2008-10-05 16:35:21

Sinodi dhe Fjala e Zotit: editorial i atë Lombardit.


(05.10.2008 RV)RealAudioMP3 Në reflektimin e fundjavës, drejtori ynë i përgjithshëm, atë Federiko Lombardi, vë në qendër të vëmendjes ngjarjen tepër të rëndësishme të Kishës universale, Sinodin e ipeshkvjve, që filloi sot e do të vijojë deri më 26 tetor:

“Detyrat e mëdha të bashkësisë kishtare në botën bashkëkohore – ndërmjet tjerash nënvizoj ungjillëzimin dhe ekumenizmin – përqendrohen mbi Fjalën e Zotit e njëkohësisht përligjen e mbështeten prej saj”. Kështu e sintetizoi Benediktit XVI kuptimin e Asamblesë së Sinodit të Ipeshkvijve, që mbahet në Vatikan gjatë muajit tetor.
Pasi u thellua, në Asamblenë e mbajtur tri vjet më parë, tema e Eukaristisë, tani thellohet burimi tjetër jetik i Kishës: Fjala e Zotit. Koncili e bëri këtë në një nga dokumentet më të bukura e më të rëndësishme por, pas dyzet vjetësh, ndjehet nevoja të flitet rishtas për të.
Mbi të gjitha, sepse çdo i krishterë, por edhe çdo bashkësi, duhet t’ia vërë vazhdimisht veshin Fjalës së Zotit, pikë e vërtetë mbështetjeje për udhën e tij e për kthimin e tij të përditshëm. E mbetet akoma shumë për të bërë për të përhapur familjaritetin me Shkrimin Shenjt, përdorimin e tij nga populli i krishterë, leximin dhe meditimin e tij të vazhdueshëm, zakonin për t’u lutur, duke u nisur nga Shkrimi Shenjt.
E kjo, edhe pse Shkrimi Shenjt është baza e çdo kumti të krishterë edhe në botën moderne e në dialogun me kulturat e saj. Në mënyrë të posaçme Papa kujtonte se dialogu ekumenik nuk mund të bazohet mbi ‘mjete strategjike’, por mbi kumtimin e mbi kthimin e përbashkët, në dritën e Fjalës së Zotit, e se edhe dialogu me popullin hebre ka në qendër të vëmendjes leximin hebraik të Biblës.Ndoshta në mjetet shekullare të komunikimit jo të gjithë do ta kuptojnë këtë, por mbarë Kisha – rreth Sinodit – përgatitet të jetojë një çast tepër të thellë reflektimi e lutjeje: jemi në zemër të identitetit të saj, në burimin e gjallërisë së saj, nën veprimin e Shpirtit të Hyjit.







All the contents on this site are copyrighted ©.