2008-10-10 18:08:51

Sot në Sinodin e ipeshkvijve, në plan të parë, Fjala e Zotit në familje e në trojet ku ungjillëzimi është i vështirë. Me ne, Patriku Gregori III e Maria Voçe, kryetare e Fokolarëve.


(10.10.2008 RV)RealAudioMP3 Ditë e ngarkuar me reflektime, e sotmja në Sinodin e Ipeshkvijve, mbledhur në Asamblenë XII të përgjithshme të zakonshme, kushtuar Fjalës së Zotit. Sot paradite, tema e familjes dhe zonat, ku ungjillëzimi është tepër i vështirë, si Toka Shenjte, Evropa lindore ose Birmania, ishin në qendër të diskutimeve në sallë. Në pushimin ndërmjet seancave, Benedikti XVI priti në audiencë anëtarët e Federatës Biblike Gjermane.
Ashtu si ndodhi të martën e kaluar me Shoqatat e Bashkuara Biblike, edhe anëtarët e Federatës Biblike Gjermane i dhuruan Papës disa variante të Besëlidhjes së Vjetër e të Re në gjuhë të ndryshme. E ashtu si më parë, Ati i Shenjtë ua dhuroi nga një kopje të gjithë pjesëmarrësve në Sinod.

Gjatë punimeve të sotme u prekën tema nga më të ndryshmet. E para ishte ajo e përdorimit dhe e inkulturimit të Biblës në familje. U bënë disa propozime, si: t’u dhurohet Bibla të gjitha familjeve, në mënyrë që secili të ketë një kopje personale; të përfshihet edhe mësimi i Shkrimit Shenjt në shkolla; të lexohet nga një fragment i Fjalës së Zotit çdo mbrëmje, duke e medituar në gjirin e familjes. E akoma, t’i shtohet zyrtarisht çdo misteri të Rruzares edhe një citim i shkurtër biblik. Sinodi i ipeshkvijve uroi që këto propozime të bëhen objekt reflektimi për Kishën Universale.
Temë tjetër, që u trajtua në Sallë, ishte edhe ajo e ungjillëzimit në kontekste, si ai i Evropës lindore, i Birmanisë ose i Tokës Shenjte, zona gjeografike të cilat, në të kaluarën e afërt, provuan persekutime të egra nga regjime totalitare, katastrofa natyrore, si cikloni Nargis e konflikti izraelito-palestinez.
Posaçërisht u vërejt se të krishterët arabë hasin vështirësi në leximin e Besëlidhjes së Vjetër, për shkak të interpretimeve politike e ideologjike që i bëhen tekstit. Në këtë drejtim, është për t’u përmendur mendimi i Gregorit III Laham, Patrik i Antiokisë së Greko-Melkitëve, që propozoi të organizohet një forum kushtuar Fjalës së Zotit, në të cilin të krishterët e myslimanët të mund të takohen, të diskutojnë e të meditojnë së bashku. Ja si u shpreh Patriku Gregori III në mikrofonin tonë:

Përgjigje: - Dëshiroj që të krishterët e myslimanët të takohen. E ky është realitet në Jeruzalem ku, në Qendrën e Zojës së Bekuar, të krishterët, myslimanët e hebrenjtë takohen, pavarësisht nga situata e vështirë në Tokën Shenjte, dhe e meditojnë së bashku Fjalën e Zotit, pa diskutime: unë meditoj e lutem, pastaj vjen hebreu e pastaj myslimani. Kjo është pak a shumë ideja që dëshiroj ta realizoj edhe në Siri e në Liban, në zonat e juridiksionit tim.

Pyetje: - Një ekzegjezë korrekte e Fjalës së Zotit, sipas jush, është një pikë e përbashkët dialogu?

Përgjigje: - Kur Zoti flet, flet për të gjithë njerëzit e, prej këndej, është edhe një pikë e përbashkët dialogu.

RealAudioMP3 Ndërsa dje pasdite, në qendër të vëmendjes ishte tema e ekzegjezës biblike: posaçërisht u fol për nevojën e afrimit të besimtarëve më të largët tek Fjala e Zotit, duke e përkthyer Biblën edhe në gjuhë pak të përhapura, ose më mirë të themi, në atë gjuhë që besimtarët e marrin vesh më mirë. Për ta realizuar këtë, më 14 tetorin e ardhshëm, do të nënshkruhet marrëveshja ndërmjet Federatës Biblike Katolike e Shoqatave Biblike, për përkthimin e Librit Shenjt në sa më shumë gjuhë e variante.
Së fundi, u pritën me duatrokitje, fjalimet e delegatëve vëllazëror: fjalimi i të nderuarit Gunnar Shtëlset, ipeshkëv nderi i Osos, anëtar i Federatës Botërore Luterane dhe i të nderuarit Robert Velsh, i Dishepujve të Krishtit. Në qendër të fjalimeve të tyre ishte dënimi i fondamentalizmit fetar, ftesa drejtuar të gjithë njerëzve që besojnë, për t’u impenjuar në realizimin e objektivave të mijëvjeçarit dhe thirrja për t’i kapërcyer përçarjet brenda Korpit të vetëm të Krishtit.

Në sinodin e ipeshkvijve marrin pjesë edhe përfaqësues të lëvizjeve laikale. Ndërmjet tyre, si dëgjuese, është edhe kryetarja e Lëvizjes së Fokolarëve, Maria Voçe, e cila na tregon si e jetojnë Fokolarët fjalën e Zotit në jetën e tyre të përditshme:

Përgjigje: - Ne kemi si praktikë të posaçme të zgjedhin një herë në muaj një frazë të Shkrimit Shenjt e të impenjohemi së bashku për ta vënë në jetë, duke transmetuar edhe përvojën vetjake. Për shembull, në këtë çast, po jetojmë porosinë biblike: ‘Jepni, e do t’ju jepet!”. Ne besojmë me të vërtetë se kjo nuk është porosi e dhënë dymijë vjet më parë, por fjalë që thuhet sot, që duhet ta jetojmë sot: e ky është impenjimi i gjithë Lëvizjes.







All the contents on this site are copyrighted ©.