2008-10-09 17:41:25

Punimet e Sinodit vijojnë.


(09.10.2008 RV)RealAudioMP3 Sot paradite, para fillimit të Meshës Shenjte të kryesuar nga Ati i Shenjtë me rastin e 50-vjetorit të kalimit në amshim të Piut XII, etërit sinodalë u mblodhën në të gjashtën Kongregatë të përgjithshme. Sesioni i punimeve u hap me zgjedhjen e anëtarëve të Komisionit për Mesazhin dhe u mbyll me një duartrokitje në përkujtim të Gjon Palit II.
Paraditja ishte e ngjeshur në tema të rëndësishme si nevoja e ripërtëritjes së famullive apo reflektimi mbi ekzegjezën biblike. Në sallën e sinodit është përmendur shumë herë se ekzegjeza dhe teologjia ndjekin dy rrugë të ndryshme.
Ndërsa dje pasdite gjatë Kongregatë së pestë të përgjithshme, etërit sinodalë reflektuan mbi “Lectio Divina” – përkufizuar si metodë e rekomandueshme për të kuptuar me të vërtetë Fjalën e Zotit. E si shembull të përsosur të përqafimit të Fjalës së Zotit, etërit sinodalë dhanë Marinë, ajo që, siç është thënë, e bën të mundur kuptimin e krejt planit të shpëtimit.
U diskutua pastaj edhe tema e ekumenizmit, në veçanti raporti i ekumenizmit me Shkrimin Shenjt. Nga punimet doli se mund të shpresohet për një afrim të besimeve të krishtera falë përqafimit të Fjalës së Zotit, mbasi dialogu ekumenik nuk mund të bazohet thjeshtë mbi përpjekje e strategji njerëzore. Por në ç’pikë gjendet dialogu ekumenik? Me hollesisht, intervista me kard. Anxhelo Banjasko, kryetar i Konferencës Ipeshkvnore Italiane:

Përgjigje: Jetojmë duke ecur hap pas hapi në vazhdimësinë e magjisterit të Kishës, të traditës së gjallë të Kishës, së papëve. Po bëhen hapa në rrugën e ekumenizmit, një rrugë që natyrisht ne do të donim të ishte më e shpejtë, por koha e Zotit nuk është koha jonë. Sidoqoftë këto hapa në rrugën e ekumenizmit bëhen me besim dhe me shpresë të madhe.

Pyetje: Në Sinod marrin pjesë ipeshkvij nga e gjithë bota. Çfarë ju ka bërë më shumë përshtypje në fjalimet e etërve të tjerë?
 
Përgjigje: Jehona e bashkësive të veta. Në fjalët e tyre, në ato që tregojnë, në përvojat dhe problematikat që ngrejnë ndjehet së tepërmi jehona e bashkësive të tyre. Ndjehet që janë të gjalla, të impenjuara dhe që përjetojnë situata tragjike persekutimesh, shekullarizimit, mungese të madhe të klerit dhe varfërie të madhe materiale.







All the contents on this site are copyrighted ©.