2008-10-04 18:38:48

365 ditë: "Punishtet e don Lui Buazar"


(04.10.2008 RV)Punishtet e don Buazar kanë një sukses të jashtëzakonshëm. Jemi në vitin 1895 e ato ekzistojnë prej më se trembëdhjetë vjetësh. Akademia e Lionit, anëtarë të së cilës janë disa studiues të famshëm, sapo i ka dekoruar këto laboratore, duke i vlerësuar lart për dobinë që i sjellin shoqërisë.
Aty punojnë këpucarë, zdrukthëtarë, mekanikë, elektricistë…. Përfshijnë të gjitha sektoret, nga më tradicionalet, tek më modernet. Prodhimet, që dalin nga punishtet e don Buazar, kanë një karakteristikë të përbashkët: cilësi të shkëlqyer.
Por, mbi të gjitha, ata ‘prodhojnë’ të rinj të shkathët e të aftë për punë. Në se don Buazar pati idenë t’i krijojë këto punishte në Lion, këtë sigurisht nuk e bëri për të fituar para, duke shitur mallra cilësore. Para së gjithash, deshi t’ u jepte të rinjve atë formim, pa të cilin nuk mund të bënin hapin e parë serioz në jetë. Që fëmijë don Buazar ishte gjeni i vogël. Studimet e mesme i kreu kur ishte vetëm trembëdhjetë vjeç, për të nisur, më pas, fakultetin e inxhinierisë. I jati ishte i lum, nga që mendonte se i biri së shpejti do t’ia zinte vendin në fabrikën e tij. Por gjeninë e vogël e priste një fat krejt tjetër: në moshën njëzet e katër vjeçe, ai e kuptoi se rruga e tij ishte ajo e meshtarisë. Ia dha këtë lajm të jatit me shumë delikatesë. Më 1877 u shugurua meshtar. Por nuk e dinte akoma ç’do të bënte si prift e u desh të kalonin disa vjet, për të menduar një plan, në të cilin do të shkrinte të gjitha energjitë e veta. Me ndihmën e me këshillat e njerëzve të tjerë të Kishës, që e dinin sa i zgjuar e sa bujar ishte, themeloi punishtet e famshme. E bëri këtë, pasi e kuptoi se të rinjtë që punonin në fabrikat e zakonshme, lodheshin shumë e kështu nuk kishin kohë për ta mësuar zejen ashtu si duhej.
Tek don Buazar punëtorët mësonin njëkohësisht shumë gjëra: merrnin kulturë të përgjithshme, si në shkollë, pastaj njohuri teknike për zejen e tyre e njohuri morale e fetare, për t’u bërë të krishterë të mirë.
Në vitin 1895 don Buazar shikon me kënaqësi suksesin e idesë së tij. Vlerësimi nga ana e Akademisë së Lionit e mbush me gëzim. I tregon se këpucët, çelësat, mobiljet e mjetet e tjera, që dalin nga punishtet e themeluara prej tij, vlerësohen plotësisht nga e gjithë bota. Por kryesorja është tjetër gjë. Don Buazar është i kënaqur se nga punishtet e tij dalin punëtorë të aftë e plot besim në jetën.







All the contents on this site are copyrighted ©.