2008-10-08 18:28:53

Benedikti XVI në audiencën e përgjithshme, kushtuar Shën Palit: “Jezusi jeton sot, me ne”.


(08.10.2008 RV)RealAudioMP3 “Për të krishterin, Jezusi nuk është personalitet i së kaluarës”: kështu u shpreh sot paradite Papa në audiencën e përgjithshme, mbajtur në Sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan, përplot me shtegtarë e turistë – rreth 25 mijë vetë – nga mbarë bota, që e ndoqën Atin e Shenjtë në një ditë të ëmbël e të ndritshme tetori romak.
Përsëri Shën Pali në qendër të katekizmit të Benediktit XVI, i cili sot foli për lidhjen e Apostullit të Popujve me Jezusin e Nazaretit, më mirë të themi me ‘Jezusin tokësor’, ose me “Jezusin historik”. Shën Pali dallon dy mënyra për ta njohur Jezusin, ose çdo njeri tjetër. Mënyra e parë është ajo thjeshtë njerëzore, siç shkruan ai vetë në Letrën e dytë drejtuar Korintianëve: “Kështu pra, qysh tani nuk njohim më askënd në mënyrë thjeshtë njerëzore, por edhe në se e kemi njohur Krishtin në mënyrë njerëzore, nuk e njohim më ashtu”.
Kur flet për mënyrë njerëzore, Pali ka parasysh njohjen sipas pamjes së jashtme, e cila gjithsesi nuk na siguron se e kemi njohur vërtetë tjetrin, sepse, siç theksoi Papa:

“Vetëm me zemër njihet vërtetë njeriu”.

 
E edhe sot kemi dy mënyra për ta njohur Jezusin - vijoi Benedikti XVI:

“Ka njerëz të ditur që e dinë me hollësi jetën e Krishtit e, megjithatë nuk e njohin; ashtu si ka njerëz të tjerë të thjeshtë të cilët, megjithëse që nuk i njohin fare këto hollësi, njohin vetë Jezusin”.

 
Në se Pali, para se ta takonte Krishtin e ngjallur në rrugën e Damaskut, e njihte Jezusin në mënyrë thjeshtë njerëzore, pas Damaskut nuk e gjykon më në të njëjtën mënyrë:

“Shën Pali nuk mendon për Jezusin duke e parë me syrin e historianit, si një personalitet të së kaluarës. Natyrisht e njeh traditën e madhe mbi jetën, fjalët, vdekjen e ngjalljen e Jezusit, por nuk i shikon këto si ngjarje që i përkasin së kaluarës; i propozon si realitet të Jezusit të gjallë. Për Palin, fjalët e veprat e Jezusit nuk kanë të bëjnë me kohë historike, me të kaluarën. Jezusi jeton tani e flet tani me ne, e jeton për ne e me ne”.

 
Në përshëndetjet përfundimtare, Papa u kërkoi posaçërisht besimtarëve të luten për sinodin e ipeshkvijve, që vijon në Vatikan, ta thonë çdo ditë gjatë tetorit Rruzaren e të ndjekin shembullin e meshtarit francez, Françesk Piancola, ‘predikatarit të urtë’, që u shpall i lum të shtunën e kaluar, duke i porositur:

“Të jeni edhe ju, si ai, shenja të ndritshme të pranisë së Krishtit, përmes besnikërisë plot bindje ndaj Kishës”.







All the contents on this site are copyrighted ©.