2008-09-30 15:58:22

Me 30 shtator kalendari kishtar perkujton Shën Jeronimin, meshtar e doktor i Kishës


(30.9.2008 RV)RealAudioMP3 Shën Jeronimit, At i Kishës, që përktheu në latinisht Biblën, ka lindur në Dalmaci në vitin 347 e vdekur në Betlehem në vitin 420. Ishte vërtetë njeri i dashuruar me Fjalën e Zotit. Në festën e tij edhe ne jemi të ftuar të ecim në gjurmët e shën Jeronimit e ta lexojnë Biblën, duke rikujtuar fjalët e tij “Të mos njohësh Shkrimin Shenjt, do të thotë të mos njohësh Krishtin”.
“Bibla, është mjeti me të cilin Hyji u flet çdo ditë besimtarëve” (Ep. 133, 13), bëhet kështu nxitje e burim i jetës së krishterë në çdo situatë e për çdo njeri. Të lexosh Shkrimin Shenjt do të thotë të flasësh me Hyjin: “Në se lutesh – i shkruan Shën Jeronimi një vashe fisnike romake – ti flet me Dhëndrrin; në se lexon, është ai që të flet”. (Ep. 22, 25). Studimi e meditimi i Shkrimit Shenjt e bëjnë njeriun të urtë e paqësor. (cfr In Eph., prol).
Po sikur na porosit Benedikti XVI lypen dy kriteret themelore që duhen pasur parasysh për ta kuptuar Biblën. Së pari: “Vetëm fryma e thellë e lutjes dhe ndihma e Shpirtit Shenjt mund të të ndihmojnë për ta kuptuar Biblën: “Në interpretimin e Shkrimit Shenjt ne kemi gjithnjë nevojë për ndihmën e Shpirtit Shenjt” (Në Mich. 1, 1, 10, 15)”.
Kriteri i dytë i interpretimit të Fjalës së Zotit është përkimi me magjisterin e Kishës: “Nuk mund ta lexojmë kurrë Biblën vetëm. Gjejmë shumë porta të mbylluara e shkasim lehtësisht në gabim. Bibla u shkrua nga Populli i Hyjit e për popullin e Hyjit, të frymëzuar nga Shpirti Shenjt. Vetëm përmes këtij bashkimi me Popullin e Hyjit mund të hyjmë me gjithë vetveten në bërthamën e së vërtetës, të cilën dëshiron të na e thotë vetë Zoti. Për Shenjtin, interpretimi i Biblës duhet të jetë gjithnjë në pajtim të harmonishëm me fenë e Kishës katolike”.
Shën Jeronimi nuk e shpërfilli kurrë aspektin etik, dmth detyrën e koherencës së krishterë për ta jetuar Fjalën e Zotit, që duhet ta kenë parasysh të gjithë besimtarët e , në mënyrë të posaçme, predikatarët: “Kështu nxit meshtari Nepoçian: ‘Veprat tua nuk duhet të jenë në kundërshtim me fjalët tua, për të mos ndodhë që, kur të predikosh në Kishë, ndokush të thotë me vete: ‘Po ti vetë, pse nuk vepron kështu?”. I lezetshëm vërtetë ky mësues që, si e ka mbushur mirë barkun, të mëson si të agjërosh; edhe një hajdut mund ta dënojë koprracinë; por Meshtari i Krishtit duhet të flasë gjithnjë ashtu si mendon”. (Ep. 52, 7).
E kjo koherencë duhet të shndërrohet në vepra dashurie të krishterë sepse – siç thoshte Shën Jeronimi – Jezu Krishti është i pranishëm në çdo qenie njerëzore. “Ç’ kuptim ka t’i veshësh muret me gurë të çmuar, në se Krishti vdes urie në njeriun e varfër? (Ep. 58, 7). Jeronimi konkretizon: duhet ta veshim Krishtin në të varfërit, ta vizitojmë në të munduarit, ta ushqejmë në të uriturit, ta strehojmë në njerëzit që nuk kanë çati mbi kokë”.
Sot përmes Shën Jeronimit, të kujtojmë nevojën e edukimit të plotë të njeriut, si kulturor ashtu edhe moral e fetar. “Sepse pikërisht sot shikojmë sesi edukimi i personalitetit në tërësinë e tij, edukimi i përgjegjësisë para Hyjit e para njeriut, është kushti i vërtetë i çdo progresi, i çdo paqeje, i çdo pajtimi e i çdo mospranimi të dhunës. E është Shkrimi Shenjt që na prin drejt realizimit të edukimit para Hyjit e para njeriut e kështu, edhe drejt humanizmit”.







All the contents on this site are copyrighted ©.