2008-10-09 17:45:08

365 ditë: Atë Lamì, famullitari i të varfërve e i 'kriminelëve'.


(09.10.2008 RV)Në qytetin Kurnevë, në veri të Parisit, ku Atë Lamì sapo është emëruar famullitar në shtatorin e vitit 1900, jetojnë kryesisht shitës frutash. Shumica e banorëve nuk beson në Zotin. Prandaj në Kishë ishin të paktë besimtarët, gjatë Meshës së parë të atë Lami, që sapo kishte arritur. Ishin pak, por për të folur, flisnin shumë. … Atë Lami dëgjon copa bisedash, që nuk kanë të bëjnë fare me lutjet:
“Në se do, t’i shes dhjetë kile mollë për dhjetë lekë. S’ke ku i blen më lirë! Shitblerja e shekullit!”.
“A i shkëmbejmë rrepat mi me karotat tuaja, hë si thua?”. “Karota si të miat s’ ke ku i gjen. Janë një mrekulli e vërtetë. Të freskëta, gjithë lëng!”.
“Interesat janë interesa!”, mendon atë Lami, duke vënë buzën në gaz.
Ka lindur në një familje fshtarësh të varfër, prandaj i kupton mirë ata që dërsijnë gjithë jetën, për të fituar bukën e gojës. Por edhe pse java e tyre është plot me punë të rëndë, duhet ta gjejnë sadopak kohë edhe për Zotin. Atë Lami kujton se kur ishte i vogël, i gjyshi, para se të nisej për të punuar arat, vinte gjithnjë në çantën e bukës, edhe librin e lutjeve. Në se do t’ia arrijë që banorët e Kurnevë ta kuptojnë këtë, jeta e tij nuk do të jetë e kotë.
Duke u kujdesur të duket sa më i qetë, meshtari e ndërpret Meshën e thotë:
“Shitini pra, mollët e rrepat tuaja. Po ju lë dy minuta kohë. Besoj se ju mjaftojnë. Pastaj veç, duhet t’ ia vini mirë veshin fjalës së Zotit!”.
Shitësit heshtin e e shikojnë meshtarin të turpëruar. Po Atë Lami nuk duket fare i zemruar. Pret. Atëherë shitësit e frutave rifillojnë muhabetin e, pas dy minutash, në kishë mbretëron përsëri heshtja. Besimtarët përqendrohen si asnjë herë tjetër.
Nisin menjëherë ta duan këtë prift simpatik, me veshje të varfëra e me gjuhë të thjeshtë, si gjuha e tyre. Atë Lami është mësuar të punojë në vende të vështira, në të cilat njerëzia duhen edukuar sadopak. Ndërsa përgatitej për rrugën e meshtarisë, në Trojé, merrej me fëmijët e braktisur, që konsideroheshin si kriminelë. I aktivizonte në veprimtari nga më të ndryshmet: në sport, teatër… e kështu me radhë. ‘Kriminelët’ e donin fort, si ta kishin baba.
Pastaj e nisën për një vend ku jetonin leckambledhësit, njerëz tejet të varfër, që rrëmonin ndër plehra për të gjetur ndonjë gjë, të cilën më pas e shisnin. Kudo që shkon ‘famullitari i të varfërve e i kriminelëve’ ia del mbanesh t’u hyjë në zemër të gjithëve. E, më e rëndësishmja, arrin t’i rikthejë në gjirin e Kishës njerëzit, që besonin se Zoti i kishte lëshuar dore.
Me atë Laminë, kisha, që më parë ishte e zbrazur, bëhet tepër e vogël e askush nuk mendon më të shesë aty karota gjatë Meshës! 







All the contents on this site are copyrighted ©.