365 ditë: "Tereza e Krishtit Fëmijë, që shkoi në qiell, për të bërë mirë në tokë!".
(08.10.2008 RV)“Baba, baba! Pranxini shpëtoi! Shkruhet në gazetë: puthi kryqin
para se të vdiste! Oh, të falënderoj me gjithë zemër, o Zot!” Tereza nuk është
në vete nga gëzimi. Ka ditë që lutet e ia mblaton Zotit mundim e djersë për të shpëtuar
Pranxinin, një njeri të dënuar me vdekje. Jo për ta shpëtuar nga gijotina, për fat
të keq, sepse kjo nuk është e mundur, por nga vdekja larg Zotit; e kjo, po, është
e mundur. Tereza e beson plotësisht. Në se Pranxini zbulon se Zoti e do, edhe pse
është kriminel, mund të pendohet në çastin e fundit. Kështu vasha lutet papushin për
njeriun, të cilit do t’i pritet koka… Nuk e njeh, s’e ka parë kurrë, por megjithatë,
vijon të lutet… E ja që krimineli kërkon falje e Zoti e pret si bir. Për Terezën
kjo ngjarje është shenjë e marrëveshjes me qiellin. Tani gjithçka është e qartë: me
lutjet e saj mund t’i bëjë të lumtur të tjerët. Tereza ka një dashuri të zjarrtë për
Zotin e për të gjithë njerëzit. Prej kohe mendon të bëhet rregulltare. Në këtë ças,
më e vendosur se kurrë, kërkon lejë të hyjë në kuvend pa i mbushur ende të pesëmbëdhjetat.
Lë përgjithnjë familjen, me një ëndërr të krisur në kokë: ta ndryshojë botën me armët
e lutjes e të dashurisë. Ide e çuditshme, apo jo? Jeta në kuvend nuk është gjithnjë
e lehtë, por Terezës i mjafton një gjest i vogël, për ta dashur tjetrin. Dëshiron
të bëhet shenjte plotësisht, e jo përgjysëm. Por sa e vështirë është kjo për njeriun,
i cili nuk është kurrë i përkryer... Atëherë, për t’ju afruar sa më shumë Zotit, ajo
gjen ‘rrugën e saj’, një truk tepër të thjeshtë: t’i besojë Jezusit e të mos jetë
“shpirt i privilegjuar”, kampione olimpike e fesë, por një vajzë si gjithë të tjerat,
me të mirat e të këqijat e saj. E këtë nis ta shkruajë në Ditarin personal:
“Më
duhet ta pranoj veten kështu siç jam, me të gjitha të metat e mia, por dua të kërkoj
mënyrën për të shkuar në qiell nëpër një rrugë të vogël, krejt të re. Sa mirë do të
ishte po të shpikja një ashensor, që të ngre menjëherë lart, lart, te Jezusi, sepse
jam tepër e brishtë për t’i ngjitur një nga një këmbët e shkallës së përsosurisë…Ashensori,
që duhet të më lartojë deri tek Ti, janë krahët e tu, Jezus!”. Pavarësisht nga
vështirësitë e mëdha, që i krijon një sëmundje tepër e rëndë, e cila detyron të zërë
krevatin, Tereza ka besim të plotë në dashurinë e Zotit. Pas vdekjes së rregulltares,
më 30 shtator 1897, motrat zbulojnë Ditarin e saj. E habitshme! Asnjëra nuk e kishte
përfytyruar se mund të kishte shkruar kaq bukur për Zotin! Në vitin 1925 Tereza
u shpall shenjte. Më 1997 Gjon Pali II e deklaroi ‘Dijetare e Kishës’, për idenë
mahnitëse që pati… atë të ashensorit!