2008-10-06 17:45:17

Benedikti XVI në hapje të Sinodit: është Fjala e Zotit ‘shkëmbi’ mbi të cilin duhet ta bazojmë jetën tonë.


(06.10.2008 RV)RealAudioMP3 Vetëm Fjala e Hyjit i jep jetës njerëzore atë ‘qëndrueshmëri’, që nuk mund të gjendet në asnjë fushë tjetër të jetës: duke nisur nga karriera, tek paraja, gjë që po e dëshmon edhe kriza financiare botërore. Kështu u shpreh sot Papa, duke nisur meditimin e parë, frymëzuar nga Psalmi 118, me të cilin hapi punimet e Kongregacionit të parë të përgjithshëm të Sinodit mbi Fjalën e Hyjit, në Vatikan.
Të jesh realist, për besimtarin do të thotë të përmbysë kuptimin që i jepet zakonisht kësaj fjale: t’i mbështesë themelet e jetës mbi Fjalën e Hyjit, e cila është e fortë, prej sigurisë që vjen nga Shpirit Shenjt, e qëndrueshme si e më shumë se qielli - ose të zgjedhësh siguritë shekullare, të paracaktuara, heret a vonë, të thërmohen si rëra nën themelet e shtëpisë, për të cilën na flet Jezusi në predikimin e tij të njohur mbi Mal. Duke folur për shkëmbin e mësimeve të Biblës e për karakterin krejt të paqëndrueshëm të mësimeve të shekullit, për ta shpjeguar kuptimin e këtyre simboleve, Papa vuri ballpërballë dy skena të kronikës ndërkombëtare:

“Mbi rërë ndërton kush ndërton mbi sendet e dukshme e të prekshme, mbi suksesin, karrierën, paratë. Në dukje këto janë realitete të vërteta, por ne tani, në shembjen e bankave të mëdha, po shikojmë se këto para zhduken, se s’janë gjë prej gjëje; ashtu siç janë realitete të rendit të dytë, të gjitha ato që duken si realitete të vërteta, të cilave u besojmë. Kush e ndërton jetën e vet mbi këtë realitet – mbi materien, mbi suksesin e mbi gjithçka që ka të bëjë me dukjen – ndërton mbi rërë”.
 
Ndërsa Fjala e Zotit, pohoi Papa, është:

“Realiteti i vërtetë, mbi të cilin duhet ta bazojmë jetën. Të kujtojmë Fjalën e Jezusit: ‘Qielli e toka do të kalojnë, por Fjala ime nuk do të kalojë kurrë’. Fjala e folur nga njeriu, fjala e thënë nga ne, është asgjë, një fill fryme, që sapo thuhet, zhduket, si të mos ishte. Por fjala njerëzore ka edhe forcë të pabesueshme: në fund të fundit janë fjalët që krijojnë historinë. E Fjala e Zotit është themeli i të gjitha fjalëve, i të gjitha gjërave, është realiteti i vërtetë”.

 
Duhet ta ndryshojmë konceptin tonë për realizmin – nguli këmbë Papa. Për të qenë realistë – tha në vijim – duhet ta llogarisim mirë këtë realitet, të ndryshojmë idenë, sipas së cilës materia e sendet që preken, përfaqësojë realitetin më të qëndrueshëm e më të sigurtë:

“Realist është kush pranon se Fjala e Hyjit është baza e të gjitha sendeve. Realist është ai, që e ndërton jetën mbi këtë bazë, e cila i bën ballë kohëve”.
 
Më pas duke komentuar disa versete të tjera të Psalmit, Papa foli edhe për rrezikun që e kërcënon njeriun i cili, duke qenë i kufizuar, nuk arrin dot të gjejë, mes miliarda fjalëve njerëzore, ‘Fjalën’ e Zotit:

“Ky është një rrezik i madh, para të cilit ndodhemi edhe ne kur lexojmë Shkrimin Shenjt; kur mendojmë se është histori e së kaluarës e nuk arrijmë të zbulojmë të sotmen në të kaluarën; nuk hyjmë në lëvizjen e brendshme të Fjalës, që në fjalët njerëzore fsheh e hap kuptimin e Fjalëve hyjnore: prandaj duhet të jemi gjithnjë në kërkim të Fjalës. E prandaj edhe ekzegjeza, leximi i vërtetë i Shkrimit Shenjt, nuk është në asnjë mënyrë fenomen letrar, lexim teksti, por është lëvizje drejt Fjalës së Hyjit”.
 
Ajo është si një shkallë, për t’u ngjitur nga fjalët njerëzore, në Fjalën e Hyjit, e për të zbritur, pastaj, në thellësinë e saj. E edhe Historia e shëlbimit – vërejti Ati i Shenjtë - nuk është një ngjarje e vogël, që ndodh në një planet të varfër, në pafundësinë e Universit. Nuk është një realitet i vogël, në një planet të humbur, por është shtytje e të gjitha sendeve e të gjitha u krijuan, që të realizohet historia e takimit të Hyjit me krijesën e Tij. Kisha, me apostullimin e saj, punon papushim që ky takim të realizohet në të gjitha kohët. E prandaj, përfundoi Papa:

“Kumtimi i Ungjillit e misioni, nuk janë një lloj kolonializmi kishtar, në kuptimin se bëhen përpjekje për të shtuar të tjerë në grupin tonë. S’është kjo! Është të dalësh nga kufijtë e kulturave të veçanta, për të hyrë në universalitetin, që i lidh të gjithë, që i bashkon të gjithë, që i bën të gjithë vëllezër (…). T’i lutemi Zotit të na ndihmojë të hyjmë vërtetë në pafundësinë e Fjalës së Tij e kështu t’i hapim njerëzimit një horizont universal”.
 
Siç pohoi Benedikti XVI, për të krishterët ekziston gjithnjë rreziku i paaftësisë për ta kuptuar, mes zhurmave e fjalëve të botës, tingullin e Fjalës së Hyjit. Për mundësitë që kemi të shpëtojmë nga ky kurth, na flet, në mikrofonin tonë, kardinali Albert Vanhoi:

 
Përgjigje: - Fjala e Zotit është themelore, e megjithatë njeriu nganjëherë nuk është i lidhur aq sa duhet me Të. Të krishterët duhet të kenë lidhje personale me Shkrimin Shenjt, të meditojnë çdo ditë, së paku për dhjetë minuta, një fragment nga Shkrimi Shenjt, duke u përpjekur të kuptojnë ç’na porosit për jetën tonë. Nga ana tjetër, ka shumë rëndësi që edhe predikatarët të jenë njohës të mirë të Biblës e t’u prijnë të krishterëve në përpjekjen për njohjen më të gjallë e më të plotë të Shkrimit Shenjt.







All the contents on this site are copyrighted ©.