(27.09.2008 RV)“Oh, shi i mallkuar, që s’ di të pushojë!” Sot Pol Klodel
është prishaqefas. Mërzitet për vdekje. Parisi nën shi i duket i zbrazët e i shëmtuar.
Ç’ mund të bëjë për t’u qetësuar sadopak? Poli gogësin e merr një libër. Janë
poezitë e një poeti të madh: Artur Rembo. Rembo ishte vetëm shtatëmbëdhjetë vjeç,
kur i shkroi poezitë e tij më të bukura. Poli është tetëmbëdhjetë e ëndërron të bëhet
edhe ai poet, në gjurmët e Rembosë. Rembo është rebel, mendon se shumica e njerëzve
janë të mërzitshëm e të mbrapshtë… “Ka të drejtë”, mendon Poli, i neveritur, ndërsa
shikon shiun që vijon të reshet nga qielli i zymtë. Ka nevojë të thithë pak ajër
të pastër, përndryshe është në rrezik të çmendet duke u sjellë e përsjellë kot nëpër
apartamentin e tij. Nuk di si t’ia bëjë: të dalë apo të rrijë. Vendos të dalë. Përshkon,
nën shi, gjithë rrugën Sâ Zhak, në të cilën banon. “Do të shkoj deri në breg të
Sienës, deri tek Katedralja e Shën Marisë e atje do të ndalem pakëz!”- mendon. Është
pasdite vonë. Mbi Parisin ka rënë nata e rrugët janë përmbytur nga reshjet. Bën ftohtë.
Brrrrr… Si arrin para Katedrales së Parisit, çuditet, kur sheh një turmë të madhe
njerëzish, që hyjnë brenda. Papritmas i kujtohet: “Sot është 25 dhjetor. Është Krishtlindje!”
– mërmërin me vete. E kishte harruar fare. Nuk është kundër të krishterëve, por i
pëlqen të tallet me ta. Me që s’ka ç’të bëjë tjetër, vendos të hyjë në Katedrale,
thjeshtë për të parë ç’po ndodh. Është koha e lutjeve të mbrëmjes. Me që sonte është
festë e madhe, mbrëmësoret këndohen nga kori i fëmijëve. Për t’i dëgjuar më mirë,
Poli afrohet tek elteri e fshihet pas një shtylle më të djathtë. Fillon Magnificat,
lutja që këndoi Maria, për të shprehur gëzimin e Ardhjes së Jezusit. Magnificat –
Himni që madhëron Zotin, flet për gëzim, shpresë, besim. Të gjitha, në kundërshtim
të plotë me humorin e Polit. Por ja që, papritmas, preket thellë në shpirt. Nuk e
kupton ç’po i ndodh, por e ndjen veten të lumtur. Nis të mendojë se jeta është e bukur,
se Jezusi ka lindur vërtetë ndërmjet njerëzve për t’i shëlbuar. Më vonë do të shkruante:“Në
një çast të vetëm, zemra ime u prek e besova”. Atë natë Krishtlindjeje të vitit
1886, Poli takoi Zotin në Katedralen Notre – Dame, fshehur pas shtyllës së dytë, më
të djathtë. Mjaft më me mërzitje! Mjaft më prishaqefas! Sapo kthehet në shtëpi, vrapon
të gjejë Biblën, që më parë nuk e hapte kurrë. Do të ishte libri i tij më i dashur.
E më vonë, kur do të bëhej poet i famshëm, do të shkruante se poezitë dhe veprat e
tij teatrale ishin shkruar sipas stilit të Biblës.