2008-10-12 18:17:13

"Dhuna kundër të krishterëve" në qendër të editorialit të atë Federiko Lombardit, zëdhënës i Vatikanit


(12.10.2008 RV)RealAudioMP3 Jetojmë në një kohë kur pakicat e krishtera, sidomos në Azi e në Lindjen e Mesme, po përjetojnë persekutimin e kohës së katakombeve. Lajmet e fundit flasin për atentate kundër të krishterëve në Irak, për vazhdimin e sulmeve në Indi e dhunimin e të drejtave të katolikëve në Vietnam. Për këto të fundit, organizata Amnesty International ka kërkuar ndërhyrjen e OKB-së. Pikërisht kësaj situate ia kushton reflektimin e tij javor, drejtori ynë i përgjithshëm, atë Federiko Lombardi. Ta dëgjojmë:
“Dhjetra vetë të vrarë, dhjetra mijëra të shtrënguar të ikin nga shtëpitë para kërcënimeve e sulmeve. Ky është bilanci i përkohshëm i valës së dhunës, që prej disa muajsh tashmë godet të krishterët në Indi, jo vetëm në Shtetin e Orisës, por edhe gjetiu. Ipeshkvijtë indianë e kanë ngritur zërin disa herë, e edhe nga jashtë, për shembull nga Bashkimi Evropian, u janë bërë autoriteve indiane pyetje shqetësuese. Duket se më në fund – megjithëse me shumë vonesë – fillojnë të vijnë përgjigje e siguri për impenjimin, që duhet të sjellë qetësinë. Edhe vetë kryeministri pranoi se për Indinë kjo gjendje është “turp kombëtar”, në kundërshtim të hapur me vlerat e mëdha të mospërdorimit të dhunës, të tolerancës e të respektimit të feve, që ky vend i madh ka kultivuar për shekuj.
Kanonizimi në Romë i Shenjtores së parë indiane, më 12 tetor, është një rast i mirë që Kisha universale ta përjetojë këtë periudhë të vështirë për të krishterët e Indisë, në bashkim lutjeje e solidariteti shpirtëror.
Por sigurisht duhet të kemi parasysh se fondamentalizmat janë të gjalla e kërcënuese në shumë pjesë të botës. Dialogu ndërmjet feve, rrugë e gjatë dhe e vështirë, është një nga sfidat më të mëdha të së sotmes e të së nesërmes, që në emër të Zotit të ndërtohet gjithnjë e vetëm paqja”.







All the contents on this site are copyrighted ©.