2008-10-03 18:14:50

Programmi shqip i Radio Vatikanit mbushi 57 vjet.


(03.10.2008 RV)RealAudioMP3 Kjo sigël, që vijon të dëgjohet sa herë hapet stacioni i Radio Vatikanit, na kujton së pari shërbimin që u bëri emitentia jonë katolikëve të izoluar pas perdes së hekurt, që nuk kishin asnjë mundësi të komunikonin me Selinë Apostolike e me Kishën universale në periudhën e gjatë të diktaturës komuniste.

Ndërsa kjo që po dëgjoni tani, është sigla e parë e programit të gjuhës shqipe pranë Radio Vatikanit, që nisi të transmetonte në kushtet e diktaturës e për të njëjtin shërbim, më 3 tetor të vitit 1951, 57 vjet më parë. Kështu programi nisi nën tingujt e këngës ‘O Moj Shqypni, e mjera Shqypni!”. Përshkoi një rrugë të gjatë, priti e përcolli njerëz të thjeshtë dhe personalitete fetare e laike, që folën para mikrofonit tonë, për t’i transmetuar popullit shqiptar mesazhin e paqes e të dashurisë së krishterë.
Pastaj kohët ndryshuan e ndryshoi edhe sigla!

 
E edhe puna jonë për t’i transmetuar popullit shqiptar Lajmin e mirë e mësimet e Papës së Romës, u modernizua. Kur programi mbushi 55 vjet jete – një ndryshim i ri, hapja e faqes sonë të internetit me adresë: dubël vë, dubël vë, dubël vë.radiovaticana.org. Në skajin e djathtë të faqes lexohej titulli: “55-vjetori i themelimit të programit shqip pranë Radio Vatikanit”.
Këtë të re na e solli viti 2006, ndërsa më 10 nëntor 2005, në Radion e Papës ishte për vizitë kryeministri i Republikës së Shqipërisë, zoti Sali Berisha, i shoqëruar nga një grup politikanësh. Sillnin me vete Udhërin e Artë ‘Nënë Tereza’, nderimi më i lartë që jep qeveria shqiptare. Iu dorëzua Radio Vatikanit për meritat e mëdha në kohët e vështira të diktaturës, kur ishte një nga zërat e pakta që transmetonin të vërtetën e ngjallnin shpresat për të ardhmen.
Duke marrë në dorëzim Urdhërin e lartë, drejtori ynë i përgjithshëm, Atë Federiko Lombardi, përvijoi edhe programin tonë për të ardhmen:
“Se noi riceviamo…
Në se ne marrim një titull nderi për meritat e së kaluarës, duhet theksuar se e konsiderojmë si impenjim edhe për punën tonë në të ardhmen”.
Po viti 2008? Ç’të re na solli?
E reja më e gëzueshme e vitit në vijim, në plan kombëtar, që ne e ndoqëm hap pas hapi, me shqetësim e me gëzim, është padyshim pavarësia e Kosovës.
Ndërsa në jetën e Kishës universale, të cilën e ndjekim hap pas hapi, Viti 2008 nuk është i zakonshëm: i kushtohet 2000-vjetorit të Lindjes së Shën Palit, Apostullit të Popujve, i cili e çoi Ungjillin në gjirin e popullsive që banonin në trojet e lashta ilire e që prandaj njihet si Ungjillëzues i popullit shqiptar.
Vitet kalojnë njëri pas tjetrit, e programi ynë vijon misionin e tij kryesor: përhap në mbarë botën fjalën e Atit të Shenjtë.
E “Laudetur Jesus Christus”, përshëndetja me të cilën hapen e mbyllen gjithnjë transmetimet e Radio Vatikanit, nuk është thjeshtë një lloj motoje apo sigle, por program pune e jete për secilin nga ne.
Radio Vatikani, me 43 gjuhët e veta, ndërmjet të cilave edhe gjuha shqipe, është mjet teknik i fuqishëm për përhapjen e mesazhit të Kishës në botë, posaçërisht në vendet ku liria fetare kufizohet e ku përdorimi i teknologjisë moderne është akoma mirazh.
"Laudetur Jesus Christos!”. 







All the contents on this site are copyrighted ©.