Orisë: nacionalistët hinduistë kundër dhunës antikristiane. Kryeipeshkvi i Delhit:
të kalohet nga fjalët në vepra.
(09.10.2008 RV)Në Indi rreth 12 mijë vetë janë zhdukur prej kampeve të refugjatëve,
të ngritura nga qeveria e Orisës për të strehuar të krishterët në ikje, për shkak
të dhunës së fanatikëve hinduistë. Sipas lajmeve të fundit, të paktën 60 vetë janë
vrarë, ndërsa 50 mijë të tjerë kanë ikur nga trojet e veta. Në këtë situatë dramatike,
ngjarja më e re është takimi i djeshëm i kryeipeshkvit të Delhit, imzot Vincent Majkëll
Konçesao, në krye të një delegacioni të krishterë, me përfaqësuesit e nacionalistëve
hinduistë. Në përfundim të takimit, u botua një deklaratë e përbashkët, në të cilën
theksohet se do të bëhen të gjitha përpjekjet e mundshme për të rikthyer paqen e sigurinë
në zonat më të trazuara. Imzot Vincent Majkëll Konçesao e vlerëson kështu
takimin, në mikrofonin e Radio Vatikanit:
Përgjigje: - “It was a god
opportunity… Ishte rast i mirë për t’i sqaruar problemet e për të shkëmbyer
mendime. Interesi ynë i përbashkët është të rivendosim paqen, të sigurojmë dëmshpërblimet
për viktimat e dhunës e të vandalizmit si dhe të japim ndihmesën tonë për rikthimin
e rendit, posaçërisht në shtetin e Orisës. Ky është hapi i parë i dialogut. Ka si
synim hartimin e një plani të përbashkët, që të punojmë krah për krah. Në shtetin
e Orisës, gjendja mbetet e vështirë: njerëzit vijojnë të strehohen në pyje e shumë
prej tyre nuk kanë ku të kthehen, sepse shtëpitë janë shkatërruar. Gjithë kjo duhet
të marrë fund, duhet dënuar. Por dënimi nuk mjafton: duhen marrë masat të rindërtohen
urat, për të rikrijuar mundësitë e bashkëjetesës paqësore. Në se fillon dialogu me
liderët, mund të arrijmë edhe tek njerëzit e thjeshtë.