2008-10-02 17:16:36

Ta kërkojmë me besim ndihmën dhe mbrojtjen e Engjëjve të Rojës.


(02.10.2008 RV)RealAudioMP3 Të hënën e kaluar, duke përshëndetur banorët e Kastel Gandolfos, Papa e kujtoi festën e sotme me këto fjalë:
“Të dashur vëllezër e motra, ta kërkojmë me besim ndihmën dhe mbrojtjen e Engjëjve të Rojës, festën e të cilëve do ta kremtojmë më 2 tetor. Prania e padukshme e këtyre shpirtrave të lum, na ndihmon e na ngushëllon fort: ata ecin përkrah nesh e na mbrojnë në çdo rrethanë, na ruajnë nga rreziqet e mund t’u kërkojmë ndihmë në çdo çast.
Shumë shenjtorë – vijoi Papa - kishin me Engjëjt marrëdhënie të vërteta miqësie e të shumta janë episodet, që flasin për ndihmën e tyre në raste të veçanta:
“Engjëjt dërgohen nga Zoti për t’i shërbyer atyre, që do ta trashëgojnë shëlbimin, siç na e kujton Letra drejtuar Hebrenjve (1,14), e na japin ndihmën e tyre në shtegtimin tokësor drejt Atdheut qiellor”.
Engjët e Rojës , pra, janë figura qiellore të pranishme në universin fetar e kulturor të Biblës, si dhe në shumë besime të lashta. Paraqiten gjithnjë si qenie me krahë, simbol i forcës ndërmjetësuese të Zotit tek njeriu. Fjala ëngjëll vjen nga greqishtja e lashtë "anghelos - lajmëtar". Nuk është, prandaj, aspak e rastit që në gjuhën biblike termi ëngjëll tregon një person të dërguar për të kryer një mision. Me këtë kuptim kjo fjalë përdoret 175 herë në Besëlidhjen e Re e 300 herë në Besëlidhjen e Vjetër, ku flitet edhe për funksionin e ushtrisë qiellore, të ndarë në nëntë shkallë hjerarkike: Kerubinët, Serafinët, Fronet, Sundimet, Autoritetet, Virtytet qiellore, Principatat, Kryeengjëjt, Engjëjt.
Sot figurat e ëngjëjve vijojnë të kujtohen në predikimet liturgjike, madje pëdoren shpesh si simbole edhe nga mjetet e komunikimit.Gjithsesi çdo i krishterë e di se ka një engjëll rojës, i cili e shoqëron në çdo hap e të cilit i lutet çdo mëngjes ta shndrisë, ta ruajë, ta mbrojë, ta sundojë.







All the contents on this site are copyrighted ©.