2008-09-29 20:39:16

Filloi në Kastel Gandolfo vizita ‘ad Limina’ e ipeshkvijve të Kazakistanit, Kirgizistanit e Uzbekistanit.


(29.09.2008 RV)RealAudioMP3 Vizita, që nisi sot paradite, do të vijojë, në Vatikan, deri të shtunën e ardhshme. Benedikti XVI priti sot paradite grupin e parë të prelatëve kazakistanas, për të shkëmbyer me ta mendime lidhur me jetën e bashkësive të vogla katolike, që jetojnë në tri Republikat ish-sovjetike të Azisë qendrore.
Nuk është e lehtë të jesh katolik në Kazakistan, në Kirgizistan e Uzbekistan. Në të fundmen nga tri republikat e Azisë qendrore, ipeshkvijtë e së cilës u takuan sot me Papën Benedikti XVI, dhjetë vjet më parë u miratua një ligj, që iu kundërvu Kishës së vogël, e cila përfshin 0,02% të popullsisë së përgjithshme, 90% myslimane, duke u krijuar kufizime të tepruara misionarëve, duke ndaluar mësimin e besimit në shkollën fillore e gjysëm të mesme e duke cenzuruar çdo material fetar të ardhur nga jashtë. Në një një situatë të përafërt jeton edhe bashkësia katolike e Kazakistanit, me 200 mijë besimtarë (1,5% e popullsisë), ku vitet fundit nuk kanë munguar presionet për vendosjen e normave të reja kufizuese. Nuk mund të flitet për kushte më të mira as për bashkësinë kufitare të Kirgizistanit, ku shteti i pengon seriozisht meshtarët katolikë për kryerjen e misionit të tyre.
Nuk është e lehtë të jesh katolik në Azinë qendrore, e pra katolikët e kanë këtë guxim! Luftojnë me të vetmen armë, që kanë në dorë: atë të dialogut ndërfetar me islamin sundues, por jo më pak, edhe me ortodoksët, me të cilët kanë marrëdhënie vërtetë vëllazërore. E, sikur të mos mjaftonin të gjitha këto që shënuam më lart, ipeshkvijtë e zonës e kanë të qartë se duhet t’i kundërvihen edhe shekullarizimit, trashëgim i trishtuar i regjimit sovjetik. Nuk mungon as përballimi i sekteve, gjithnjë më të shumta e i fondamentalizmit islamik, që përpiqet me të gjitha forcat ta bëjë të papraktikueshme lirinë fetare.
Jo nuk është e lehtë të jesh katolik në këto vise të largëta, por katolicizmi, i sulmuar nga të katër anët, vijon t’i bëjë ballë, provave, kohës e sulmeve.
Duke iu drejtuar, dy vjet më parë, ambasadorit të ri të Kirgizistanit pranë Selisë së Shenjtë, Maratbek Bakiev, Benedikti XVI pati ngulur këmbë mbi mbrojtjen e të drejtave themelore të nënshtetasve. Populli i Kirgizistanit – pati theksuar Papa – e di mirë sa e rëndësishme është liria fetare dhe e kupton se kur përmasa shpirtërore e njeriut ndrydhet ose mohohet fare, mposhtet vetë shpirti i kombit”
E ky shpirt u takua me krishterimin që në kohët e bashkësive të para. Posaçërisht në Kazakistan, kur robërit romakë të luftës, një pjesë e mirë të krishterë, arritën në qytezën e Merves (në kufirin ndërmjte Uzbekistanit e Kazakistanit), pas një beteje të humbur kundër persianëve. E pikërisht këtu u themelua edhe selia e parë ipeshkvnore. Ishte viti i largët 334. E po këtu kreu misionin e tij ungjllëzues, ipeshkvi Gjoni i Montekorvinos, një nga misonarët-diplomatë më të mëdhenj të shekullit XII e XIV. Ishte ai që krijoi kushtet e përshtatshme për përkthimin e Biblës në gjuhën e Mongolisë, ku u kthyen me mijëra vetë në fenë e krishterë. Ndërsa nga historia më e re, mund të theksojmë se në zemrën e të krishterëve, e jo vetëm të Azisë qendrore, por të mbarë kontinentit, mbetet vizita baritore e Gjon Palit II në Kazakistan, ndërmjet 22 e 25 shtatorit, shtatë vjet më parë.
Për fat të keq, nuk është e lehtë të jesh katolik në këto vise të Kontientit ku lindi, jetoi, vdiq e u ngjall Krishti, por pikërisht këtu shkeli një pasardhës i Jezusit, për t’u kujtuar ndjekësve të Tij, se për Zotin nuk ka asgjë të pamundur!







All the contents on this site are copyrighted ©.