Dom Prenkë Ndrevashaj në përvjetorin e katërt të vdekjes.
(01.10.2008 RV)Dom Prenkë Ndrevashaj, i lindur në Brashtë të Shoshit, në Dukagjin,
më 24 qershor 1928, në familjen e njohur për trimëri e urti të Sokol Ndrevashajt,
i mbylli sytë përgjithmonë nga një infarkt në zemër, në sa kishte shkuar për vizitë
prej Amerike, ku jetonte, në Shkodër, më 1 tetor 2004. Nxënës i Kolegjit të famshëm
Saverian të Etërve Jezuitë, ai u nis heret për rrugën meshtarake, në sa njihej si
një nga seminaristët më mprehtë, më të kulturuar e më premtues të shkollës. Arriti
të merrte dëftesën e pjekurisë, kur portat e Kolegjit po mbylleshin, për t’u rihapur
pas një kohe tepër të gjatë. Në vend të studimeve të larta, nisi rrugën e Kalvarit.
Në fillim shërbeu si mësues në Dajç, më pas në Burrel e në Mat, vende që të kujtojnë
burgje e kampe përqëndrimi; pastaj, duke dëshiruar me gjithë zemër të bëhej prift,
u vendos në Tiranë, ku studioi filozofinë e teologjnë nën drejtimin e Atë Pjetër Meshkallës,
asokohe në Kryeqytet. Këtu u burgos e, në sa transferohej me pranga në duar për në
burgun e Shkodrës, ia doli mbanesh të ikte e më pas, së bashku me nënën e motrën,
rregulltare servite, të kapërcente kufirin e Shqipërisë e të hynte në Jugosllavi. Më
1961, pasi pati shërbyer si mësues në Gusi, arriti të regjistrohej në Universitetin
Urbanian të Romës dhe të realizonte dëshirën më të madhe të jetës: më 20 dhjetor 1961
çoi Meshën e parë. Prej këndej nisi misionin e kapelanit për shqiptarët e arratisur
në Itali e më vonë në Amerikë. U vendos në Detroit-Miçigan, ku krijoi famullinë e
parë të shqiptarëve dhe ndërtoi kishën “Zoja-Pajtore e Shqiptarëve”, në të cilën shërbeu
deri në moshën e pensionit. Më 1991, kur iu hapën rishtas portat e Atdheut, nisi
të shtegtonte shpesh drejt Shqipërisë, gjithnjë i ngarkuar me ndihma. Ishte në Shqipëri,
e pikërisht në Shkodër më 1 tetor 2004, kur zemra e tij fisnike pushoi së rrahuri. Dom
Prenka, poet e përkthyes shumë i talentuar, bashkëpunoi me revistën ‘Shêjzat’ të Ernest
Koliqit, ku botoi disa poezi që shquhen për fjalorin e tyre tepër të pasur, karakteristik
për të folmen e Dukagjinit. La trashëgim disa dorëshkrime të vyera, ndërmjet të cilave,
edhe përkthimin, në dialektin gegë, të Mesharit të të dielave e të disa fragmenteve
të Psalmeve. U salikua më 3 tetor dhe u varros në Kapelën e Rrëmajit, duke realizuar
një ëndërr tjetër të dashur: pushimin në paqe në tokën amtare.