2008-10-04 18:06:15

Legjenda e lumturisë (tregim françeskan)


(04.09.2008 RV)Rrëfejnë se një ditë të bukur pranvere, Shën Françesku ngjitej nga Porciunkola, qëndër e tubimit me vëllezërit e tij, për t'u lutur në kishën e Shën Damianit, ku ndjeu për herë të parë thirrjen që t'i vinte shpatullat Kishës së Krishtit, në rrezik për t'u shembur. Me këmbët zbathur në sandalet e thjeshta thurur prej dy rripash, me zhgunin prej thesi e litarin e vrashtë në përmjet, ai ndjehej njeriu më i lumtur në botë. E pra nuk kishte asgjë mbas shpirtit e s'kishte vënë ushqim as pije në gojë që kur kishte zbardhur agimi. Nuk kishte kurrfarë sigurie për ditën që shkrepte me rreze ari mbi majat e maleve të Umbries. E megjthatë i dukej vetja njeriu më i pasur i botës. I tiji ishte ai qiell i kaltër, që ndehej si pëlhurë mbretërore mbi qilimin e butë, të blertë të barit. Ishin të tijat arat e pafundme, lulet e pranverës, ujtë e akullt, që gurronte prej burimeve, kodrat e ullishtat, ku gjunjëzohej shpesh për t'u lutur, e tija bota e madhe, nëpër të cilën, ashtu veshur me thes - mund të shtegtonte kur e ku të donte. Në zemër kishte paqen; në shpirt - Krishtin, të cilit mundohej t'i përngjiste sa më shumë. Shkonte e lutej pa zë, me gjithë zemër: "O Zoti im, Jezu Krisht, të lutem të më bësh dy ndere, përpara se të vijë e të marrë përdore motra vdekje. Nderi i parë që po të lypi është që në trupin e në shpirtin tim, sa të jem gjallë, të provoj, për sa mundet një krijesë njerëzore, ato dhëmbje që ti, o Zoti im, provove në orët trishtuara të mundimeve tua. Së dyti - bëj që në zemrën time të ndjej, përsa është e mundur, atë hov dashurie me të cilin ti, Bir i Zotit, u ndeze aq, sa të mbartje me ëndje gjithë ato mundime për të na shpëtuar ne, mëkatarët"
Lutej kështu, ndërsa pranë e pranë tij ecte njëri nga shokët e parë: Fra Leoni i cili, i mërzitur nga heshtja e zgjatur, ia ndërpreu lutjen e i tha: - Atë Françesk, gjithë bota s'bën tjetër, veçse të grindet. Vetëm ne s'grindemi kurrë. A ta provojmë njëherë ç'është kjo grindja, nga se shkaktohet, nga vjen e nga shkon? Kështu do ta kuptojmë më mirë ç'mund të bëjmë për t'i shpëtuar njerëzit nga ky ves, që po na thonë se u rrezikon korp e shpirt.
I shkëputur brutalisht nga urata, Shën Françesku e pa me çudi sivëllaun e vet. Mandej, si heshti pak, i tha: - E si është kjo grindja? Si mund ta fillojmë grindjen, ne që jemi vëllezër e nuk kemi shndërruar kurrë asnjë fjalë të keqe.
Kollaj fare - ia pat tjetri - ja, e shikon atë tullë aty, ndonjë metër para nesh? Kur t'i kalojmë pranë, unë do të them: - Kjo tullë është imja, sepsè e kam lënë vetë aty, për ta marrë më vonë! Ti menjëherë do të më përgjigjesh: "Jo, tulla ëshë imja, isha unë që e pashë i pari!”. E kështu, jo imja, jo jotja, do të vijojmë grindjen, duke shpresuar të mos përfundojmë në grushte a në vrasje. Se kështu bëjnë të gjithë. Në themel të grindjes është gjithnjë tulla. Tani ne po themi tullë, po mund të jenë para, shtëpi, vreshta. … Pastaj fillon dialogu imja - jotja e në vijim nxiren thika e shpata e rrjedh gjak i kuq njeriu, që lag vreshta, shtëpi, ara, tulla, të cilat mbeten shkret, mollë sherri, të gatshme për fillimin e grindjes së re, për derdhjen e gjakut të ri.
- Shenjti, që e fillonte ditën me urimin "Paqe e të mira", që s'kishte as shtëpi, as vreshta, as ara e as një tullë të shkretë u çudit e u mrekullua. Siiii - tha- kështu po filloka e po mbaroka grindja ndërmjet njerëzve?? - Kështu, kështu - shpejtoi Fra Leoni, - po ta lëmë mënjanë këtë e t'ia fillojmë sherrit për tullën. Më duket një lojë tepër e çuditshme!
E ndërsa bisedonin kështu, rrethuar nga të dyja anët prej blerimit të harlisur të fushave të Umbries, arritën atje ku dergjej tulla e pafajshme e cila, në duart e njerëzve, mund të shndërrohej sakaq në një mjet krimi.
Tha fra Leoni: - E shikon atë tullë? Është imja. E lashë dje aty, për ta marrë sot! Ruaju se guxon të ma cikësh me dorë. Tha kështu dhe e në sy iu ndez një dritë e keqe. Ia nguli kërcënueshëm sytë Shenjtit dhe priti. Ai, duke iu përgjigjur shikimit të ndezur me sytë e tij butë, të ëmbël e të pasherr, ia ktheu aty për aty, pa u turbulluar fare, ndërsa tjetri dihaste si i prishur menç: imja, imja, imja… - Merre, vëlla, merre! Mos i jep kaq zor vetes, se po të zihet fryma. Mua nuk më interson fare tulla. Qoftë jotja!
Thua të ishte kjo "Jotja" -çelsi magjik që i jep fund të gjitha sherreve? Ndërsa "Imja" çelës që hap gjithë portat e luftërave e të krimeve?
Fra Leoni mbeti me gojë hapur. Loja ishte prishur. Tulla, imja, jotja nuk kishin pikë rëndësie për atë, që kishte fituar paqen e lirinë, duke hequr dorë nga gjitha të mirat e kësaj bote. Ishte, pra, kjo udha, për të qenë i lirë, i lumtur, në paqe?
Në udhëkryqet e botës edhe sot ka shumë tulla e shumë njerëz që njohim si fjalën më të rëndësishmen: "Imja", fjalë që u dashka zevendësuar shpejt e shpejt me "Jotja". Ndoshta shi kjo është e fshehta e lumturisë së vërtetë, që mund t'i shtyjë njerëzit të shkëmbejnë agimeve, në sa vijojnë shtegtimin në këtë tokë, në vend të imja-jotja, përshëndetjen françeskane-simbol: "Paqe e të mira"? Po ec e zevendësoje fjalën "imja" me " e jotja" se!

 Shkruar nga T.D.







All the contents on this site are copyrighted ©.