2008-10-07 16:58:01

Dita e tretë e punimeve në Sinodin e Ipeshkvijve në Vatikan iu kushtua përhapjes së Biblës në botë.


(07.10.2008 RV)RealAudioMP3 Dita e tretë e punimeve në Sinodin e Ipeshkvijve, me temë “Fjala e Zotit në jetën e në misionin e Kishës”. Paradite në Asamblenë XII të përgjithshme të zakonshme, u votua për zgjedhjen e anëtarëve të Komisionit për Mesazhin. Më pas filloi diskutimi i përgjithshëm. Në pushimet gjatë seancave, Benedikti XVI priti anëtarët e Shoqatave të Bashkuara Biblike (United Bible Societes), sekretari i përgjithshëm i të cilave, i nderuari Miler Miloi, është i pranishëm në Sinod si i dërguar i posaçëm.
Shoqatat e Bashkuara Biblike i sollën Papës një dhuratë të çmuar: një variant shumëgjuhësh të Biblës. E, me dëshirën e Benediktit XVI, shpjegoi sekreatri i përgjithshëm i Sinodit, imzot Nikola Eteroviç, një kopje e vëllimit do t’u dhurohet të gjithë pjesëmarrësve në asamble, duke përfshirë edhe specialistët e dëgjuesit.
Paraditja e sotme ishte tejet e pasur me reflektime, ndërmjet të cilave kujtojmë atë të kardinalit Angjelo Sodano, dekan i Kolegjit Kardinalor, që nënvizoi se prania e një numri të madh kardinajsh në Sinod, flet për bashkim e bashkëpunim ndërmjet dy organizmave, të thirrura për të ndihmuar Kryebariun e Kishës Universale.
Në shumicën e diskutimeve u theksua se është e nevojshme të gjenden mundësi e mjete të reja për përhapjen dhe vlerësimin e Shkrimit Shenjt. U propozua që të krijohet një Drejtori e përgjithshme për homelitë, në mënyrë që predikimi të frymëzohet sa nga përvoja universale e Kishës, pa errësuar aspekte e veçanta të Kishave vendase.
Kardinali Peter Erdë, kryetar i Këshillit të Konferencave Episkopale të Evropës, tërhoqi vëmendjen mbi rreziqet e krijuara nga botimet me karakter më shumë sensacional, sesa shkencor, si Ungjilli apokrif i Judës. Këto shkrime – theksoi kardinali – çojnë në ngatërrimin e burimeve të besueshme e jo të besueshme mbi historinë e Jezu Krishtit.
U fol edhe për doktrinën e sekteve, e cila bazohet mbi interpretimin fondamentalist të Shkrimit Shenjt.

Ndërsa pasditja e djeshme filloi me një risi tjetër të Sinodit: me referatet mbi jetën dhe veprimtarinë e Kishës në pesë kontinentet. Filli i kuq, që lidhi referatet, ishte sfida e ungjillëzimit, përballë një bote që ndryshon me shpejtësi. Duke kujtuar fjalimin e Papës në Paris, drejtuar, një muaj më parë, botës së kulturës, u theksua se Evropa është e thirrur ta shikojë krishterimin si çelës të leximit, për të kuptuar vetveten. U kujtuan edhe persekutimet kundër të krishterëve në Azi, posaçërisht në Indi.







All the contents on this site are copyrighted ©.