2008-10-04 18:03:52

Imzot Gjovani Bulaitis dekorohet me Urdhërin “Nënë Tereza”.


(04.10.2009Presidenti i Republikës së Shqipërisë, zoti Bamir Topi, dekoron Imzot Giovani Bulaitis, ish-Nunc Apostolik në Shqipëri, me Urdhërin ‘Nënë Tereza’, me motivacion:

“Për kontributin shumë të rëndësishëm në zgjërimin dhe konsolidimin e marrëdhënieve ndërmjet Shqipërisë e Selisë së Shenjtë”.

 
Dekreti, që mban datën 19. 05. 2008, iu dorëzua sot Imzot Bulaitis, në selinë e tij romake, nga ambasadori i Republikës së Shqipërisë pranë Selisë së Shenjtë, zoti Rrok Logu. Diplomati shqiptar, duke folur në emër të Presidencës, e falënderoi Prelatin për kontributin e tij të çmuar dhjetëvjeçar në thellimin e marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Shqipërisë e Selisë Apostolike. Në vijim theksoi se imzot Bulaitis e kreu detyrën e tij diplomatike në një periudhë të veçantë, që çoi në konsolidimin e marrëdhënieve diplomatike ndërmjet dy palëve, me njohjen juridike të Kishës katolike nga ana e Shtetit shqiptar. Duke falënderuar Shtetin shqiptar, diplomati i Vatikanit theksoi se Urdhëri i lartë është më shumë shprehje e nderimit për Selinë Apostolike, sesa për atë personalisht. Në ceremoninë e dorëzimit të Urdhërit të lartë, ishin të pranishëm edhe prelatët shqiptarë, imzot Zef Gashi, kryeipeshkëv i Tivarit dhe imzot Lucian Avgustini, ipeshkëv i Sapës si dhe disa autoritete të tjera diplomatike-kishtare.
Kujtojmë se pak kohë më parë në detyrën e Nuncit Apostolik, në vend të imzot Bulaitis, që doli në pension, Papa Benedikti XVI emëroi Kryeipeshkvin spanjoll, imzot Ramiro Moliner Inglés, titullar i Sardës, ish-Nunc Apostolik në Etiopi e në Gjibuti dhe delegat apostolik në Somali.








All the contents on this site are copyrighted ©.