2008-10-02 17:19:07

Rubrika 365 ditë: "Karl Marcial Lavizherì i ndihmon katolikët të shikojnë drejt së ardhmes".


(02.10.2008 RV)RealAudioMP3 Është data 12 nëntor 1890 e kardinali Lavizherì fton për drekë disa oficerë, në kalim e sipër nëpër qytetin e Algjerit, ku ai udhëheq Kishën. Në këtë kohë Algjeria i përket Francës, e prandaj kardinali kryeipeshkëv, është francez.
Ndonëse këta oficerë kanë poste të larta në ushtrinë franceze, i kënaq pa masë ftesa e kardinalit.
“Jam i lumtur që do ta takoj Lavizherinë!”.
“Po, është nder i madh të jesh i ftuar në sofrën e tij”.
Kështu shprehen oficerët, e me të drejtë: kardinali është njeri shumë i njohur. Një vit më parë përshkoi mbarë Evropën, për t’u kujtuar të krishterëve se në disa vende të Afrikës ekzistonte ende skllavëria. S’la gur pa luajtur, derisa qeveritë evropiane vendosën t’i japin fund një herë e mirë kësaj tragjedie. Lavizherì njihet edhe si themelues i Urdhërit të Etërve të Bardhë. Thirret kështu për shkak të ngjyrës së zhgunave që mbajnë rregulltarët, të cilët ia kushtojnë jetën përhapjes së Ungjillit në Afrikë. Ja pse oficerët krenohen që janë ftuar në sofrën e tij, sepse ia njohin mirë veprimtarinë e autoritetin. E kur kardinali ngrihet në këmbë e bëhet gati të ngrejë dollinë e parë, në dhomë bie një heshtje varri. Ç’do të thotë? Secili pret me padurim fjalën e burrit të madh. Por ja që ai nis të thotë çka asnjëri nga të ftuarit nuk e priste. Me ca fjalë tejet të zgjedhura, shpreh dëshirën që katolikët francezë të pranojnë më në fund republikën. Në këtë epokë shumë katolikëve nuk u pëlqen fare qeveria franceze në fuqi e ëndërrojnë rikthimin e monarkisë. Janë mbyllur në të kaluarën e s’kanë sy për të parë të ardhmen. Lavizherì u kujton se është koha për të jetuar në të tashmen. Me që shumica e popullit francez deshi republikën, katolikët duhet ta pranojnë këtë sistem, përndryshe do të mbeten jashtë politikës e Franca do të vijojë të jetë e përçarë. Lavizherì u kujton të ftuarve se nuk po flet në emër të vet, por të Papës Leoni XIII, që e dëshiron këtë bashkim.
Dollia i lë pa gojë oficerët. Janë pothuajse të gjithë monarkistë e ky soj fjalimi i revolton. Lavizherì ka kaluar çdo cak: e ç’i duhet të ngatërrohet me punë që s’i përkasin?!Të nesërmen të gjitha gazetat franceze botojnë fjalimin e kardinalit e katolikët mbeten krejtësisht të shkandulluar. Do të kalonte shumë kohë, para se të arrinin ta pinin me fund kupën, që çoi kardinali në dollinë e Algjerit. Vonë e herë e pranuan Republikën, e edhe më vonë u kujtuan se kardinali do të mbetej në histori si zëri që u ngrit me forcë për t’i ndihmuar katolikët të shikonin drejt së ardhmes.







All the contents on this site are copyrighted ©.