2008-10-13 16:53:21

Comece mbështet propozimin evropian për të rritur lejen e shtatzanisë në 18 muaj


(13.10.2008 RV)RealAudioMP3 Që nga 3 nëntori, Komisioni Ipeshkvnor i Bashkësive Evropiane (COMECE) do të ketë një seli të re në Bruksel, e cila do të përurohet gjatë asamblesë plenare të vjeshtës. Fillimisht i quajtur Shërbimi i informacionit baritor evropian katolik, COMECE është themeluar në Bruksel, më 3 mars 1980, si mjet lidhjeje ndërmjet Konferencave ipeshkvnore dhe Bashkimit Evropian. Përbëhet nga 24 ipeshkvij të po aq konferencave ipeshkvnore evropiane. Ipeshkvijtë e Kroacisë dhe të Zvicrës marrin pjesë si vëzhgues. Qëllimi i Komisionit është të shoqërojë e të analizojë procesin politik të Bashkimit Evropian, të informojë kishat mbi zhvillimin e legjislacionit dhe të politikave evropiane, të inkurajojë reflektimet mbi sfidat që përballon Evropa. Që nga viti 2006, COMECE ka në krye imzot Adrianus Herman van Luyn, ipeshkëv i Roterdamit. Sekretar i përgjithshëm është atë Piotr Mazurkieviç, meshtar në kryedioqezën e Varshavës, specialist i çështjeve evropiane dhe drejtor i Institutit të politologjisë në Universitetin polak “Kardinal Stefan Vishinski”.
Sekretari i COMECE-s ka shprehur vlerësimin e tij për propozimin e Komisionit Evropian që ta zgjasë largimin nga puna për arësye shtatzanie në të gjitha vendet e Bashkimit Evropian, nga 14 në 18 muaj. “Kjo masë – lexohet në një notë – mund t’u lejojë grave të plotësojnë më mirë impenjimet e tyre në punë e në jetën familjare, duke garantuar njëkohësisht barazi më të madhe rrogash ndërmjet burrit e gruas”. Gjithashtu, kjo mund të kontribuojë në rritjen e dëshirës për të bërë fëmijë. Ky propozim është paraqitur sëbashku me një paketë për familjen, më 3 tetor.
COMECE sheh si një hap tjetër përpara që mund të bëhet, kërkesën që në momentin e kthimit në punë, gratë të mund të pretendojnë nga punëdhënësit një orar të ndryshueshëm në bazë të nevojave të fëmijës. Sekretari i përgjithshëm nxit 27 vendet evropiane të respektojnë objektivat e Barcelonës për të realizuar deri në vitin 2010 struktura për të paktën 90% të fëmijëve në moshën nga 3 deri në 6 vjeç, e për të paktën 33% të atyre nën 3 vjeç. Pajtimi i punës me jetën familjare, nënvizon COMECE, duhet të jetë një nga shtyllat kryesore të politikës shoqërore evropiane, që duhet mbajtur parasysh edhe në hartimin e ligjeve të tjera, si ai mbi kohën e punës.







All the contents on this site are copyrighted ©.