2008-10-10 17:41:18

Intervistë me presidentin e Republikës Italiane, një javë pas vizitës së Atit të Shenjtë në selinë e Quirinales


(10.10.2008 RV)RealAudioMP3 Një javë pas vizitës së Papës Benedikti XVI në Quirinale, selia e presidencës së Italisë, në ditën e festës së Shën Françeskut të Asizit, Pajtor i vendit, presidenti i Republikës Italiane, Xhorxho Napolitano i dha një intervistë ekskluzive Radio Vatikanit, gazetës vatikanase “L’Osservatore Romano” dhe Qendrës Televizive të Vatikanit. Kreu i shtetit italian kujton takimin me Papën e më pas, ndalet në temat e aktualitetit kombëtar e ndërkombëtar, duke vënë në dukje kontributin e katolikëve në jetën politike dhe institucionale italiane. Por të dëgjojmë se ç’përfaqëson për z. Napolitano vizita e Papës Benedikti XVI në Quirinale:
Do të thosha se përfaqësoi para së gjithash konfirmimin simbolik dhe të dukshëm të thellësisë së marrëdhënieve ndërmjet Kishës katolike dhe kombit italian. Nëse shohim përmbajtjen e fjalimeve të mbajtura publikisht e privatisht – e dua të shpreh mirënjohjen time ndaj Papës për ngrohtësinë e jashtëzakonshme dhe përzemërsinë e asaj bisede – dita e 4 tetorit në Quirinale mbetet një shenjë e rëndësishme mirëkuptimi, ngjashmërie në shqetësime e vullneti për ndërhyrje në tema të shumta, të shprehura si nga Kisha e Selia e Shenjtë, ashtu edhe nga Shteti republikan. Tema me karakter ndërkombëtar, me karakter shoqëror, civil e moral.
Sipas jush, laikët e katolikët si mund ta përballojnë të ashtuquajturën “emergjencë edukative”, siç tha Papa?
Kjo është një temë e përbashkët, të cilën m’u duk e drejtë ta theksoja edhe unë, duke bërë timen shprehjen e Papës, që tashmë njihet nga të gjithë dhe është thellësisht e bazuar. Nëse duam të flasim për subjektet, që duhet të merren me “emergjencën edukative”, do të thosha se përgjegjësia bie mbi disa, secili me rolin dhe autonominë e vet: flas për subjekte si Kisha Katolike, në degëzimin më të pasur të aftësisë së saj të komunikimit e të udhëheqjes shpirtërore; Shteti Italian, së pari përmes shkollës shtetërore; e flas edhe për përgjegjësinë e botës së kulturës, për përgjegjësinë gjithnjë e më të madhe të botës së informacionit. Nëse pyesim veten se si duhet realizuar ky bashkëpunim, unë mendoj se na duhet një kuadër përpjekjesh dhe impenjimesh, që konvergjojnë drejt disa objektivave: refuzimi i dhunës, kultura e praktika e ligjit, një ndjenjë e rinovuar e së mirës së përbashkët dhe e detyrimeve qytetare, besimi në vlerat shpirtërore, ideale dhe morale kundër sugjestionimit të parasë dhe të dukjes, të ekzibicionizmit si qëllim në vetvete, të lakmisë e të egoizmit të paskrupullt. E gjithë kjo kërkon me të vërtetë një impenjim të madh e të shumëfishtë, që mund të krijohet vetëm për arritjen e këtyre objektivave të përbashkëta.
Mendoni se në Itali po humb shpirti i mikpritjes dhe i tolerancës ndaj emigrantëve, që e ka karakterizuar gjithnjë popullin italian?
Mendoj se të pohosh një gjë të tillë do të ishte tepër. Nuk duhet të përgjithësojmë. Por, sigurisht, duhet të shqetësohemi. Duhet të shqetësohemi, sepse përhapja e frikës pa arsye e vazhdimi i predikimeve ksenofobe, kontribuon në dhunimin e rëndë të kësaj tradite mikpritjeje e solidariteti e më vonë, mund të ndryshojë frymën tradicionale të hapjes ndaj të tjerëve, që karakterizon italianët.
Liria e dëshmisë së fesë është një problem që po bëhet dramatik, për shembull, në Indi. A mund të bëhet diçka më shumë në Perëndim për të denoncuar valën e dhunës kundër të krishterëve në vendin aziatik?
Mendoj se zëri i Perëndimit duhet të ngrihet më lart kundër këtyre episodeve të rënda të persekutimit antikristian në Indi, një vend në të cilin vërtet nuk pritej që të lindnin: e nuk duhet të konsiderohen si anësore. Natyrisht, çështja më e madhe është ajo e impenjimit të Perëndimit kundër çdo lloj forme fanatizmi fetar, për të garantuar plotësisht lirinë e kultit; dhe është edhe ajo e impenjimit për të kultivuar dialogun ndërmjet feve.
Takimi me Papën u bë më 4 tetor, dita e festës së Shën Françeskut të Asizit, model i një Kishe në shërbim të dinjitetit njerëzor, të drejtësisë e të solidaritetit. Tema që janë në plan të parë edhe në Evropë. Por sa u qëndron besnik këtyre rrënjëve të krishtera Kontinenti i Vjetër?
“Kontinenti i Vjetër” është një shprehje shumë impenjative, sepse përqafon institucione, popuj, opinione publike… Unë do të thosha se këto rrënjë janë shumë të gjalla në vetë veprimtarinë për integrimin evropian, për ndërtimin e Evropës së bashkuar. Është ndoshta gjesti më i madh i solidaritetit që është realizuar ndonjëherë nga ndonjë pjesë e botës. Lindi si solidaritet nën shenjën e pajtimit ndërmjet Francës dhe Gjermanisë, në kuptimin e realizimit të një zone paqeje në zemër të Evropës, atje ku ishte ndezur shkëndija e dy luftrave botërore. Mendoj edhe fjalët që ka thënë shpesh Zhak Delor, i cili ka qenë një nga etërit e ndërtimit të një Evrope të integruar, tepër i ndjeshëm ndaj vlerave të krishtera, sidomos ndaj shoqërizimit dhe solidaritetit. Delor thoshte gjithnjë se solidariteti është një nga shtyllat, rreth së cilës duhet të ndërtohet Evropa e bashkuar (“konkurrenca që stimulon, bashkëpunimi që forcon dhe solidariteti që bashkon”). Po, këto vlera kanë qenë të gjalla në procesin e ndërtimit të institucioneve të përbashkëta evropiane. Por sot, nuk duhen nënvlerësuar shenjat e dobësimit të këtij këndvështrimi e pra edhe të vënies në praktikë të këtyre vlerave në sjelljet kolektive dhe individuale, edhe pse nuk mund të mohojmë se ka pasur një lloj ndarjeje përsa i përket perspektivës integruese të Evropës: kanë lindur dyshime, ka lindur e është shfytëzuar me mjeshtëri edhe skepticizmi. Prandaj, me të vërtetë duhet ta rishpjegojmë tërësisht çfarë e frymëzoi ndërtimin e Evropës së bashkuar, një frymëzim, që bart shenja të qarta të traditës së krishterë.
Me rastin e takimit me Papën Benedikti XVI, ju përmendët mungesën e etikës në politikë e ekonomi. Duke pasur parasysh se ç’po ndodh sot në botë me krizën financiare, sipas jush, si është e mundur të merren parasysh si logjika e tregut të lirë, ashtu edhe respektimi i nevojave themelore të individit?
Para së gjithash, mund t’ju përgjigjesha duke thënë se duhen vendosur rregulla, rregulla sjelljeje, edhe të sjelljes etike, brenda institucioneve qeverisëse të ekonomisë: të mendojmë për bankat, për sistemin e kredive… Por, në përgjithësi, mendoj se nëse kërkohet sinteza, në fund të fundit ajo gjendet në çëshjen e Evropës, në një formulë që tashmë është pjesë e Traktateve Evropiane: në Traktatin Kushtetues, që më pas u la mënjanë, në Traktatin e Lisbonës, për të cilin pritet hyrja në fuqi, flitet për “ekonomi shoqërore të tregut”, si formulë përmbledhëse e përpjekjes së jashtëzakonshme për të lidhur logjikën e tregut me parimet shoqërore. Në të kaluarën, kemi diskutuar shumë mbi të ashtuquajturat “rrugë të treta”, mbi një takim të mundshëm ndërmjet kapitalizmit dhe socializmit… Por ta lemë mënjanë të kaluarën, me tepër tym nga debatet ideologjike të këtij lloji: ekonomia shoqërore e tregut është përvojë, jo thjesht parrullë. Është një përvojë e realizuar në ato vende, që të parat, kontribuan në lindjen e Evropës së bashkuar: në fakt, lindi në Gjermani, në Gjermaninë demokratike, të qeverisur për vite me radhë, së pari nga partia kristiano-demokratike, e tashmë përvoja është përhapur në të gjithë Evropën. Në kushtet e reja të krizës financiare ekonomike botërore, që është edhe krizë e sjelljes dhe e mosrespektimit të vlerave etike, duhet të ngulim këmbë sërish në këtë vizion.
 







All the contents on this site are copyrighted ©.