2008-10-05 16:54:27

Shenjtorët e Javës sipas Kalendarit kishtar


(05.10.2008 RV)RealAudioMP3 Sot Kisha katolike kremtoi të dielën XXVII të Kohës së zakonshme gjatë vitit kishtar. U përkujtuan edhe Shenjtorët Plaçidi e Mauri, dishepuj të Shën Benediktit.

Të hënën do të përkujtohet Shën Bruno nga Kalabria, meshtar, themelues i Çertozinëve.

Të marten është festa e Zojës Rruzare. Do të përkujtohen edhe shenjtorët Sergji e Baku, martirë, shumë të nderuar nga populli shqiptar, që u kushtoi një nga kishat më të lashta. Kisha ndodhet vetëm 40 minuta larg qytetit të Shkodrës, pranë fshatit Shirq, ku lumi Drin bashkohet me Bunën. Muret e saj kanë nisur të ngrihen në shekullin VI për nderim ndaj dy martirëve, emrat e të cilëve në shqip morën trajtat Shën Shirqi e Shën Bahti.

Të mërkurën do të përkujtohen Shenjtoret Benedikta dhe Pelageja, virgjër e martire.

Në liturgjinë e së enjtes, kremtimi i Shën Dionisit, ipeshkëv e shokëve të tij martirë; i Shën Gjon Leonardit, meshtar, themelues i Klerikëve Rregulltarë të Nënës së Zotit dhe i Shën Abrahamit, patriark.

Të premten, festa e Shën Paolinit, ipeshkëv i Jorkut dhe e Shën Danielit, Samuelit e shokëve të tyre, martirët e parë françeskanë.

Të shtunën Kisha na propozon shembullin e Shën Filipit diakon, të Shën Aleksandër Saulit, ipeshkëv i Pavisë dhe të Lumit Gjoni XXIII, papë.

E diela e ardhshme do të jetë e XXVIII e kohës së zakonshme gjatë vitit kishtar.







All the contents on this site are copyrighted ©.