2008-10-06 17:47:09

Referatet e para të Sinodit.


(06.10.2008 RV)Menjëherë pas fjalimit të Atit të Shenjtë, punimet e Sinodit vijuan me përshëndetjen e njërit nga Kryetarët delegatë, kardinalit Jozef Levada; me fjalimin e hapjes së takimit sinodal, mbajtur nga imzot Nikola Eteroviç, Sekretar i përgjithshëm i takimit dhe me fjalimin e referuesit të përgjithshëm, kardinalit Mark Uelè.

“Fjala e Hyjit është shpirti i teologjisë dhe frymëzuese e të gjithë pervojës së krishterë” – këtë theksoi në përshëndetjen e tij kardinali Levada, i cili më pas kujtoi se, si Papa, ashtu edhe ipeshkvijtë, duhet të vihen në shërbim të popullit të Zotit, duke i mësuar besimtarët t’i përdorin si duhet Librat e Shenjtë. E kjo, sepse vetëm kush ka familjaritet me Zotin, mund të bëhet kumtues i tij”.

Më teknik e analitik, referati i Imzot Nikola Etereroviç i cili, pasi u ndalua tek disa risi të këtij Sinodi, theksoi se ky takim duhet të ndihmojë për ta rizbuluar Fjalën e Zotit në aspektin e saj kristologjik e pneumatologjik, duke i dhënë një shtytje të re përtëritjes së Kishës.

Ndërsa kardinali Uele, në referatin e tij ante disceptationem, shprehu mendimin se Sinodi duhet t’i bëjë ballë sfidës së transmetimit të fesë në Fjalën e Hyjit. Sot – vijoi kardinali, në botën pluraliste, që karakterizohet nga relativizmi e ezoterizmi, duhet sqaruar përsëri vetë nocioni i Zbulesës. E kjo kërkon nga predikatarët homeli të përgatitura, që i plotësojnë kërkesat e besimtarëve, në se nuk duam që të ikin nga ne për të hyrë në grupe të tjera fetare.







All the contents on this site are copyrighted ©.