2008-10-11 16:06:29

Liturgjia e Fjalës së Zotit e së dielës së 28-të 'A'


(11.10.2008 RV)RealAudioMP3 Ja  përsëri në takimin tonë javor të së shtunës me Fjalën e Zotit të së dielës. Kësaj here do të dëgjojmë e meditojmë së bashku leximet biblike të liturgjisë së Fjalës së Zotit të së dielës së 28-të gjatë vitit kishtar, ciklit të parë, sipas kalendarit liturgjik të kishës.
         Në leximet biblike të kësaj së diele dominon tema e banketit esktalogjik, kumtimi i lavdisë së Zotit, në të cilin nxënësit janë ftuar të marrin pjesë. Është një mesazh gëzimi plot mirënjohjeje ndaj Zotit: begatia e banketit mesianik, që jehon në psalmin 22 e plotësohet në vizionin e botës së re pa vdekje as vajtim.
Leximet biblike të kësaj së diele kanë një atmosferë feste e lumturie. Izaia profet, në leximin e parë, përshkruan një banket të pasur e solemn të organizuar nga një mbret; Mateu në pjesën ungjillore flet për një banket martesor; psalmi përkujton një tryezë me qelqe përplot me verë. E fjala e Zotit nuk ngurron të përdorë imazhe kaq njerëzore e materiale, të lehta për t'u kuptuar, për të vënë në pah misteret e thella të Mbretërisë së Zotit.
         Njerëzit thonë se Zoti hesht, se është i largët e nuk mund të gjendet. Zoti përkundrazi, në dëftimin e tij, na siguron se flet, se thërret, se nxit e se nuk dëgjohet.
Zoti thotë se është Atë, por njerëzit tundohen të jetojnë e të veprojnë pa Të. Njerëzit mund të rrinë pa Zot, por Zoti nuk mund të rrijë pa njerëz e për këtë arsye i thërret të gjithë të marrin pjesë në sofrën e vet, edhe mëkatarët.
Edhe këtë të dielë, mësimi i Ungjillit trajton refuzimin e shpëtimit. Pasi ka refuzuar Gjon Pagëzuesin e vetë të Birin e Zotit, Izraeli refuzon edhe të gjitha propozimet e hirit e ftesat në dasma, që Zoti vazhdon t’i përgatisë përmes apostujve.
Në leximin e parë marrë nga Izaia profet, Zoti paraqitet si mbret fitimtar e shpëtimtar i të varfërve e si ai që i fton të gjithë popujt në banketin  e Sionit. Në kuadrin e jetës fetare të Besëlidhjes së Vjetër, banketi është shenjë e miqësisë dhe e lumnisë qiellore.
Imazhet e banketit mesianik, të evokuara shpesh nga profetët, përdoren edhe nga Jezusi e interpretohen si referim i qartë i lavdisë së përjetshme e i festës eukaristike. Në banketin e shpëtimit janë të thirrur të gjithë njerëzit. Por jo të gjithë e pranojnë. As të gjithë përgjigjen e vijnë me ndershmëri.
Eshtë mësimi shëmbëlltyrës së  Ungjillit të kësaj së diele me të cilën Jezusi demaskon hipokrizinë e krerëve të popullit hebre, fajtorë për refuzimin e Krishtit e për këtë, përgjegjës të përjashtimit të popullit të zgjedhur nga Mbretëria. Ata janë të ftuarit e parë në "banketin martesor të dasmës" që ka përgatitur mbreti, që do të thotë Zoti, " për të Birin e vet", Jezusin, Mesinë e premtuar. Dërgoi tek ata profetët për të lajmëruar se "gjithçka është gati". Jo vetëm që u treguan indiferentë e armiqësorë, por madje arritën deri atje sa t’i vrisnin "shërbëtorët e mbretit", profetët. Shëmbëlltyra ungjillore pasqyron sjelljen negative të njerëzve ndaj mbretërisë, medjemadhësinë e njerëzve që mbështeten e besojnë në drejtësinë e fuqinë njerëzore.
Ky fakt shkakton indinjatën e drejtë të mbretit dhe më pas dënimin e dëbimin. Shëmbëlltyra e Ungjillit të kësaj së diele, në njërën anë trajton temën e gjyqit të mbramë të Zotit dhe në anën tjetër, temën e shpresës së thirrjes sonë, për të marrë pjesë në sofrën qiellore si të ftuar e për t'iu përgjigjur me gatishmëri e guxim thirrjes së Zotit.
Pra, duhet të mësojmë të jemi të qëndrueshëm në thirrjen tonë e t'i përgjigjemi çdo ditë ftesës së dashurisë së Zotit, për të jetuar në përkim me mësimin e vullnetin e Tij Hyjnor.RealAudioMP3







All the contents on this site are copyrighted ©.