365 ditë: "Roza Hothon, që e luftoi kancerin me bamirësi".
(06.10.2008 RV)E bija e shkrimtarit të madh Nataniel Hothon, Roza, ishte e
kulturuar, e bukur, e pajisur me cilësi të rralla, e megjithatë, tejet e trishtuar.
Në moshën 41 vjeçe, kur sapo i ka vdekur djali i vetëm, i sëmurë nga kanceri, detyrohet
të pranojë edhe se martesa e saj ka dështuar plotësisht. Në raste të tilla zemra e
shumkujt bëhet gur. Por jo zemra e Rozës. Pikërisht në këtë çast, kur jeta ia mbyll
të gjitha portat, ajo vendos t’ia hapë portën e saj njerëzve më fatzez, posaçërisht
të sëmurëve nga kanceri. Në fund të shekullit XIX spitalet nuk janë në gjendje ta
mjekojnë këtë sëmundje e, me që nuk kanë asnjë shpresë për t’i shëruar njerëzit e
prekur prej saj, i nisin në shtëpi. Madje, me që mendohet se kanceri është ngjitës,
shumë të sëmurë mbyllen në një ishull pranë Nju Jorkut e lihen atje derisa vdesin.
Gjendja e tyre është vërtetë e tmerrshme. Pasi kaloi tre muaj në spitalin e Nju
Jorkut, Roza vendosi të marrë një apartament me qira në zonën më të varfër të qytetit,
në Lagjen Lindore, për të mjekuar të sëmurët nga kanceri që banonin atje. Kancerozët
vrapuan me shumicë në shtëpinë e saj. Roza i pranonte të gjithë. E ata kalonin pranë
saj gjithë kohën që u mbetej për të jetuar. Roza bënte çmos që kjo kohë të ishte sa
më e qetë. Me që numri i të sëmurëve vijonte të shtohej çdo ditë, ajo nisi ta kuptojë
se nuk ishte e lehtë të drejtohej një spital falas. Vuri lajmërime në gazetat, duke
kërkuar njerëz të gatshëm për ta ndihmuar. Në lagjen e mjerë, ku jetonte Roza, arriti
ndihmësja e parë: ishte Alisë Huber, studente në institutin e arteve të bukura. Kur
hyri për herë të parë në apartamentin e shndërruar në spital, me dyshekë të shtruar
në të katër anët, zuri hundët nga era e keqe. Por shumë shpejt braktisi studimet universitare
e nisi të punojë përkrah Rozës. Dy vjet pas arritjes së Alisës, në vitin 1899,
dy mikeshat vendosën të veshin petkun e rregulltares: u bënë murgesha. Roza mori emrin
Motër Meri Alfonsa e hartoi shpejt e shpejt disa rregulla të thjeshta, por themelore,
për kongregatën që nisi të themelohej, në atë vend mjerimi: motrat nuk duhet të shprehnin
kurrë neveri gjatë mjekimit të të sëmurëve, mjekim që duhet ta bënin plotësisht falas…
Pas vdekjes së Rozës, më 1926, me Alisën u bashkuan edhe motra të tjera. Bashkësia
domenikane, që themeluan së bashku Roza e Alisa e që u quajt ‘Kongregata e Shën Rozës’,
vijon edhe sot misionin e saj me një moto e tejet të thjeshtë: “Ne jemi për Zotin
e për të varfërit!”.