2008-10-11 16:05:10

Mbyllet java e parë e Sinodit të Ipeshkvijve mbi Fjalën e Zotit. Temat kryesore: të rinjtë dhe ekumenizmi.


(11.10.2008 RV)Në ditën në të cilën Kisha kujton 46-vjetorin e Koncilit II të Vatikanit, që filloi më 11 tetor 1962, Sinodi i Ipeshkvijve mbi Fjalën e Zotit, i cili vazhdon në Vatikan, përfundoi javën e tij të parë. Pikërisht dita e shtunë u mbyll nën shenjën e ekumenizmit, me fjalën e përfaqësuesit të Kishës ortodokse greke, arkimandritit Ignatios Sotiriadis dhe me atë të frère Alois, prior i Bashkësisë ekumenike të Tezesë.
Nëse i pari kërkoi që të krishterët të japin një dëshmi të përbashkët feje, një shenjë të dukshme bashkimi, i dyti uroi që të bëhen hapa të reja drejt ekumenizmit shpirtëror. Arkimandriti theksoi nevojën e respektimit të çdo njeriu, pavarësisht nga raca e feja, e frère Alois kërkoi vëmendje më të madhe ndaj etjes për fe të rinisë.
Të rinjtë ishin në qendër të vëmendjes në diskutimet e paradites, pasi – siç thanë etërit sinodalë – përfaqësojnë një sfidat më të mëdha të shpalljes së Fjalës së Zotit e kanë nevojë për dëshmitarë, më tepër se sa për mësues. Detyrë e Kishës është që t’u afrohet këtyre të rinjve, për t’u mësuar se si ta përballojnë atë që ndodh përreth e brenda tyre, duke i ndihmuar t’i rilexojnë ngjarjet në dritën e Fjalës së Zotit.
Ndër temat e tjera të rëndësishme, dëshmitë prekëse të persekutimeve të të krishterëve në Vietnam e në Çekosllovakinë e epokës komuniste, por edhe shenjat e shpresës që vijnë nga Bangladeshi, vend ku të krishterët e myslimanët jetojnë në harmoni. E së fundi, fëmijët. Për ta u propozua një takim botëror, që edhe më të vegjëlve t’u arrijë Fjala e Zotit të jetës.








All the contents on this site are copyrighted ©.