2008-09-27 16:18:07

“Sfidat e shumta për Evropën” në fjalimin e Papës ambasadorit të ri të Republikës Çeke.


(27.09.2008 RV)RealAudioMP3 Sfidat e shumta që duhet të përballojë Evropa e sotme dhe roli i Kishës për të gjitha shoqëritë, ishin sot në qendër të vëmendjes në fjalimin që Papa i drejtoi ambasadorit të ri të Republikës Çeke, Pavel Voshalik, i cili u prit në Vatikan për dorëzimin e letrave kredenciale.
Republikës Çeke, e cila vitin e ardhshëm do të jetë presidente turni e Bashkimit Evropian për gjashtë muaj, Papa i foli për sfidat e shumta, që duhet të përballojë Evropa, posaçërisht në një çast kur kombet dëshirojnë të ndërtojnë një bashkësi ndërkombëtare më të qëndrueshme për breznitë e ardhshme. E për ta bërë këtë – vërejti Benedikti XVI - liderët evropianë janë të thirrur të pranojnë se lumturia dhe mirëqenia e njeriut nuk mund të arrihen duke u mbështetur vetëm në strukturat e përshtatshme. Realizimi i kulturës së vërtetë, që është në lartësinë e vetë natyrës së njeriut, kërkon bashkëpunim të harmonishëm ndërmjet familjeve, bashkësive kishtare, shkollave, botës afariste, organizatave dhe institucioneve qeveritare.
Prandaj – nënvizoi Ati i Shenjtë – të gjitha shoqëritë përfitojnë kur Kishës i njihet e drejta për të luajtur rolin e mbarështueses së pasurive materiale e shpirtërore, në përkim me shërbimin e saj, pa harruar asnjëherë rolin që luajti Ungjilli në jetën e popujve, posaçërisht atyre të Evropës lindore, të cilëve u përcolli mesazhin e shpresës në ditët më të errëta të diktaturave, gjë që e theksoi edhe vetë ambasadori i ri në fjalimin drejtuar Benediktit XVI.
Ati i Shenjtë shprehu besimin se gjatë presidencës në Bashkimin Evropian, Republika Çeke do të japë kontributin e saj në impenjimin për bashkëjetesën, pa cënuar larmitë, për sovranitein kombëtar e veprimtarinë e përbashkët, për progresin ekonomik e drejtësinë shoqërore në mbarë Kontinentin.







All the contents on this site are copyrighted ©.