2008-09-29 20:38:06

Benedikti XVI në Engjëllin e Tënzot kujtoi Gjon Palin I, 30-vjet pas vdekjes.


(29.08.2009 RV)RealAudioMP3 ‘Përvujtëria është virtyti që përmbledh thelbin e krishterimit”: këtë theksoi dje Papa në lutjen e Engjëllit të Tënzot, kremtuar në Kastel Gandolfo, duke kujtuar 30- vjetorin e vdekjes së Gjon Palit I, që i mbylli sytë për dritën e kësaj bote pikërisht më 28 shtator, në vitin 1978.
Benedikti XVI kujtoi figurën e Papës Luçiani, duke shpjeguar leximet e liturgjisë së djeshme. Në shembëlltyrën e dy djemve të dërguar nga i jati për të punuar në vresht, vihet në dukje ndryshimi ndërmjet atij që e pranon se është mëkatar, e prandaj bën vullnetin e Atit, dhe mendjemadhësisë së atij, që e mban veten për njeri të drejtë:

“Me këtë shembëlltyrë Jezusi ripohon se i pëlqejnë mëkatarët që pendohen e na mëson se dhurata e shëlbimit duhet marrë me përvujtëri”.

 
Duke cituar Letrën drejtuar Filipianëve, Ati i Shenjtë u drejtoi besimtarëve ftesën të ndjekin gjurmët e Krishtit që, nga dashuria për ne, u zhvesh prej lavdisë së tij hyjnore, u bë njeri dhe u poshtërua aq, sa të vdiste i kryqëzuar:

Folja, që përdoret në këtë rast – ekenôsen – e që fjalë për fjalë do të thotë “zbrazi vetveten’, flet qartë për përvujtërinë më të thellë dhe dashurinë e pafundme të Jezusit, personifikim i Shërbëtorit të përvujtë”.

 
Këto tekste biblike – saktësoi Benedikti XVI – na kujtojnë moton ipeshkvnore që pati zgjedhur Gjon Pali I: Humilitas. Kjo fjalë sintetizon thelbin e jetës së krishterë e na flet për virtytin më të domosdoshëm që duhet të ketë ai, i cili është i thirrur të kryejë shërbimin e autoritetit në Kishë:

Në njërën nga katër audiencat e përgjithshme të mbajtura gjatë papnisë së tij tepër të shkurtër, pati thënë, ndërmjet tjerash: “Po kufizohem t’ju kujtoj një virtyt, tepër të dashur për Zotin, i cili ka thënë “Mësoni nga unë, që jam zemërbutë e i përvujtë… Edhe në se keni bërë gjëra të mëdha, thoni: jemi shërbëtorë të panevojshëm. E vërejti: ‘Ndërsa të gjithë ne kemi prirjen e kundërt: ta ekspozojmë vetveten” (Mësimet e Gjon Palit I, fq. 51-52). Mund të themi se përvujtëria është testamenti i tij shpirtëror. Falë këtij virtyti, mjaftuan 33 ditë papnie, që Papa Luçiani t’u hynte në zemër të gjithëve”.

 
Në fjalimet e tij – vijoi Benedikti XVI - Gjon Pali I përdorte shembuj të marrë nga jeta konkrete e nga urtia popullore. Thjeshtësia e tij, mjet për përhapjen e një mësimi të qëndrueshëm e të pasur, e bëri katekist të pakrahasueshëm, që eci në gjurmët e Shën Piut X, bashkëqytetarit e paraardhësit të tij, më parë në katedrën e Shën Markut e më pas edhe në atë të Shën Pjetrit:

“Duhet ta ndjejmë veten të vegjël para syve të Hyjit’, pati thënë në njërën nga audiencat e tij. E pati shtuar: ‘Nuk më vjen aspak turp ta ndjej veten si fëmija para nënës: ai i beson nënës, unë i besoj Zotit e asaj që më dëftoi (po aty, fq. 49). Këto fjalë tregojnë sa e thellë ishte feja e tij. Ndërsa falënderojmë Hyjin që ia dhuroi Kishës e botës, të ndjekim shembullin e tij e të impenjohemi për të përvetësuar të njëjtën përvujtëri, e cila e bëri të aftë t’u fliste të gjithëve, posaçërisht të vegjëlve e të ashtuquajturve të largët”.

Pas lutjes të së dielës, duke kujtuar se stina e ngrohtë tashmë kaloi, Benedikti XVI i njoftoi besimtarët se nesër do të largohet nga selia verore e Kastel Gandolfos, për t’u rikthyer në Vatikan. Më pas kujtoi Atë Mihal Sopockin, rrëfyes e atë shpirtëror i Shën Faustina Kovalskës, që u shpall dje i Lum në Poloni. Duke ndjekur këshillat e tij – shpjegoi Papa – Shenjtorja përshkroi, në Ditarin e saj të mirënjohur, përvojën e vet mistike dhe dukjet e Jezusit të Mëshirshëm. Edhe në sajë të përpjekjeve të tij u pikturua e u bë e njohur në mbarë botën, figurja me mbishkrimin “Jezus, besoj në Ty!”. Për këtë lumnim – shtoi Benedikti XVI – gëzohet, në shtëpinë e Atit, paraardhësi im i dashur, Shërbëtori i Hyjit, Gjon Pali II. Ishte ai që ia besoi botën Mëshirës Hyjnore.
Gjatë përshëndetjeve në gjuhë të ndryshme të botës, Papa kujtoi posaçërisht vullnetarët e Lëvizjes së Fokolarëve, ardhur në Kastel Gandolfo nga vende të ndryshme dhe i inkurajoi ta dëshmojnë gjithnjë forcën shndërruese të Ungjillit. Duke përshëndetur, pastaj, nxënësit, të cilët sapo kanë filluar vitin e ri shkollor, vlerësoi fushatën e Shoqatës së Shën Vinçenc de Paolit me titull “Ndihmomëni të studioj, vlen për të gjithë”, nismë – tha Papa – që propozohet për të parandaluar varfërinë dhe analfabetizmin.
Benedikti XVI e mbylli takimin e lutjes me fjalët:
“Të gjithëve ju uroj ta kaloni gëzuar tetorin, muaj i Rruzares Shenjte, gjatë të cilit, në dashtë Zoti, do të shkoj si shtegtar në Shenjtëroren e Pompeit, të dielën, më 19”.







All the contents on this site are copyrighted ©.