2008-10-01 18:48:20

Shën Tereza e Krishtit Fëmijë: nga “Historia e një shpirti”


(01.10.2008 RV)Shën Tereza e Krishtit Fëmijë është “Një shpirt i madh që zgjodhi rrugën e të vegjëlve për ta dashur e për ta ndjekur Jezusin”.
Po e kujtojmë sot me disa fragmente të veprës së saj e me disa nga tiparet që jo vetëm e çuan në nderimet e elterit, por edhe në lartësinë e titullit “Doktore e Kishës”.
“Pas mërgimit të Tokës, shpresoj të gëzohem me Ty në Atdhe: por nuk dua të grumbulloj merita për qiellin; dua vetëm të shkrihem nga dashuria për Ty... Në muzg të kësaj jete, do të dal para Teje me duar bosh; sepse nuk dua, o Zot, të llogarisësh veprat e mia. Jo të gjitha drejtësitë tona janë pa njolla para syve të tu. Dua, prandaj, të vishem me drejtësinë Tënde e nga dashuria Jote të të zotëroj Ty vetë, në amshim”. Me këto fjalë Shën Tereza e Krishtit Fëmijë ia falë gjithë vetveten dashurisë përdëllyese, duke shfaqur përvujtërinë e saj pa cak e edhe vetëdijen se gjithçka është realizuar në jetën e saj, s’është tjetër, veçse fryt i hirit.
Pati vënë në qëndër të gjithë jetës së vet dashurinë, kjo Shenjte e vogël - e madhe, e cila në Jetëshkrimin e saj e ndër dorëshkrimet, na zbulon një urti të pashoqe, sa të meritojë të citohet gjashtë herë në Katekizmin e Kishës Katolike, aq sa Etërit e Kishës.
Duket si kuriozitet por, si e shqyrtuam me vemendje Treguesin e Katekizmit të Kishës katolike, realizuar me kujdesin më të madh, në pjesën kushtuar Shkrimtarëve kishtarë, jo pa habi, vërejtëm se ndërmjet 65 etërve të ndritur e dijetarë të Kishës, mendimi i Shenjtes së Vogël lexohet gjashtë herë, një herë më tepër sesa mendimi i Shën Terezës së Avilës, gjithashtu dijetare e Kishës, për thellësinë e doktrinës, shprehur jo vetëm në “Rrugën e përsosurisë”, por edhe në shumë vepra të tjera asketike e mistike.
Tereza e vogël e Lisi, që në moshë të njomë, depërton në misterin e dashurisë së Hyut e e lë veten të mbështillet krejtësisht nga drita e Tij, duke mbetur e mahnitur e e rrëmbyer.

Kisha ka një zemër

 
Në sa ndriçohej nga Zoti, ajo kuptoi se Kisha është Korp Mistik, që ka gjymtyrë të ndryshme e, natyrisht, edhe zemër: “Kuptova – shkruan – se Kisha kishte një zemër, një zemër që digjej nga dashuria. Kuptova se vetëm dashuria i vinte në veprim të gjitha gjymtyrët e Kishës e se, po të ishte shuar kjo dashuri, Apostujt nuk do të kishin mundur ta kumtonin Ungjillin, martirët nuk do ta kishin derdhur më gjakun... Kuptova se dashuria i përfshin në vetevte të gjitha thirrjet; se dashuria është gjithçka, se shtrihet në të gjitha kohët, në të gjithë vendet... me një fjalë, se dashuria është e amshuar.
Këto pohime nuk janë fryt i një ekzaltimi të çastit, i një rrëmbimi mistik, por fryt i lutjes së saj të thellë, të vazhdueshme e i leximit të përhershëm të Ungjillit. “Gjatë lutjeve të mia – shkruan - ndalohem posaçërisht tek Ungjilli; në të gjej gjithçka është e nevojshme për shpirtin tim të shkretë. Në të zbuloj gjithmonë drita të reja, ndjenja të fshehta e misterioze.
Në Ungjill shenjtja takohet me Krishtin e gjallë; duke dëgjuar fjalët e Tij e duke i bluar, si Virgjëra Mari, në zemër të vet, merr një dritë shkëlqimtare që ia ndriçon gjithë rrugën e saj të shenjtërisë.

Nuk po vdes, po hyj në jetë

 
Kur ndjeu se po afrohej ora e takimit me Jezusin, shenjtja që provoi vuajtjet më të thekta të korpit, gjen fjalë ngushëllimi për simotrat që i rrijnë te kryet, duke i qetësuar me fjalët:”Nuk po vdes, por po hyj në jetë!”.
Dëshira e saj e zjarrtë është gjithnjë e njëjtë. “Dua të shoh Zotin, por për ta parë, duhet të vdes!”. Siguria se do të jetojë përgjithnjë në Dashurinë e Krishtit e
shtyn të thotë: Kam për ta kaluar kohën në qiell duke bërë mirë në tokë!”.
Forca e Terezinës së Krishtit Fëmijë është lutja. Në sa lutet i duket sikur rrëmbehet drejt Të lartit; flet me Zotin, si ta kishte ballpërballë; ndjen ngushëllimin dhe gëzimin e bisedimit me Të e shpirti i mbushet përplot me shpresë e gazmend.
Jeta ime – shkruan në jetëshkrimin e saj – është përplot mirëbesim e dashuri; nuk e kuptoj kush mund të ketë frikë nga një mik kaq i ëmbël, si Krishti!.
Nganjëherë, kur lexoj disa shkrime shpirtërore në të cilat theksohet se përsosuria arrihet pasi të kesh kaluar mijëra vështirësi, si të jesh rrethuar nga mijëra iluzione, shpirti im i vogël, i varfër ndjen menjëherë kapitje. Mbylli librin e ditur që ma turbullon kokën e ma than zemrën, e marr në dorë Shkrimin Shenjt. Atëherë gjithçka më duket e larë me dritë...
Përballë ndërlilikimeve asketike, ajo zgjedh rrugën e thjeshtë e të varfër të shenjtërisë, që ka si tipare krysore: të pranosh se nuk vlen asgjë, ta lëshosh veten, si fëmija, në krahët e Zotit të mirë.

Rruga e thjeshtë

 
Kjo është rruga e thjeshtë e shenjtërisë që ndoqi ajo e që në fund të fundit, është e vetmja që të çon drejtpëdrejtë në takimin me Zotin.
Në “Historia e një shpirti” gjejmë të fshehtën e shenjtërisë e jo më pak rrugën e thjeshtë që mund ta përshkojmë të gjithë, duke u bërë zemra e Kishës, madje duke zënë vendin e zemrës në Korpin mistik të Krishtit.
Ndonëse e mbyllur në kuvendin e saj, e vetëm për pak vjet, ajo është një misionare aq e madhe, sa të shpallet bashkëpajtore e misioneve, gjë që tregon se apostullimi mund të bëhet edhe duke ndenjur e mbyllur në karmel.
Terezina shkruan: “Kam thirrjen e apostullit! Dëshriroj të përshkoj mbarë tokën, të predikoj emrin Tënd, ta mbjell mbi trojet e pabesa Kryqin tënd të lumnueshëm... dëshiroj ta kumtoj Ungjillin njëkohësisht në të pesë anët e botës e deri ndër ishujt më të largët; dëshiroj të jem misionare jo vetëm për pak kohë, por që nga krijimi i botës e deri në fund të shekujve...
Por ka edhe më: Ajo dëshiron të derdhë edhe gjakun për Ungjillin. Shkruan: “Do të desha, o Zoti im, Shëlbuesi im i dashur, të derdhja gjakun tim për ty, deri në pikën e fundit”. E e derdhi vërtetë, duke vaditur Kishën me zellin e saj misionar, që kishte zjarrin e Shën Palit e hovin mistik të Shën Gjonit.

Vendi i fundit

 
Ndonëse jeton në bashkim të ngushtë me Zotin-Dashuri, Shën Terezina, siç thirret zakonisht, për ta dalluar nga Shën Tereza e Madhe, vëren se vendi i saj është i fundmi.









All the contents on this site are copyrighted ©.