2008-10-10 18:53:03

Sukses i revistës “Paulus”, organ i ri që ka lindur bashkë me vitin kushtuar Shën Palit për ta bërë edhe më të njohur Apostullin e Popujve.


(10.10.2008 RV)RealAudioMP3 Porsa doli nga shtypi numri i tetorit i së përmuajshmes “Paulus” revistë kushtuar tërësisht Shën Palit. Revista që shoqëron Vitin Paulin shpallur nga Benedikti XVI, e që deri më tani ka patur 64 faqe me ngjyra, kësaj here doli me 84 faqe. Por përse kjo rritje në vëllim? Më hollësisht mbi këtë flet drejtori i revistës Dom Primo Xhironi:

Përgjigje: Kjo ndodhi për faktin se dëshirojmë të paraqesim tek “Paulus” 13 letrat e Apostullit. Meqë përfshihet edhe teksti i tyre kemi nevojë edhe për një hapësirë më të madhe, pra edhe për një numër më të madh faqesh. Por nuk jemi të kënaqur, sepse nga numri në numër, lexuesit tanë po hyjnë në botën shpirtërore të Apostullit e po kuptojnë domethënien e Letrës së radhës që shpjegohet. Këto Letra vënë në dukje edhe sa Benedikti XVI ka propozuar për këtë Vit Paulin, të njohim, pra, Apostullin Pal dhe ta ndjejmë të gjallë, ta dëgjojmë të flasë sot në vendin ku jetojmë, në botën tonë.

Pyetje: Rubrika e arkivit e këtij muaji i kushtohet njërës prej Letrave pauline, Letrës së parë Thesalonikasve. Merret në shqyrtim ky tekst kaq i rëndësishëm për botën shpirtërore të Shën Palit, nëpërmjet këndvështrimeve të ndryshme. Cilat janë këto?

Përgjigje: Në paraqitjen e Letrave veç e veç, para së gjithash, kemi filluar me Letrën drejtuar Thesalonikasve, që është shkrimi më i lashtë i krishtërimit dhe dëshiruam ta shqyrtojmë këtë Letër, ashtu si gjithë të tjerat, nëpërmjet një leximi të trefishtë. I pari është ai i traditës sonë katolike. Pastaj iu drejtuam edhe dy autorëve të ndryshëm, njërit për leximin sipas Kishave Ungjilltare e të atyre të Reformuara, kurse tjetrit për leximin sipas traditës së Kishës motër Ortodokse. Kështu leximi i Letrave të Shën Palit nga pikëpamja ekumenike është më i zgjeruar dhe është më i kuptueshëm.

Pyetje: E tani të flasim edhe për një nismë shumë të këndëshme, shumë të veçantë: propozimi për ta shkruar emrin e Shën Palit honoris causa në regjistrin e gazetarëve…

Përgjigje: Një e papritur e bukur edhe për ne. Morëm një letër nga një lexues tepër i vëmendshëm i cili, duke parë veprimtarinë e gjerë e të madhe të shkrimtarit Pal, duke parë edhe se ai ka shkruar përpara ungjilltarëve, i bën pyetje vetes e na pyet edhe neve, pse të mos i japim Shën Palit këtë titull si gazetar e t’ia japim madje honoris causa, meqë asokohe, kuptohet se nuk ekzistonte regjistri i gazetarëve.







All the contents on this site are copyrighted ©.