2008-10-12 18:15:48

Kisha katolike festoi shën Serafinin nga Montegranaro, rregulltar.


(12.09.2008 RV)Serafini lindi në vitin 1540 në Montegranaro, në Marke. Prindërit e tij: Xhirolamo Rapanjano dhe Teodora Gjovanuci, ishin thellësisht të krishterë, por edhe tepër të varfër. Nuk munden, prandaj, ta shkollojnë djalin që i fali Zoti. Fëmija shumë shpejt u detyrua të ruante grigjët e një fshatari të pasur. Kështu i kaluan vitet e para të jetës, derisa mbushi 18 vjeç, kur trokiti në portën e kuvendit françeskan të Tolentinos. Pas disa vështirësish, u pranua ndërmjet fretërve françeskanë kapuçinë dhe bëri noviciatin në Jesi. Shtegtoi në të gjitha kuvendet e Markeve sepse, pavarësisht nga vullneti i mirë dhe kujdesi i jashtzakonshëm që tregonte në kryerjen e detyrave që i besoheshin, nuk ia dilte mbanesh t’i kënaqte eprorët as sivëllezërit, të cilët nuk ia kursenin vërejtjet e qortimet, shpesh edhe të padrejta. Por ai iu përgjigj gjithnjë çdo qortimi me një butësi çarmatosëse. Mbeti gjithë jetën i varfër, i përvujtë, i pastër, i gatshëm për ta poshtëruar veten e për të lartuar të tjerët. Gjatë kryerjes së detyrës si portier, në kontakt me njerëz të të gjitha shtresave shoqërore, diti gjithnjë të gjejë fjalët e përshtatshmee për secilin, të sillej me delikatesë, duke pasur një dëshirë të vetme: t’i udhëhiqte shpirtrat drejt Zotit, t’u hapte jo vetëm portën e kuvendit, po sidomos atë të Parrizit.
Në vitin 1590 Serafini u vendos përfundimisht në Askoli Piçeno. Qyteti e desh aq shumë, sa në vitin 1602, kur u përhap lajmi mbi transferimin e tij të mundshëm, autoritetet i shkruan eroprëve të mos e largonin. Kasnec i vërtetë i paqes e të mirave, kishte një ndikim të jashtëzakonshëm mbi të gjithë ata që takonte. Fjala e tij pajtonte grindje alarmante, zhdukte urrejtjen, edukonte virtytet.
Lutej, përvuhej, punote, duronte, ndërsa krahas lavdatave, nuk i munguan kurrë as qortimet. Ashtu si nuk i mungoi kurrë as ndihma e Hyjit, të cilin e pat gjithnjë pranë kudo punonte: në kuzhinë, te porta, në kopsht. Zoti i dha hirin të bëhej burim i paimitueshëm ngushëllimi për të gjithë. E ai ishte gjithnjë i kënaqur, në sa dinte të lexonte vetëm dy libra: të Kryqëzuarin e Rruzaren.
Ishte 64 vjeç e fama e shenjtërisë së tij i kishte kaluar kufinjtë e Askolit, kur kërkoi me ngulm vojimin shenjt, ndërsa askush nuk e besonte se do të vdiste. Por ai vdiq pak kohë pasi kishte marrë shujtën e shtegtarit, më 12 tetor 1604. Menjëherë pas vdekjes, zëri i popullit që fliste aq shumë për shenjtërinë e tij, shkoi deri në vesh të Papës Pali V, i cili autorizoi ndezjen e një llambe mbi varrin e tij. U shpall shenjt nga Klementi XIII, më 16 korrik 1767.







All the contents on this site are copyrighted ©.