(06.10.2008 RV)Bruno lindi në Këln
rreth viteve 1030-1035. Ndoqi shkollën e Katedrales së Reimsit, që i përgatiste të
rinjtë për rrugën kishtare. Në vitin 1056 u caktua profesor i filozofisë dhe i teologjisë,
duke fituar nderimin e simpatinë e nxënësve të tij. Ndërmjet tyre ishte edhe Odoni
i Lagerisë, papa i ardhshëm Urbani II. Në vitin 1075 u emërua kancelar i kryeipeshkvit
simoniak të Reimsit, Manase. Me që ishte njeri i drejtë, shumë shpejt ndërmjet tij
e ipeshkvit lindën konflikte, që përfunduan vetëm më 1080, kur Gregori VII urdhëroi
të zgjidhej një ipeshkëv i ri për Reimsin. I pakënaqur nga bota, në vitin 1082
nisi jetën vetmitare pranë Molesmes, ndërsa dy vjet më pas, së bashku me gjashtë shokë,
u vendos në dioqezën e Grenobles, ku u mirëprit nga ipeshkvi Ugo dhe nga abati Seguino
i Sheî-zë- Dië. Me ndihmën e ipeshkvit ndërtoi, në trojet malore të Shartrëzë, shtatë
baraka, ku murgjërit jetonin në heshtje, në lutje e në punë. Vetmia e plotë ndërpritej
vetëm kur mblidheshin së bashku për të thënë një pjesë të Ofices ose për të marrë
pjesë në Meshën shenjte në ditët festive. Së bashku me shokët e tij, shenjti iu kushtua
punës së dorës e, posaçërisht, veprimtarisë së kopjimit të dorëshkrimeve. Lindi kështu
Urdhëri Çertozin. Në vitin 1088 Urbani II e thirri në Romë si këshilltar, por
me që aty gjeti një mjedis të korruptuar, në vitin 1092, pasi siguroi njohjen dhe
autonominë për kuvendin e themeluar pranë Grenobles, vendosi të largohej në La Torre,
në mes pyjeve kalabreze. Realizoi përsëri idealin e tij murgar duke kërkuar Zotin
në heshtje e në vetmi, në gjurmët e etërve të shkretëtirës. Ndërtoi rishtas një eremitazh
sipas stilit të atij të Shartrëzës e edhe këtu rreth tij u mblodhën shumë shokë. Vdiq
në Serra Shën Bruno më 6 tetor 1101, i rrethuar nga një famë e madhe shenjtërie. Papa
Leoni X, në vitin 1514, miratoi kultin e tij; Gregori XV më 1622 e radhiti ndërmjet
shenjtorëve të Shkurtores e në Mesharin Romak, ndërsa një vit më parë, Papa Benedikti
XVI, duke bashkëkremtuar Meshën shenjte me anëtarët e Komisionit Teologjik Ndërkombëtar
në Kapelën e Nënës së Shëlbuesit në Vatikan, e kujtoi kështu Shën Brunon, 905 vjet
pas vdekjes: “Misioni i Shën Brunos, i shenjtit që u festua sot, duket qartë në lutjen,
që na shpjegon se misioni i tij ishte: heshtje e kundrim. Por heshtja e kundrimi kanë
një qëllim, shërbejnë për të ruajtur, në përhumbjen e jetës së përditshme, bashkimin
e përhershëm me Zotin. Ky është qëllimi: që në shpirtin tonë bashkimi me Zotin të
jetë gjithnjë i pranishëm e të na shndërrojë plotësisht”.