2008-10-10 17:40:53

Marti Ahtisari merr çmimin Nobel për paqen. Reagimet në Kosovë.


(10.10.2008 RV)Çmimi Nobel për paqen 2008 iu dha ish-presidentit finlandez Marti Ahtisari. Në motivacionin e Komitetit të Çmimeve Nobel në Oslo të Norvegjisë, Ahtisari është çmuar “për përpjekjet e tij të rëndësishme, në shumë kontinente e për më shumë se tre dhjetëvjeçarë, në zgjidhjen e konflikteve ndërkombëtare”. Diplomati i shquar finlandez është hartuesi i planit për statusin e Kosovës, mbi të cilin mbështetet veprimtaria e Prishtinës edhe sot e kësaj dite. Por ai ka qenë edhe protagonist i marrëveshjes së vitit 2005 ndërmjet Indonezisë dhe rebelëve Açeh.
Marti Ahtisari lindi në Viipuri, më 23 qershor 1937, u bë ekspert i bashkëpunimit për zhvillim në Ministrinë e Jashtme finlandeze, duke vazhduar më pas karrierën diplomatike. Në fund të detyrës si ambasador, u emërua komisar i OKB-së për Namibinë, me objektiv përgatitjen e pavarësisë së vendit. Pikërisht kjo përvojë i shërbeu edhe në përpilimin e planit për shkëputjen e Kosovës nga Serbia. Të dëgjojmë si e pritën në Prishtinë dhënien e çmimit Nobel për paqen, pikërisht Marti Ahtisarit. Na informon bashkëpunëtorja jonë, Rabije Ibraj…RealAudioMP3








All the contents on this site are copyrighted ©.