2008-09-30 18:00:35

365 ditë: "Albert Lagranzh, autor i metodës historiko-kritike në leximin e Besëlidhjes së Vjetër e të Re".


(30.09.2008 RV)RealAudioMP3 Tre domenikanë, në shpinë të mushkave, lahen në djersë, nën zhgunat e bardhë. Nisin të kuptojnë pse uji është aq i çmueshëm në Bibël. Vetëm njërit prej tyre, më të vjetrit, duket se nuk i bën fare përshtypje vapa e tmerrshme. Me një bllok shënimesh në njërën dorë e me frerët në tjetrën, vëzhgon me vëmendje të përqendruar peizazhin. Papritmas, rregulltari zbret nga mushka e ngre gishtin drejt qiellit, sikur të donte t’i bënte edhe shokët pjesëtarë të zbulimit të tij.
“Miqtë e mi!”, nis t’i drejtohet auditorit të tij të vogël me ton profesori, “Jeriku duhet të ndodhet në një fushëgropë nën nivelin e detit. Është i vetmi shpjegim për këtë vapë, që vijon të shtohet e për këto avuj squfuror, që ta zënë frymën. Mendoni për atë që thotë Shkrimi Shenjt: “Një njeri zbriste nga Jeruzalemi në Jerik”. Edhe një herë ekspedita jonë në terren vërteton atë që hamendësuam duke lexuar Ungjillin. E pabesueshme!”.
Dy sivëllezërit e rinj, që e shoqëronin, admironin entuziamin e tij. Puna e Atë Lagranzhë me Shkrimet e Shenjta është vërtetë e paarritshme. Ndonëse nganjëherë nisin të tallen me të, për fjalimet që nuk mbarojnë kurrë, e admirojnë për horizontin e tij tejet të gjërë e për shkencën e tij. Atë Lagranzhë është profesori i tyre në shkollën biblike të Jeruzalemit, të cilën e themeloi ai vetë disa muaj më parë, në vitin 1890. Që kur arriti në Palestinë, rregulltari emocionohet gjithnjë duke vërejtur sesa përkon ky vend me tekstet shenjte. Kështu vendos të bëjë sa më shumë kërkime shkencore-historike e arkeologjike në terren, për të bërë, më pas, një përkthim të Biblës, që të jetë sa më i saktë e më besnik në këndvështrimin historik. E ja pse ky rregulltar i dashuruar me Hyjin e me shkencën, i bie kryq e tërthor vendit në shpinë të mushkës, në kërkim të rrënjëve të Shkrimit Shenjt.
Për Atë Lagranzhë nuk ka asnjë dyshim se Bibla u shkrua me frymëzimin e Shpirtit Shenjt. Por rregulltari domenikan shkon edhe më përtej, zbulon një pasuri tjetër të teksteve të shenjta, duke i studiuar në rrethanat historike e shoqërore, të cilave u përkasin. Për fatin e tij të keq, Kisha nuk është ende në gjendje ta kuptojë këtë lloj pune, prandaj edhe e qorton për qëndrimin e tij tepër shkencor. Atë Lagranzhë i shtrohet dëgjesës e hesht për pesëmbëdhjetë vjet me radhë, duke pritur çastin e volitshëm për të botuar frytin e punës së tij. Sot vepra e rregulltarit domenikan njihet në mbarë botën. Është ai që duhet falënderuar, në se sot shumë nga ne e kanë Biblën e Jeruzalemit.







All the contents on this site are copyrighted ©.