2008-10-12 09:40:16

365 ditë: "Katarinë Dreksel, mbrojtëse e zezakëve dhe e indianëve të Amerikës".


(12.10.2008 RV)“Nënë Meri Katarina!”, sherifi lexon me zë të lartë dokumentet që i paraqet rregulltarja, ndërsa i drejtohet me fjalët: “Po ç’mendoni të bëni në rezervatin e indianëve Navajos? Arizona është e madhe! Indianët nuk janë aq mikpritës, e këtë ju duhet ta dini”.
“Do të dëshiroja t’ju shikoja ju në vendin e indianëve. Banonin të qetë në trojet e tyre të pafundme, e ne i mbyllëm në një copë toke, ku kalojnë një jetë të mjeruar”.
“Pa fjalë të tepërta, ju lutem! Më thoni shkurt, ç’ mendoni të bëni në rezervat?”.
“Dua të hap një shkollë!”.
“Shkollë për njerëz të egër?”.
“Një shkollë për njerëz që janë vëllezërit e tu, sherif!”.
“Të edukosh indianët, t’u mësosh të shkruajnë e të lexojnë? Punë boshe!”, thotë i zemëruar sherifi, duke u tallur me murgeshën . “Pse nuk merreni edhe me edukimin e zezakëve, mbasi jemi që jemi?”.
“Vërejtje me vend. Bashkësia që kam themeluar, Urdhëri i të Shenjtnueshmit Sakrament, merret edhe me zezakët”, përgjigjet qetë-qetë Katarina.
Një ta dëgjuar këtë, sherifi hov përpjetë nga inati:
“E sa shkolla keni?”, bëlbëzon duke u shkumbavitur.
“Tani për tani nuk janë shumë. Kemi shkollën e Shën Katarinës për indianët e Pueblos në Meksikën e Re. Pastaj atë të Shën Françeskut të Sales për zezakët e Virgjinies, që u themelua tri vjet më parë… më duket, po, po, në vitin 1899, ku mësojnë shumë nxënës nga i gjithë vendi. Sivjet do të themelojmë shkollën e Shën Mikelit këtu, në Arizonë. E ju siguroj se do të vijojmë të ecim në këtë rrugë, sepse është rruga më e drejtë”.
“Po për të bardhët, nuk mendokeni fare, a?” Edhe bijtë tanë kanë nevojë për shkolla!”.
“Të bardhët kanë prej kohe shumë më tepër sesa u duhet. Por me indianët e zezakët s’është marrë askush deri më sot. E janë pikërisht ata njerëzit që kanë më tepër nevojë në Shtetet e Bashkuara. Për këtë kam njoftuar edhe Papën shumë kohë më parë”.
“Papën e Romës? Ju jeni takuar me Papën?”.
“Po, në vitin 1885, gjatë një shtegtimi në Evropë. Kur ia thashë këtë, ai m’u përgjigj: “E po mirë, zonjushe, po ju jap një këshillë: bëhuni murgeshë e kujdesuni ju vetë për vëllezërit zezakë e indianë”.
“ E ju e dëgjuat?”.
“Pikërisht, sherif. E kështu gjeta lumturinë!”.Katarinë Dreksel do ta kalonte gjithë jetën duke hapur shkolla për njerëzit që kishte marrë nën mbrojtje. Dëshironte të bëheshin qytetarë amerikanë me të drejta të plota, prandaj në vitin 1954, një vit para se të vdiste, u gëzua pa masë kur Gjykata e Lartë e SHBA-së, e shfuqizoi ligjin që i ndante racat në shkolla e në universitete.







All the contents on this site are copyrighted ©.