas programit zyrtar, që u botua sot, Benedikti XVI do të niset me helikopter nga eliporti i Vatikanit, për të arritur rreth orës 10. 00 pranë Shenjtërores ku, një gjysëm ore më vonë, do të kryesojë bashkëkremtimin eukaristik dhe do të mbajë homelinë. Mesha do të përfundojë me Lutjen drejtuar Zojës së Pompeit, me dhurimin e “Trëndafilit të artë” Virgjërës e, në fund, me lutjen e Engjëllit të Tënzot.
Pas drekës me ipeshkvijtë e Kampanjës, në orën 17. 00, Benedikti XVI do t’i prijë Rruzares Shenjte, duke e shoqëruar edhe me meditime. Në orën 18.00 Papa do të niset nga Pompei, gjithnjë me helikopter, për të arritur, një orë më pas, në Vatikan.
“Ati i Shenjtë – lexohet në një letër të kryeipeshkvit prelat i Pompeit, imzot Karlo Liberati - do t’ia besojë ndërmjetësimit të Nënës së Zotit e Nënës sonë, reflektimet dhe përfundimet e Sinodit të Ipeshkvijve, që po mbahet në Vatikan”.







All the contents on this site are copyrighted ©.