Feja lind nga takimi me Krishtin e ngjallur, në jetën e Kishës.
(24.09.2008 RV)Të dashur vëllezër e motra,
sot dëshiroj të flas mbi
marrëdhëniet ndërmjet Shën Palit e Apostujve, që e ndoqën Krishtin përpara tij. Këto
marrëdhënie shquheshin gjithnjë nga respekti i thellë, e njëkohësisht nga çiltërsia
me të cilën Apostulli i Popujve mbronte të vërtetën e Ungjillit. Ndonëse edhe ai ishte
bashkëkohës me Jezusin e Nazaretit, nuk pati kurrë mundësi ta takojë gjatë jetës së
Tij publike. Prandaj, kur u verbua në rrugën e Damaskut, ndjeu nevojën të këshillohej
me dishepujt e parë të Mësuesit, që i zgjodhi Ai vetë për ta çuar Ungjillin deri në
skajet më të largëta të tokës. Në Letrën drejtuar Galatasve, Pali përpilon një
relacion kushtuar marrëdhënieve me disa nga të Dymbëdhjetët: në mënyrë të posaçme
me Pjetrin, i cili qe zgjedhur si Kephas, fjalë aramaike, që do të thotë shkëmb, mbi
të cilin po ngrihej Kisha (cfr Gal 2,9), me Jakun, ‘vëllain e Zotit’ (cfr
Gal 1,19) e me Gjonin (cfr Gal 2,9): Pali nuk ngurron t’i njohë si shtyllat
e Kishës. Posaçërisht i rëndësishëm është takimi me Kefën (Pjetrin), në Jeruzalem;
Pali ndenji pranë tij 15 ditë ‘për t’u këshilluar me të’ (cfr Gal 1, 19), ose
më mirë të themi, për t’u njohur me jetën tokësore të Krishtit të Ngjallur, i cili
e kishte ‘rrëmbyer’ në rrugën e Damaskut e po ia ndryshonte rrënjësisht jetën: nga
persekutues i Kishës së Zotit, u bë ungjillëzues i asaj feje në Mesinë e kryqëzuar
e Birin e Hyjit të cilën, në të kaluarën, kishte bërë çmos ta shkatërronte (cfr
Gal 1,23).
Ç’ njoftime mori Pali për Jezusin gjatë tri
vjetëve pas takimit të Damaskut? Në Letrën e parë drejtuar Korintianëve mund të dallojmë
dy fragmente, me të cilat Pali u njoh në Jeruzalem, të përpiluara si elemente qëndrore
të traditës së krishterë, traditë themelore. Ai i transmeton gojarisht, ashtu si i
ka marrë, me një formulë shumë solemne: “Dhe njëmend, më së pari ju shpalla ato të
vërteta, që edhe unë vetë i mora”. Ngul këmbë, kështu, për besnikërinë mbi gjithçka
ka marrë, për t’ua transmetuar besnikërisht të krishterëve të rinj. Janë elemente
themelore e lidhen me Eukaristinë e me Ngjalljen e Krishtit. Është fjala për fragmente
të formuluara që në vitet tridhjetë. Arrijmë, kështu, tek vdekja, varrosja në zemër
të tokës e tek Ngjallja e Jezusit (cfr 1 Cor 15,3-4). Po i kujtojmë njerën
e tjetrën: fjalët e Jezusit në Darkën e mbrame, (cfr 1 Cor 11,23-25) për Palin
janë vërtetë qendër e jetës së Kishës: Kisha ndërtohet duke u nisur nga kjo qendër
e duke u bërë kështu vetvetja. Përtej kësaj qendre eukaristike, në të cilën rilind
gjithnjë Kisha – edhe për teologjinë e Shën Palit, për gjithë mendimin e tij – këto
fjalë patën ndikim të dukshëm në marrëdhëniet vetjake të Palit me Jezusin. Nga njëra
anë dëshmojnë se Eukaristia ndriçon mallkimin e kryqit, duke e bërë bekim (Gal,
3,13-14), e nga ana tjetër shpjegojnë rëndësinë e vetë vdekjes e ngjalljes së
Jezusit. Në Letrat e tij, ajo ‘për ju’ e themelimit të Eukaristisë, bëhet ‘për mua’
(Gal, 2,20), duke u përvetësuar, sepse e di që në atë ‘ju’, ishte ai vetë e
se Jezusi e pranonte dhe e donte; e nga ana tjetër ‘për të gjithë’ (2 Kor 5-14):
kjo ‘për ju’ bëhet ‘për mua’ e ‘për Kishën’ (Ef 5,25), bëhet flijim shpërblyes
i kryqit ‘për të gjithë’ (cfr Rom 3,25). Kisha themelohet e njihet si ‘Korpi
i Krishtit’ nga Eukaristia e në Eukaristi (1 Kor 12,27), e ushqyer çdo ditë
nga forca e Shpirtit të Krishtit të Ngjallur.
Teksti tjetër, mbi Ringjalljen,
transmeton përsëri të njëjtën formulë besnikërie. Shkruan Shën Pali: “E njëmend, më
së pari ju shpall ato të vërteta, që edhe unë vetë i mora: se Krishti vdiq për mëkatet
tona, sikurse e paralajmëroi Shkrimi Shenjt, qe varrosur e të tretën ditë u ngjall
së vdekuri, si u tha në Shkrimin Shenjt, e iu duk Kefës e pastaj të Dymbëdhjetëve”(1
Kor 15,3-5). Edhe në këtë traditë, që iu transmetua Palit, rikujtohet kjo ‘për
mëkatet tona’, e cila thekson se Krishti ia dhuroi vetveten Atit, për të na çliruar
nga mëkatet e nga vdekja. Nga ky dhurim i vetvetes, Pali krijon shprehjet më prekëse
e më rrëmbyese të marrëdhënieve tona me Krishtin: “Atë që kurrë nuk bëri mëkat, Hyji
për ne e bëri mëkat, në mënyrë që në Të ne të bëhemi drejtësi e Hyjit” (2 Kor 8,9).
Ia vlen të kujtosh komentin me të cilin murgu i asokoshëm agostinian, Martin Luteri,
i shoqëronte këto shprehje paradoksale të Palit: “Ky është misteri i madhërishëm i
hirit hyjnor për mëkatarët: që përmes një shkëmbimi mahnitës, mëkatet tona nuk janë
më tonat, por të Krishtit, e drejtësia e Krishtit nuk është më e Krishtit, por jona”
(Koment i Psalmeve të 1513-1515). E kështu u shpëtuam.
Në kerygma
(kumtimin) fillestar, transmetuar gojë më gojë, meriton të vihet në dukje përdorimi
i foljes “u ngjall”, në vend të ‘qe ngjallur’, përdorimi i së cilës do të ishte më
logjik, në vijim të ‘vdiq’ ... e u varros”. Forma foljore ‘u ngjall’ u zgjodh për
të nënvizuar se ngjallja e Krishtit ka të bëjë me të tashmen e jetës së besimtarëve:
mund ta përkthejmë kështu: “u ngjall e vijon të jetojë” në Eukaristi e në Kishë. Kështu
të gjitha Shkrimet Shenjte bëjnë dëshmi për vdekjen dhe ngjalljen e Krishtit, sepse
– siç shkruante Ugo San Vitore – “të gjitha Shkrimet hyjnore përbëjnë një libër të
vetëm, e ky libër është Krishti, nga që i gjithë Shkrimi Shenjt flet për Krishtin
e përplotësohet në Krishtin”. (De arca Noe, 2,8). Në se Shën Ambrozi i Milanos
mund të thotë se ‘në Shkrimin Shenjt ne lexojmë Krishtin’, këtë e bën sepse Kisha
e zanafillës i lexonte të gjitha Shkrimet e Shenjta të Izraelit duke u nisur nga Krishti
e duke u kthyer tek Krishti.
Përsëritja e dukjeve të Krishtit të ngjallur Kefës,
të Dymbëdhjetëve, më se pesëqind vëllezërve e Jakut, mbyllet me cekjen se Krishti
iu duk edhe vetë Palit në rrugën e Damaskut: “E më së fundi m’u dëftua edhe mua, dështakut”
(1 Kor 15,8). Me që ai e persekutoi Kishën e Hyjit, në këtë rrëfim shpreh mendimin
se është i padenjë për të qenë apostull, me të njëjtën vlerë si ata që i paraprinë.
Por Hiri i Hyjit në të nuk ishte i kotë (1Kor 15,10). Sidoqoftë pohimi se e
merr fuqinë nga Hiri hyjnor, e bashkon Palin me dëshmitarët e parë të ngjalljes së
Krishtit: ‘Si unë, ashtu edhe ata: kështu predikojmë e kështu edhe ju besuat (1
Kor 15,11). Është i rëndësishëm identiteti e uniciteti i kumtimit të Ungjillit:
si ata, ashtu edhe unë, predikojmë të njëjtën fe, të njëjtin Ungjill të Jezu Krishtit,
që vdiq e u ngjall e që na dhurohet në të Shenjtnueshmin Sakrament të Eukaristisë.
Rëndësia që i jep ai Traditës së gjallë të Kishës, të cilën ajo ua përcjell
bashkësive të saj, dëshmon sa i gabuar është vizioni i atyre, që mendojnë se Pali
është shpikës i krishterimit. Para se ta kumtonte Jezu Krishtin, Zotin e tij, ai e
takoi në rrugën e Damaskut dhe e ndoqi pas në Kishë, duke e vëzhguar jetën e Tij në
të Dymbëdhjetët e në të gjithë ata, që e ndoqën pas, rrugëve të Galilesë. Në katekizmat
e ardhshme do të kemi mundësi të thellohemi në ndihmesën që i dha Pali Kishës së zanafillës:
por misioni që mori nga Krishti i Ngjallur për ungjillëzimin e paganëve ka nevojë
të përforcohet e të garantohet nga ata, që i dhanë atij e Barnabës dorën e djathtë,
në shenjë miratimi të apostullimit të tyre, të ungjillëzimit të tyre e të pranimit
të tyre në të vetmin bashkim me Kishën e Krishtit (cfr Gal 2,9). Kuptohet atëherë
se shprehja “por edhe nëse e kemi njohur Krishtin në mënyrë thjesht njerëzore” (2
Kor 5,16), nuk do të thotë se jeta e Tij tokësore është pa vlerë për pjekurinë
tonë në fe, përkundrazi, që nga çasti i Ngjalljes së Tij e ndryshon mënyrën e lidhjes
sonë me Të. Ai është njëkohësisht Biri i Hyjit ‘pasardhës i Davidit për kah trupi,
por i dëftuar Bir i Hyjit me pushtet sipas Shpirtit Shenjt mbas ngjalljes prej të
vdekurve”, siç do të kujtojë Pali në fillim të Letrës drejtuar Romakëve (1, 3-4). Sa
më shumë përpiqemi të gjejmë gjurmët e Jezusit të Nazaretit nëpër rrugët e Galilesë,
aq më tepër mund të kuptojmë se Ai mori mbi vete natyrën tonë njerëzore, duke u bërë
si ne në gjithçka, përveç mëkatit. Feja jonë nuk lind nga një mit, as nga një
ide, por nga takimi me të Ngjallurin, në jetën e Kishës.