2008-09-30 17:43:50

Audienca e përgjithshme e Benediktit XVI kushtuar Shën Jeronimit (e mërkurë 07. 11. 2007) Tekst i plotë


(30.09.2008 RV)Po e përqendrojmë sot vëmendjen tonë tek Shën Jeronimi, Atë i Kishës, që ia kushtoi gjithë jetën Biblës: e përktheu, e komentoi e mbi të gjitha, u përpoq ta jetonte konkretisht, megjithëse njihej mirë si njeri me karakter të vështirë e me temperament të zjarrtë.
Jeronimi lindi në Stridone rreth vitit 347 në një familje të krishterë, që i siguroi mundësinë të merrte arsim të shëndoshë, duke e dërguar edhe në Romë për të përsosur studimet. Kur ishte i ri, u josh shumë nga jeta shekullare (Cfr Ep. 22,7), por në shpirtin e tij fitoi dëshira dhe interesi për fenë e krishterë. Si mori pagëzimin rreth vitit 366, nisi të bënte një jetë asketike e, pasi shkoi në Akuileia, u bashkua me një grup të krishterësh, që mblidhej rreth Ipeshkvit Valeriani, të cilin e quajti “kori i të lumëve” (Chron. ad ann. 374). U nis, më pas, për në Lindje e jetoi si jeremi në shkretëtirën e Kalçides, në jug të Alepit (cfr Ep. 14,10) duke iu kushtuar seriozisht studimeve. Mësoi në mënyrë të përkryer gjuhën greke, filloi studimin e hebraishtes (cfr Ep. 125, 12) dhe transkriptoi kode e vepra patristike (cfr Ep. 5,2). Meditimi, vetmia, takimi me Fjalën e Hyjit e ndihmuan të fitonte pjekurinë në fenë e krishterë. Nisi ta ndjejë fort peshën e gabimeve të rinisë (cfr Ep. 22,7) në sa e shihte gjithnjë më qartë kontrastin ndërmjet mendësisë pagane e jetës së krishterë: kontrast që u bë i njohur nga vegimi i rëndë e dramatik, të cilin e tregoi ai vetë. Pa, pra në vegim, se po e fshikullonin me kamxhik para syve të Zotit, sepse “ishte ciceronian e jo kristian” (cfr Ep. 22, 30).
Në vitin 383 u transferua në Romë: këtu Papa Damasi, duke e njohur famën e tij si asket e kompetencën e tij si studiues, e zgjodhi sekretar e këshilltar; i dha zemër të niste një përkthim të ri latin të teksteve biblike, për përdorim baritor e kulturor. Disa njerëz nga aristokracia romake, posaçërisht gra fisnike, si Paola, Marçela, Azela, Lea e të tjera, që kishin dëshirë të përsosnin jetën e tyre të krishterë e të thellonin njohuritë për Fjalën e Zotit, e zgjodhën si atë shpirtëror e mësues në punën metodike me tekstet shenjte.
Pas vdekjes së Papës Damasi, në vitin 385 Jeronimi u largua nga Roma e nisi shtegtimin, më parë në Tokën Shenjte, dëshmitare e heshtur e jetës tokësore të Krishtit, më pas në Egjipt, tokë që e zgjidhnin shumë murgjër (cfr. Contra Rufinum 3,22; Ep. 108,6-14). Në vitin 386 u ndalua në Betlehem ku, falë bujarisë së fisnikes Paola, u ndërtuan një kuvend mashkullor, një femëror e një strehë për shtegtarët që shkonin në Tokën Shenjte, “me mendimin se Maria e Jozefi nuk kishin gjetur vend ku të mbështesnin kokën” (Ep. 108,14). Në Betlehem qëndroi deri në vdekje, duke vijuar veprimtarinë e tij të palodhur: komentoi Fjalën e Zotit; mbrojti fenë, duke iu kundërvënë gjallërisht herezive të ndryshme; i nxiti murgjërit të përsosnin jetën e tyre; u dha nxënësve të rinj mësime të kulturës klasike e kristiane; mikpriti me shpirt baritor shtegtarët që vizitonin Tokën Shenjte. U shua në qelën e tij, pranë Shpellës së Betlehemit, më 30 shtator të vitit 419/420.
Përgatitja letrare dhe kultura e gjërë i krijuan Shën Jeronimit mundësitë për rishikimin e përkthimin e shumë teksteve biblike: punë shumë e çmuar kjo për Kishën latine e për kulturën perëndimore. Duke u bazuar mbi tekstet origjinale në greqisht e hebraisht e në sajë të ballafaqimit me variantet e mëparshme, ai mundi të realizonte rishikimin e Katër Ungjijve në gjuhë latine, më pas psalterin dhe pjesën më të madhe të Besëlidhjes së Vjetër. Duke pasur parasysh origjinalin hebraik e grek të të Shtatëdhjetëve, variantin grek të Besëlidhjes së Vjetër të kohës parakristiane si dhe variantet e mëparshme latine, Jeronimi, i ndihmuar edhe nga bashkëpunëtorë të tjerë, mundi të realizonte përkthimin më të mirë, atë që njihet me emrin ‘Vulgata’, tekst zyrtar i Kishës latine, që u njoh si i tillë nga Koncili i Trentos e që, pas rishikimit të kohëve të fundit, mbetet tekst zyrtar i Kishës në gjuhën latine. Është me interes të njohim kriteret që ndoqi biblisti i madh në punën e tij si përkthyes. E tregon ai vetë, kur pohon se respektoi deri rendin e fjalëve të Shkrimit Shenjt, sepse në të, thotë ai, “edhe rendi i fjalëve është mister” (Ep. 57,5), dmth zbulesë.
Ripohon edhe nevojën për njohjen e teksteve origjinale: “Në se do të lindë ndonjë diskutim ndërmjet Latinëve mbi Besëlidhjen e Re, për shkak mospërkimi në interpretimin e dorëshkrimeve, i drejtohemi origjinalit, dmth tekstit në gjuhën greke, në të cilën është shkruar Testamenti i Ri. Njëlloj edhe për Besëlidhjen e Vjetër, në rast se do të ketë mospërkime ndërmjet teksteve greke e latine, shfletojmë tekstin origjinal, hebraik; kështu gjithçka gurron nga burimi, mund ta gjejmë rishtas në përrenjtë” (Ep. 106,2). Përveç tjerash, Jeronimi komentoi edhe shumë tekste biblike. Sipas tij, komentarët duhet të japin shumë opinione, në mënyrë që lexuesi i kujdesshëm, pasi të ketë lexuar shpjegime të ndryshme e pasi të ketë njohur mendime të ndryshme – që mund të pranohen ose të hidhen poshtë – të gjykojë cili është më i besueshmi dhe, si saraf i vërtetë, të mos e pranojë paranë false” (Contra Rufinum 1,16).
Hodhi poshtë me energji e mprehtësi heretikët që kundërshtonin traditën dhe fenë e Kishës. Dëshmoi sa e rëndësishme dhe e vlefshme ishte letërsia e krishterë, e cila tashmë qe bërë kulturë e vërtetë, e denjë për t’u ballafaquar me atë klasike: e këtë e realizoi duke shkruar veprën De viris illustribus, në të cilën Jeronimi përmblodhi biografitë e më se njëqind autorëve të krishterë. Shkroi edhe biografi murgjërish, duke shpjeguar, përkrah rrugëve të tjera shpirtërore, edhe idealin murgar; përktheu edhe vepra të ndryshme nga autorë grekë. Së fundi, në Epistolarin e tij tepër të rëndësishëm, kryevepër e letërsisë latine, Jeronimi bëhet i njohur si njeri i ditur, asket e prijës shpirtrash.
Ç’mund të mësojmë ne nga Shën Jeronimi? Më duket se mbi të gjitha mund të mësojmë këtë: ta duam Fjalën e Zotit në Shkrimin Shenjt. Thotë Shën Jeronimi: “Të mos njohësh Shkrimin Shenjt, do të thotë të mos njohësh Krishtin. Prandaj ka shumë rëndësi që çdo i krishterë të jetojë në kontakt e në dialog personal me Fjalën e Zotit, që na është dhuruar në Shkrimin Shenjt. Dialogu ynë me të, duhet të ketë dy përmasa: nga njëra anë, duhet të jetë dialog vërtetë personal, sepse Hyji flet me secilin prej nesh përmes Shkrimit Shenjt e ka një mesazh për secilin. E Shkrimin Shenjt nuk duhet ta lexojmë si një fjalë që i përket së kaluarës, por si Fjalën e Hyjit, që na drejtohet edhe ne e të përpiqemi të kuptojmë ç’dëshiron të na thotë Zoti. Por, për të mos rënë në individualizëm, duhet të kemi gjithnjë parasysh se Fjala e Zotit na u dhurua pikërisht për të ndërtuar bashkësinë e Kishës: prandaj duhet ta lexojmë bashkë me Kishën e gjallë. Vendi i privilegjuar i leximit e i dëgjimit të Fjalës së Hyjit është liturgjia, në të cilën, duke kremtuar Fjalën e duke e bërë të pranishme në Sakramentin e Korpit të Krishtit, aktualizojmë Fjalën e Hyjit në jetën tonë dhe e bëjmë Atë të pranishëm ndërmjet nesh. Nuk duhet të harrojmë kurrë se Fjala e Hyjit i kapërcen kufijtë e kohërave. Opinionet njerëzore vijnë e shkojnë. Ajo që sot është modernizëm, nesër është vjetrizëm. Ndërsa Fjala e Zotit është Fjalë e jetës së pasosur, mbart në vete amshimin, dmth vlen përgjithmonë. Prandaj mund të themi se duke e mbartur në shpirtin tonë Fjalën e Hyjit, mbartim në vetvete amshimin, jetën pa perëndim”.
E kështu, po përfundoj me një fjalë të Shën Jeronimit e të Shën Paolinit të Nolës. Në të Ekzegjeti i madh shpreh pikërisht këtë realitet, dmth na kujton se nga Fjala e Zotit marrin amshimin, jetën e pasosur. Thotë Shën Jeronimi: “Të përpiqemi për të mësuar mbi tokë ato të vërteta, që kanë vlerë edhe në qiell”.








All the contents on this site are copyrighted ©.