2008-10-09 17:40:19

50 vjet më parë vdiste “Bariu Engjëllor” Piu XII, Papa i njerëzimit të vuajtur.


(09.10.2008 RV)RealAudioMP3 Më 9 tetor 1958 Piu XII kthehej në shtëpinë e Atit. Në Papninë e tij, që zgjati 19 vjet, Papës Eugjenio Paçeli iu desh të përballonte tragjedinë e Luftës II Botërore dhe t’i printe Kishës në kohë të vështira, duke vënë në jetë reforma që kanë vlerë edhe për kohët tona. Mbrojtës i së vërtetës, intelektual modern, bari i kujdesshëm, Piu XII, besnik ndaj motos së tij “Non nova sed nòviter”, qe përtëritës i traditës.

Papa i njerëzimit të vuajtur, kumtar i vendosur i së vërtetës, Piu XII, e drejtoi barkën e Shën Pjetrit në kohë dramatike për njerëzimin. Papnia e tij e gjatë nisi më 2 mars 1939, kur në Evropë endej fantazma e luftës. Diplomat i hollë, Papa Paçeli u bëri thirrje prijësve të kombeve, që dhuna të mos e kishte fjalën e fundit. Më 24 gusht i drejtoi fjalën e tij autoritare mbarë botës, me një radiomesazh i cili, duke filluar që nga titulli, “Një orë e vështirë”, nënvizon ankthin e Papës:

“Asgjë nuk humbet me paqen. Gjithçka mund të humbasë me luftën. Njerëzit duhet të rimendojnë, t’i rifillojnë bisedimet. Duke biseduar me vullnet të mirë e me respekt për të drejtat reciproke, do ta kuptojnë se dialogu energjik e i sinqertë nuk e pengon kurrë arritjen e suksesit të ndershëm”.

Thirrja, për fat të keq nuk u dëgjua! Por Papa vijoi, e gjatë gjithë Luftës II Botërore përmes Radio Vatikanit, ngriti zërin në mbrojtje të paqes. Zë që u dëgjua në të gjithë botën. Impenjimi i Papës nuk mbeti vetëm tek fjalët. “Bariu Engjëllor’ themeloi një shërbim për kërkimin e robërve të luftës, hapi dyert e kuvendeve të Romës, për të strehuar hebrenjtë, që ishin në rrezik të internoheshin në kampet e shfarosjes. E kur, më në fund, armët heshtën, nisi ndihma konkrete të të gjitha natyrave në vendet e ndryshme evropiane, të kthyera në gërmadhë nga lufta. Por për fat të keq fundi i Luftës Botërore nuk i solli njerëzimit epokën e paqes, aq të dëshiruar. Përkundrazi, hapi një epokë të tmerrshme. Papa Piu XII e kuptoi menjëherë dhe e nënvizoi duke folur para Kolegjit Kishtar, më 24 dhjetor 1946, pikërisht atëherë kur në Shqipëri niste shfarosja e njerëzve të fesë, klerikë e laikë:

“Në vend që të ecet drejt paqëtimit real, në troje të hapta të globit tokësor e në zona të ndryshme, posaçërisht të Evropës, popujt ndodhen në një situatë gjithnjë më trazuar nga e cila, heret a vonë, mund të ndizet flaka e konflikteve të reja”.

 
Më parë nazizmi, më pas komunizmi i pa Zot. Piu XII u kundërvihet drejtpërdrejtë e me guxim të pashoq sistemeve totalitare të cilat, siç kishte theksuar në Enciklikën e tij të parë “Summi Pontificatus’, janë rrugë që të çojnë në mënyrë të pashmangshme larg Zotit. Sistemi sovjetik i vë në provë të rëndë besimtarët dhe barinjtë në të gjitha vendet satelite të Moskës. Papa vuan bashkë me ata që, nga Rusia – në Shqipëri, martirizohen në emër të Krishtit dhe, ‘në emër të doktrinës së krishterë’ e dënon komunizmin deri në atë pikë, sa të dekretojë, më 1946, shkishërimin e të gjithë atyre, që mbështesin partitë komuniste. Më 1954 pohon se paqja është dëshira e tij më e zjarrtë. Fjalë që kumbojnë ende, përmes thirrjeve të tij të fuqishme:

“Nuk duam të kritikojmë, por të nxisim. S’duam të akuzojmë, por të ndihmojmë. Kemi në zemër ndjete paqeje e jo vuajtjeje e duam t’i zgjojmë edhe në zemrat e atyre që na dëgjojnë”. (Radiomesazh , 24 dhjetor 1946).
 
Mbrojtës i doktrinës së shëndoshë, Piu XII ia hapi dyert mendimit modern, posaçërisht arritjeve të reja shkencore dhe komunikimit shoqëror. E dëshmon këtë transmetimi i 200 radiomesazheve të tij, në gjuhë të ndryshme, që u ndoqën nga mbarë bota. Papa Paçeli i dha një nxitje të re misioneve në Afrikë e në Kinë, gjallëroi studimet biblike, reformoi liturgjinë, ndërkombëtarizoi Kurien, promovoi gërmimet arkelogjike në Varrin e Shën Pjetrit. Me të nis të marrë formë teologjia e laikatit. Përballë plagës së mjerimit në botë, Piu XII kërkon një shpërndarje më të drejtë të pasurive, dënon shfrenimet e kapitalizmit, mbështet me forcë kërkesat e klasës punëtore:

“Këto kërkesa përfshijnë, përveç një page të drejtë e të mjaftueshme për përballimin e nevojave të familjes, edhe ruajtjen e përsosjen e një rendi shoqëror, që krijon mundësitë e sigurimit të një prone modeste, por të sigurtë, private për të gjitha shtresat e popullsisë e favorizon shkollimin e lartë për fëmijët e klasës punëtore, që janë të pajisur me zgjuarësi e vullnet të mirë për të mësuar”. (Radiomesazh Krishtlindje 1942).

 
Tepër i devoçëm i Zojës, në Vitin Shenjt 1950 shpalli dogmën e Të Ngjiturit të Zojës së Bekuar në qiell. Me 41 enciklikat e tij, Piu XII i la Kishës një pasuri urtie të pallogaritshme, që ndikoi shumë edhe mbi mendimin e Etërve të Koncilit II të Vatikanit. Njeri tepër i përmbajtur, nuk fliste kurrë për përshpirtërinë e tij, por i prekte të gjithë me përmasën asketike. Hante pak, për të qenë solidar me të varfërit. E kur mijëra refugjatë lufte u strehuan në Vatikan, kërkoi të mos ia ngrohnin më apartamentin, sepse deshi të jetojë si mysafirët që ishin mbledhur nën të njëjtën strehë.







All the contents on this site are copyrighted ©.