Kultura e mikpritjes dhe solidariteti vëllazëror janë vlerat që thekson Papa në mesazhin
për Ditën e ardhshme botërore të emigrantit dhe refugjatit 2008.
(08.10.2008 RV)“Dishepujt e vërtetë
të Krishtit njihen nga aftësia për t’i dashur e për t’i mirëpritur të gjithë”. Kështu
shkruan Benedikti XVI në mesazhin për Ditën e 95-të botërore të të emigrantit e refugjatit,
përqendruar tek tema: “Shën Pali emigrant, Apostull i popujve”. Shtytje për këtë temë
– shton Papa – është përkimi me vitin jubilar kushtuar dymijë vjetorit të lindjes
së Apostullit. Mesazhi i Atit të Shenjtë për këtë Ditë, që do të kremtohet më 18 janarin
e ardhshëm, u paraqit sot paradite në Sallën e Shtypit të Vatikanit nga Kardinali
Renato Rafaele Martino, kryetar i Këshillit Papnor për baritorinë e emigrantëve
dhe endacakëve si dhe nga kryeipeshkvi Agostino Marketo, sekretar i të njëjtit
dikaster. Shën Pali u bë emigrant për t’iu përgjigjur thirrjes, ambasador endacak
i Jezusit e misionar i vërtetë për emigrantët. Ai u shndërrua nga persekutues i të
krishterëve, në apostull të popujve, duke u përpjekur gjithë jetën që mbarë njerëzimi
ta njihte e ta donte Krishtin, në mënyrë që në Të, të gjithë popujt të bëheshin një
popull i vetëm. Ky – vëren Ati i Shenjtë - edhe sot, në epokën e globalizmit, është
misioni kryesor i Kishës. Mision - shton- që me kujdes të madh baritor i drejtohet
universit të larmishëm të emigrantëve, përfshirë edhe, e sidomos, ata që janë viktima
të skllavërive moderne. Duke paraqitur mesazhin e Papës, kardinali Renato Martino
nënvizoi përmasën globale të emigracionit:
“Klima mbylljes e bën akoma
më të trishtuar e më të hidhur jetën e shumë emigrantëve, duke i shtyrë të jetojnë
në kushte të parregullta. Por fenomeni i emigracionit në botën e globalizuar bëhet
gjithnjë më tepër i pandalshëm: prandaj problemi nuk zgjidhet duke mbyllur kufijtë.
Shtetet duhet t’i pranojnë flukset e emigrantëve, natyrisht sipas rregullave të drejtpeshuara
e solidare”.
Shën Pali – lexohet më tej në Mesazhin
e Papës - u dallua për zellin apostolik e për shpirtin luftarak. I rrëmbyer nga Krishti,
mbeti i bashkuar ngushtësisht me Të, e asnjë vështirësi nuk mundi ta pengonte në veprimtarinë
e tij të guximshme ungjillëzuese në qytetet kozmopolite, si Roma e Korinti. Kontakti
me këtë mozaik etnish e kulturash e nxiti Palin të propozonte modelin e një Kishe
të hapur për të gjithë, pa dallime kulture e race, me frymë të vërtetë solidariteti
vëllazëror. Edhe sot - nënvizon Ati i Shenjtë - mesazhi i shëlbimit duhet propozuar
ashtu si e pati propozuar Apostulli i Popujve, duke pasur mirë parasysh situatat e
ndryshme shoqërore e kulturore si dhe vështirësitë e posaçme të secilit emigrant.
Por në skenën e sotme botërore – siç theksoi në Konferencë kryeipeshkvi Agostino Marketo,
ka shumë gjëra që duhen parë me sy kritik:: “Të krijohet
përshtypja se prej vitesh emigrantët trajtohen pa marrë fare parasysh arsyet që i
shtyjnë të ikin. Kjo pasqyrohet edhe në përpjekjet për t’i penguar të hyjnë në vendet
ku janë nisur e në marrjen e masave, që kanë për qëllim t’ua bëjnë sa më të pamundur
jetën në ato vende. Për fat të keq, kjo sjellje e vendeve të veriut të Evropës, ka
pasoja shumë negative edhe mbi politikat ndaj refugjatëve në jug të botës".
Duke
folur për kulturën e mirëpritjes, kardinali Martino shpjegoi: “Duhet
lehtësuar integrimi gradual i emigrantëve, duke respektuar identitetin e tyre kulturor,
e edhe atë të popullsisë vendase. Nga kjo buron praktika bujare e mikpritjes, që është
bijë e parë e agapês”.
E ‘agape’ është dashuria vëllazërore
pa kurrfarë interesi, fryt i heqjes dorë nga çdo përfitim, që karakterizon dhurimin
e pastër ose shkëmbimin e pakushtëzuar të dhuratave, sepse edhe emigrantët më të varfër,
kanë gjithnjë diçka për të dhuruar: dashurinë. E në dashuri – shkruan Papa në përfundim
të mesazhit – përfshihet gjithë mesazhi ungjillor, e dishepujt e vërtetë të Krishtit
njihen pikërisht për dashurinë ndaj njëri –tjetrit e për mikpritjen e të gjithë
njerëzve.