Sot Kisha katolike përkujtoi Shën Vençeslaun, Martir.
(28.09.2008 RV)Në në përfundim të katekizmit, mbajtur në audiencën e përgjithshme
të 24 shtatorit, duke iu drejtuar besimtarëve të Republikës çeke, Benedikti XVI kujtoi
se të dielën, më 28 shtator, Kisha në këtë vend do të kremtonte solemnitetin e Shën
Vençeslaut, pajtor kryesor i Kombit çek. Papa i ftoi katolikët çekë ta ruajnë trashëgiminë
e tyre shpirtërore dhe t’ua përcjellin të pacënuar breznive të reja. Po kush ishte
Shën Vençeslau? Vençeslau, princ i Bohemisë, jetoi në shekullin X. U rrit dhe
u edukua nga e gjyshja, Shën Ludmilla, e cila u vra për shkak të fesë së saj nga e
reja, Drahomira, nëna e Vençeslaut. Ishte tepër i ri e megjithatë tepër i kulturuar,
kur zuri vendin e të jatit në fron, pas një periudhe kundërshtimesh nga ana s’ëmës,
që donte t’ia dorëzonte principatën djalit të dytë, Boleslaut. E ajo vijoi ta nxiste
aq shumë urrejtjen e Boleslaut, sa ta bënte kain. Ndërkaq Shenjti, i rritur në
oborrin mbretëror të vendlindjes e edhe vetë mbret, ëndërronte gjithnjë të bëhej murg.
E jetoi si murg, edhe pse i ulur mbi një fron mbretëror. Bëri shumë për ungjillëzimin
e vendit, duke thirrur për këtë qëllim edhe misionarë gjermanë e duke u përpjekur
ta afronte sa më shumë Boheminë me Evropën perëndimore e me kulturën e saj, ndonëse
nuk qenë të pakta vështirësitë që hasi në këtë rrugë. U bë kështu model i guximit
fisnik. Gjatë luftës me një nga dukët e Bohemisë, Vençeslau i propozoi t’i zgjidhnin
mosmarrëveshjet me duel ndërmjet tyre, në mënyrë që të mos rrezikonin jetën e ushtarëve.
Armiku u pajtua me të e mosmarrëveshja u zgjidh bujarisht. Mosha e re e stili i sundimit
e bënë model për shumicën e nënshtetasve, të cilët nisën ta nderonin e ta përkrahnin,
sepse qe mjeshtër në ushtrimin e drejtësisë. Nën sundimin e tij çdo njeri, sado i
varfër e i pambrojtur të ishte, gjente dikënd që ta dëgjonte e t’ia zgjidhte problemet.
Ishte aq i mirë, sa për t’u dashur fort, por edhe për t’u urryer fort nga njerëzit
e këqij, të cilët i tërbon mirësia. Pikërisht popullariteti i madh bëri të ngrihej
kundra tij – për shkaqe feje e sundimi – një pjesë e fisnikërisë, që ndoqi vëllaun
e dytë, Boleslaun, i cili vijonte të ëndërronte fronin mbretëror. Më 28 shtator të
vitit 929, në sa ishte gjunjëzuar për të thënë uratët e mëngjesit në kështjellën Starà
Boleslav, u sulmua nga të përbetuarit e mbledhur rreth Boleslaut. Iu desh të mbrohej
nga shpata e të vëllaut, të cilin do ta kishte vrarë, po t’ia lejonte shpirti i tij
thellësisht i krishterë. Në sa ia falte jetën e fajin, ra vetë nën teh të shpatës
të të përbetuarve. E ky qe akti i fundit i madhështisë së tij shpirtërore. Trupi
i Vençeslaut, që kishte filluar menjëherë të nderohej si shenjt, u mbart në Pragë
e u varros në Kishën e Shën Vitos, ndërtuar prej vetë Princit. Shembulli i jetës së
tij të krishterë, që përfundoi me martirizim, i dha një shtytje të re ungjillëzimit
të nënshtetasve e ai vetë u bë simbol i shtetit bohem.