2008-09-29 20:38:46

Sot Kisha katolike përkujtoi Kryeengjëjt: Mëhillin, Gabrielin e Rafaelin.


(29.08.2008 RV)RealAudioMP3 Sot Kisha katolike përkujtoi tre Kryeengjëjt: Mikelin (ai që ndihmon), Gabrielin (ai që mbron) e Rafaelin (ai që shëron) për të cilët flitet qartë në Shkrimin Shenjt, ku shënohen edhe detyrat që kryejnë: Kryeengjëlli Mikel është kryetari i aradheve qiellore; Gabrieli është lajmëtar e Rafaeli, prijës i shtegtarëve. Kulti i kryeengjëllit Mikel fillon që në shekujt e parë të historisë së krishterimit. Perandori Kostandin ngriti për nder të tij një shenjtërore në bregun e Bosforit, në tokën evropiane, ndërsa Justiniani - një shenjtërore tjetër në bregun e përtejmë.

Data 29 shtator na kujton edhe shugurimin e Kishës kushtuar Shën Mikelit në shekullin V, në rrugën romake Salaria. Kremtimi i kësaj feste u përhap me shpejtësi si në lindje, ashtu edhe në perëndim. Në Romë iu kushtua mauzoleu i famshëm i Adrianit, i cili njihet prej kohe me emrin Kështjella e Shën Engjëllit.

Me njërin nga Kryeengjëjt, e pikërisht me Kryeengjëllin Gabriel, lidhet ngushtë edhe radioja jonë e përgjithësisht, puna jonë si lajmëtarë të Ungjillit përmes valëve të eterit: Kryeengjëlli Gabriel, që i dha Virgjërës Mari lajmin e madh të shëlbimit, duke u bërë kështu i pari komunikator - pa mikrofon e pa internet - mjete për të cilat Kryeengjëjt s’kanë fare nevojë, natyrisht - është Pajtori ynë dhe i të gjithë atyre që impenjohen në fushën aq të rëndësishme të komunikimit. Prandaj Radio-Vatikani sot ishte në festë. Punonjësit e emitentes u mblodhën në Kapelën radifonike kushtuar pikërisht “Lajmërimit të Zojës”, ku ndoqën Meshën Shenjte, kryesuar nga kardinali Atilio Nikora, drejtor i Administratës të Pasurisë së Selisë Apostolike (APSA), me të cilin bashkëkremtuan kardinali Roberto Tuçi dhe Drejtori i përgjithshëm i Radio Vatikanit, Atë Federiko Lombardi. Më pas familja e Radios kaloi disa çaste të këndshme në festën e organizuar me këtë rast, gjatë së cilës u dekoruan disa nga kolegët e pararojës.
Kujtojmë se emrat Mikel, Gabriel e Rafael janë shumë të përhapur në Shqipëri, madje Shën Mikeli, i njohur si Shën Mhilli, është pajtor i disa fshatrave të Veriut.







All the contents on this site are copyrighted ©.