2008-10-09 17:39:56

Me besim te Krishti, Papa Piu XII ndihmoi viktimat e Luftës II Botërore, sidomos hebrenjtë: kështu Benedikti XVI në Meshën për 50-vjetorin e vdekjes.


(09.10.2008 RV)RealAudioMP3 Në vitet e tmerrshme të totalitarizmit e të konflikteve botërore, Papa Piu XII dëshmoi se vetëm Krishti është shpresa e vërtetë e njeriut: këtë pohoi Benedikti XVI në meshën e sotme në Shën Pjetër për 50-vjetorin e vdekjes së Shërbëtorit të Zotit, Eugjenio Paçeli. Më kremtimin, ku morën pjesë edhe etërit sinodalë, Papa kujtoi impenjimin e palodhur të Piut XII në favor të paqes e të mbrojtjes së të persekutuarve nga nazistët, sidomos të hebrenjve. Gjithashtu, Ati i Shenjtë nuk mungoi të nënvizojë “aktualitetin e jashtëzakonshëm” të magjisterit të Papës Paçeli, që, siç tha, vazhdon të jetë një pikë e sigurtë referimi për besimtarët.
Ndërsa në Evropë dendësoheshin retë e Luftës II Botërore, Piu XII punonte për paqen, impenjim ky i filluar që para se të bëhej papë, kur ishte nunc apostolik në Gjermani:
“La pas mirënjohjen, sidomos pasi bashkëpunoi me Benediktin XV (pesëmbëdhjetë) në përpjekjen për të ndalur “masakrën e kotë” të Luftës së Madhe, e pasi kuptoi që në fillim rrezikun që përbënte ideologjia përbindëshe nacionalsocialiste me rrënjët e saj antisemite e antikatolike”.
Vetëm Krishti ishte udhëheqësi shpirtëror i veprimeve të Papës. Në epokën e vështirë në të cilën jetonte, Piu XII e ndjeu të fortë nevojën për t’u kapur pas Krishtit, e vetmja siguri që nuk perëndon:
“Fjala e Zotit bëhej kështu dritë e rrugës së tij, një rrugë gjatë së cilës Papa Paçeli pati rastin të ngushëllojë të shpërngulur e të persekutuar, iu desh të fshinte lotët e dhimbjes e të mbante zi për viktimat e panumërta të luftës. Vetëm Krishti është shpresa e vërtetë e njeriut; vetëm duke besuar në Të, njeriu mund t’ia hapë zemrën dashurisë që ngadhnjen mbi urrejtjen”.
Lufta botërore, kujtoi Papa Racinger, vuri në dukje dashurinë që Piu XII kishte për Romën, nga e cila nuk u largua kurrë. Pikërisht në Qytetin e Amshuar, Papa zhvilloi një veprimtari intensive në mbrojtje të të persekutuarve, pa dallim feje, etnie, kombësie apo përkatësie politike. Në mesazhin për Krishtlindjen e vitit 1942, transmetuar përmes Radio Vatikanit, Piu XII denoncoi situatën e qindra mijëra personave të destinuar të vdisnin, ose të shuheshin dalëngadalë. Për Benediktin XVI, ai denoncim i referohej gjendjes së hebrenjve në kampet e përqëndrimit:
“Veproi shpesh fshehtas e në heshtje pikërisht sepse, në dritën e situatave konkrete të atij momenti të ndërlikuar historik, ai kuptoi se vetëm në atë mënyrë mund të shmangte më të keqen e të shpëtonte numrin më të madh të mundshëm të hebrenjve. Për këto ndërhyrje, mori shumë falenderime e mirënjohje unanime nga autoritetet më të larta të botës hebraike, si në fund të luftës, ashtu edhe në çastin e vdekjes”.
Papa citoi më pas ministren e jashtme të Izraelit, Golda Mejer, e cila shkruante: “Kur martirizimi më i frikshëm goditi popullin tonë”, zëri i Piut XII “u ngrit në favor të viktimave”. Nga ana tjetër, Benedikti XVI nuk harroi të vërë në dukje debatin historik, jo gjithnjë të qetë, mbi figurën e Piut XII dhe rolin e tij në mbrojtje të hebrenjve, duke nënvizuar se ky debat ka lënë mënjanë disa aspekte të papnisë së Shërbëtorit të Zotit:
“Papa Pali VI, i cili ishte bashkëpunëtori i tij besnik për shumë vjet, e përshkrunte si erudit, studiues të vëmendshëm, të hapur ndaj rrugëve të reja të kërkimit e të kulturës, gjithnjë me besnikëri të patundur e koherent si ndaj parimeve të arësyes njerëzore, ashtu edhe ndaj trashëgimisë së paprekshme të të vërtetave të fesë”.
Papa Piu XII ishte, në disa aspekte, pararendës i Koncilit II të Vatikanit. Janë dokumente themelore të magjisterit të tij Enciklika “Mystici Corporis”, bazë për Kushtetutën dogmatike konciliare “Lumen Gentium”; Enciklika “Divino Afflante Spiritu”, e rëndësishme për studimet mbi tekstet biblike, apo Enciklika “Mediator Dei”, që i dha shtysë lëvizjes liturgjike. Benedikti XVI kujtoi edhe kontributin e madh të Papës Paçeli në rritjen e aktivitetit misionar dhe në nxitjen e rolit të laikëve në jetën kishtare, duke uruar që çështja e lumnimit të Piut XII të shkojë përpara pa pengesa.
Por le të përshkojmë sëbashku çastet më kulmore të jetës e të veprimtarisë së këtij Shërbëtori të Zotit, që e pati shenjtërinë si ideal.








All the contents on this site are copyrighted ©.