2008-10-01 18:48:16

Revista zëmadhe e françeskanëve shqiptarë ‘Hylli i Dritës’, mbush 95 vjet


(01.10.2008 RV)Shfletojmë kalendarin, për të përkujtuar 95 vjetorin e daljes së numrit të parë të revistës së njohur të françeskanëve shqiptarë "Hylli i Dritës" - pasqyrë e lavdishme, por jo më pak tragjike, e historisë së Kombit tonë, për lirinë e të cilit u përpoqën autorët e saj françeskanë, duke shkruar sa me bojë, aq me gjak..
Numri i parë i revistës u botua më 1 tetor 1913, për t'u ndëprerë menjëherë, sepse doli haptas në mbrojtje të lirisë e të drejtave kombëtare, seriozisht të kërcënuara një vit pas shpallje së pavarësisë e para fillimit të Luftës I Botërore.

"E tuj kenë se me të hîm t' ushtrive ndërkombëtare në Shkodër mbaroi nata e errshme e robnisë e për Shqipëtarë filloi me ague e bardha dritë e Lirisë, e kemi quejtë ketë të Përkohëshme tonë: "Hylli i Dritës", përsè âsht tue lé nepër ag të qytetnisë së Shqipënisë. E porsi Hylli i Dritës me fërfllim t'ambël të vetin ngjall shpënesët e shueme në zemër të shtegtarit, errun ndër shkretí të mjerueme, (ashtu) na do të përkujdesena, qi edhe e Përkohëshmja jonë të mrrijë me ngjall shpënesën ndër zemra të Shqipëtarëvet se prej Hyut ditë mâ të mira kanë me iu reshë Shqipënisë" (H.D. I. 1913, 4-8). (Pater Gjergji).

Revista rifilloi të botohej në maj të vitit 1921, për të heshtuar rishtas nga nëntori i 1944-tës deri në nëntor të 1993-shit. Nga 1993 u duk përsëri nën drejtimin e njërit nga fretërit e paktë që kishin shpëtuar gjallë nga persekutimi: Atë Zef Pllumit. Shumë shpejt u ngrit po në atë rang të lartë që kishte pasur dikur ajo e revista Leka e etërve jezuitë. Por po aq shpejt iu desht edhe të mbyllej sërisht. Numri i saj i fundit u botua më 1997: pati, pra, katër vjet jete e, pas një ndërprerje të re, rifilloi përsëri në vitin 2006.







All the contents on this site are copyrighted ©.