2008-10-02 17:20:11

Përse duhet riparë historia e letërsisë shqipe- flet Drejtori i Qendrës së Studimeve Albanologjike të Tiranës,Ardian Marashi


(01.10.2008)nga ATSH-ja-.Në syrin e studiuesve, periudha gati 18 vjeçare pas përmbysjes së regjimit komunist është relativisht e vonë për të hartuar historinë e letërsisë shqipe, e cila për gati 40 vjet qëndroi e paralizuar krejtësisht nga diktatura. Kësisoj, sipas studiuesve, sot nuk ekziston një histori e mirëfilltë e letërsisë.
Drejtori i Qendrës së Studimeve Albanologjike, Ardian Marashi, flet në një intervistë për ATSH-në për domosdoshmërinë e rishikimit dhe hartimit të historisë së letërsisë shqipe.
Epoka e realizmit socialist, e cilësuar si 'epoka më e pasur letrare', nuk kishte vend për ata autorë, të cilët me shkrimet e tyre nuk përçonin ideologjinë komuniste. Në tekset letrare dhe akademike u vendosën vetëm ata autorë që përçonin një tekst të caktuar të regjimit ose përcillnin në poezi fjalët e një mitingu të caktuar, shkrime në gazeta dhe fjalime programatike të udhëheqësve. Ndaj jo më kot historia e letërsisë shqipe aktuale konsiderohet si letërsia e tunelit, e burgut, e mërgimit. Në një kohë kur autorët me pasuri dhe vlera kulturore si Mid'hat Frashëri, Martin Camaj dhe Zef Zorba dhe plot autorë të tjerë, ndoshta dhe më të rinj, mbetën të pabotuar, të shtrëmbëruar, të harruar.
Po të vëmë re, thotë studiuesi Marashi, letërsia nuk mbetet e diferencuar nga shoqëria shqiptare gjatë periudhës së realizmit socialist. "Presioni për lirinë e shprehjes u zhvendos dhe në sferën kulturore, qoftë kjo letrare. Pra atë pengesë që kishte individi për të shfaqur mendimet e tij, atë pengesë hasi dhe shkrimtari për të publikuar veprat e veta", thotë ai, ndërsa shton se pavarësisht se një shkrimtar mund të kishte vdekur, ai në veprat e tij gjykohej se kishte pasur gabim që nuk e kishte njohur partinë para se ajo të lindë dhe ishin shprehur gabim kundër saj.
"Ajo që është më specifike është se të gjitha këto spastrime dhe këto ndëshkime u bënë dhe më pas u ligjëruan", nënvizoi z. Marashi.
A lind nevoja të hartohet një histori e letërsisë shqipe?
Tashmë ka kohë që pritet një histori e re e letërsisë shqipe, pasi vëllimi i vetëm i kësaj historie, i vetmi botim që vazhdon të ekzistojë, është një libër që çmësonte më tepër se sa mësonte. Pra relativisht autorë, të cilët ishin të trajtuar në të si Naim Frashëri, Çajupi, etj, ne i njihnim tashmë dhe materialet e autorëve të tjerë të trajtuar ishin dizinformuese, për të mos thënë që shumë prej tyre nuk ekzistonin. Problemin mund ta konsiderojmë si madhor pasi gjithë studiuesit janë shtangur përpara nevojës për të realizuar një Histori të Letërsisë Shqipe dhe për të plotësuar boshllëqet e mëdha. Ka pasur dhe tentativa për të bërë një gjë të tillë nga autorë, ku mund të përmendim Sabri Hamitin, i cili në disa vëllime ka nxjerrë një cikël studimesh që shërbejnë si model për të hartuar një histori të letërsisë shqipe.
Cilat janë periudhat të cilat duhen trajtuar si bërthama e këtij problemi?
-Në fakt ajo që mund të konsiderohet si baza e rishikimit janë kapitujt, në të cilët historia e letërsisë së vjetër ka ofruar shumë pak material për të mos thënë fare. Këtu bëhet fjalë për periudhën pas pavarësisë (1912) dhe për të vazhduar deri në ditët tona. Në këtë hark kohor vendoset dhe letërsia moderne, e cila aktualisht është e patrajtuar dhe përmban pjesën më të madhe të lexuesve.
Sipas mendimit tuaj, kush janë shkrimtarët që përbëjnë histori të letërsisë?
Nisur nga një mendim jo përjashtues, çdo shkrimtar mund të jetë pjesë e letërsisë shqipe, meqënëse çdo autor në mënyrën e vet kontribuon në këtë drejtim. Pastaj, se kush do jenë shkrimtarët të denjë për të qëndruar brënda kornizës së kësaj historie, kjo mbetet një çështje sa subjektive aq dhe objektive dhe besoj se do të realizohet në mënyrën sa më dinjitoze. Këtu do jenë të përfshirë dhe autorë të cilët shkruajnë letërsi shqipe dhe në viset shqipfolëse si Kosovë, Maqedoni, Mal i Zi dhe trojet arbëreshe.
Cilën do të evidentonit si periudhën ku është ndërprerë ecuria normale letrare?
Vitet 1948, koha e pastrimeve ideologjike të bibliotekave të shtetit apo atyre personale. Biblioteka të tëra u dogjën dhe autorë të tërë u përjashtuan nga letërsia kombëtare. Nga një pasuri kulturore, shumë shpejt dolëm në një varfëri të skajshme në leteraturë, që mund ta konsiderojmë si diçka krejtësisht të pakonceptueshme. Ky spastrim i bibliotekave dhe pasurisë tonë kombëtare krijoi atë boshllëkun e madh, shtangien për një periudhë të gjatë të procesit letrar në Shqipëri. Përjashtojmë shkrimtarë si Mitrush Kuteli, i cili vazhdoi të shkruajë dhe gjatë viteve 1940-1945, përgjatë një periudhe 15 vjeçare, periudhë e errët pa asnjë prodhimtari letrare. Ndërsa në vitin 1992 lindën shtëpitë botuese private, të cilat botuan vepra të rëndësishme të kulturës letrare. Gjithsesi, janë mjaft studime që duhen kryer, janë shumë vepra autorëve të ndaluar që duhen botuar dhe shumë materiale të humbura, të cilat duhen plotësuar. Një hap i parë është bërë, por përsëri hendeku studimor ka mjaft për të plotësuar.
Nga kush do të jetë i përbërë grupi i specialistëve, të cilët do punojnë për realizimin e këtyre teksteve?
Normalisht në këtë grup pune të koordinuar nga Instituti i Gjuhësisë dhe Letërsisë do bëjnë pjesë kolegët e afirmuar si studiues dhe kërkues shkencor të letërsisë, akademikë të fakulteteve brenda ose jashtë vendit nga Kosova, Maqedonia, nga katedrat e Albanologjisë në Napoli dhe Kozenca.
Në cilën periudhë duhet të përqëndrohen më tepër studiuesit dhe specialistët?
Boshllëqet më të mëdha evidentohen në shekullin e XX-të. Prandaj në momentin kur do bëhet një rivlerësim i historisë së letërsisë, pikësëpari duhen parë autorët e ndaluar për të cilët nuk kemi informacion të plotë, sidomos ata veriorë, të cilët pas zhdukjes së fesë dhe objekteve fetare dolën jashtë bibliotekave. Rikthimi i tyre nuk duhet të jetë fizik që do të thotë vetëm duke vendosur një libër në bibliotekë, por, pas kaq vitesh shkëputje studimore, duhet parë si vinë këta autorë në shek XXI. Ky është një proces i dyfishtë dhe kërkon një punë voluminoze nga ana e studiuesve, sepse duhet bërë një rivendosje dhe rivlerësim i autorëve të epokës së kaluar dhe sa produktive janë vlerat e tyre në një epokë moderne. Epoka e realizmit socialist u cilësua si "epoka më e pasur letrare", ku në tekstet letrare dhe akademike u vendosën ata që përçonin një tekst të caktuar të regjimit ose përcillnin në poezi fjalët e një mitingu të caktuar, shkrime në gazeta dhe fjalime propagandistike të udhëheqësve.
Duke ndjekur këtë logjikë, për mendimin tim në këtë histori përjashtohen automatikisht shumë shkrimtarë, të cilët e vendosin veten në historinë e letërsisë shqipe. Këta autorë që i kanë qëndruar kësaj vije e bëjnë më të lehtë punën e studiuesit. Do bëhet një rishqyrtim i terrenit në bazë të vlerave të qëndrueshme. Anri Bala

HISTORIA E RE E LETËRSISË, DËSHPËRUESE PËR AUTORËT QË KANË QENË ROJE TË PIRAMIDËS -Drejtori i Qendrës së Studimeve Albanologjike flet në një intervistë për ATSH-në-
01.10.2208. nga /ATSH-ja -Anri Bala/- Drejtori i Qendrës së Studimeve Albanologjike në vijim të intervistës së tij për ATSH-në nënvizon se kurrë nuk është vonë për të edukuar një shije estetike.

Me historinë aktuale të letërsisë së Shqipërisë janë edukuar shumë breza, mendoni se është paksa vonë për të bërë një hap të tillë?
Personalisht mendoj se kurrë nuk është vonë për të edukuar një shije estetike. Edukimi i saj ka filluar me programet e reja në letërsi dhe gjuhë shqipe. Tezat e paraqitura duhet të ofrojnë koncepte bashkëkohore dhe të mbështeten në kriteret e konfirmuara të studimit letrar aktual, edhe nëqoftëse kjo realizohet pas 4-5 vjetësh ose diçka më tepër. Relativisht është vonë se do ishte mirë sikur e gjithë kjo të kishte ndodhur në 1991 pas rrëzimit të barrierave.

Në çfarë raporti është vendosur Shqipëria me trojet shqipfolëse?

Ndërlidhja midis hapësirave kulturore shqiptare të ndara politikisht nuk është shumë organike. Personalisht e shoh pak të vështirë të ndërhyjmë menjëherë në hartimin e letërsisë së gjuhës shqipe për faktorë që përmendëm më sipër. Terreni është relativisht i studiuar, por që nuk njihet shumë mirë. Për të mos thënë se në Shqipëri nuk njihet mirë letërsia e vërtetë përfaqësuese në trojet shqipfolëse.

Po shkrimtarët e brezit të ri të pas viteve 90-të a duhen konsideruar si pjesë e historisë së letërsisë shqipe?

Për mendimin tim frika e studiuesit bën që të largohen nga kjo letërsi shkrimtarë që janë të gjallë ose jo, këtu nuk bëhet fjalë vetëm për ata që kanë konfirmuar një vepër mbi 20 volume, por dhe për shkrimtarë më të rinj. Problem do të ishte nëqoftëse përjashtojmë shkrimtarët produktivë, të cilët janë pranuar si vlera në hapësirën mbarë shqiptare, dhe sot emrat ose veprat e tyre gjenden në të gjithë hapësirën ku organizohen panaire ndërkombëtare të librit. Këta autorë janë përfaqësues të epokës moderne me letërsi të gjallë, duke bërë një lidhje të natyrshme të periudhës së këputur të ecurisë normale të historisë së Shqipërisë dhe kjo orienton letërsinë drejt zhvillimeve të reja. Kritikat letrare dhe studiuesit i kanë shumë borxh zhvillimeve aktuale të letërsisë shqipe, sepse duke qënë të detyruar të merren me ripohimin, rikonfirmojnë dhe rivlerësojnë vlerat e letërsisë së traditës të periudhave të kaluara, të cilat kanë qënë të ndaluara. Njëkohësisht historinë e letërsisë shqipe aktuale mund ta quajmë fare mirë letërsinë e tunelit, e burgut, mërgimit. Në një kohë kur autorët me pasuri dhe vlera kulturore si Martin Camaj dhe Zef Zorba dhe plot autorë të tjerë ndoshta dhe më të rinj mbeten të pabotuar.

Mendoni se ky hap do ngjallte kundërshtime nga një pjesë e mirë e shkrimtarëve?

Në fakt kam bindje se studiues të veçantë nuk kanë filluar të shkruajnë për një letërsi shqipe, për vet faktin se janë trembur dhe nga reagimet që do të sjellë ky proces. Reagimi i parë është ai i përfaqësimit kur bëhet fjalë për epokën e realizmit socialist. Do të jetë dëshpëruese për autorë të ndryshëm, të cilët janë mësuar të qëndrojnë në majë të piramidës, nëse dikush nuk i përmend më sepse ata kanë qënë vetëm roje të kësaj piramide. Ndofta dhe për ndonjë lexues që në botëkuptimin e tij vazhdon ta dojë atë koncept letrar dhe atë mënyrë shkrimi. Nuk duhet të harrojmë se për gati 40 vjet të paraqesësh të njëjtën formë shkrimesh propagandistike, masa ambientohet dhe do ju duket e vështirë largimi ndaj "idealeve të partisë". Këto nuk janë probleme që duhet ta shqetësojnë një hartues të kësaj letërsie. Ajo që duhet t'i vendos përpara përgjegjësisë janë objektivat dhe përcaktimi i kritereve vlerësuese.

Çfarë qëndrimi ka mbajtur Qëndra e Studimeve Albanologjike dhe a ka reflektuar mbi këtë problem?

Qendra e Studimeve Albanologjike ka pak kohë që është krijuar dhe një nga nismat tona të para ka qënë angazhimi për të servirur një vepër përmbledhëse përsa i takon historisë së letërsisë shqipe. Momentalisht ndodhemi në një lloj vështirësie specifike të letërsisë sepse këtu nuk bëhet fjalë për të plotësuar një autor që mungon, por janë disa breza shkrimtarësh që nuk njihen pothuajse fare.
Këto hulumtime duhen kompletuar me studime arkivore, studime direkte të veprës dhe me vepra që s'janë të botuara, të cilat do ndihmojnë për të dalë në një konkluzion. Kjo është relativisht një punë e vështirë dhe voluminoze dhe e pamundur për t'u trajtuar individualisht. Detyrimisht kërkohet një grup specialistësh që nuk do të jenë vetëm nga Instituti i Letërsisë dhe Gjuhësisë.

Si do t'i klasifikonit qëndrimet e lexuesit të sotëm?

 
Lexuesi i sotëm ka 3 qëndrime, një është pasiv, ku ai merr gjithçka që i jepet dhe është gati të bluajë dhe gjërat e reja që jepen. Në grupin e dytë mund të vendosim lexues të traditës, të cilët janë mësuar me një cikël veprash ose autorësh, duke kërkuar në një farë mënyre të mos dalë jashtë kufijve të tij të vetpërcaktuara. Grupi i tretë dhe i fundit pret të rivlerësojë shumë vepra e autorë, pasi ka konstatuar se ka shumë mangësi dhe boshllëqe. Mendoj se po presin me padurim që të mbivendosen materiale të reja, me një sy më kritik sepse këtij grupi nuk është e lehtë t'i servirësh gjithçka.







All the contents on this site are copyrighted ©.