2008-09-26 17:54:35

Benedikti XVI ipeshkvijve të Uruguait: “Vijoni të jeni mbartës të shpresës, që nuk të zhgënjen”.


(26.09.2008 RV)RealAudioMP3 Rëndësia e meditimit të fjalës së Hyjit dhe detyra për të qenë dëshmitarë të vërtetë të Krishtit, ishin temat kryesore të fjalimit që Benedikti XVI u drejtoi sot paradite ipeshkvijve të Uruguait, në vizitë ad Limina. Papa i nxiti prelatët ta vijojnë misionin si mbartës të shpresës që nuk të mashtron dhe të dashurisë së Krishtit për të varfërit.
Pak ditë para fillimit të Sinodit të Ipeshkvijve kushtuar Fjalës së Hyjit, që do të hapet më 5 tetorin e ardhshëm, Papa rikujtoi rëndësinë që ka promovimi i njohjes dhe i meditimit të Shkrimit Shenjt në predikim e në katekizëm:

"La Palabra de Dio es la fuente y el contenido...
Fjala e Zotit është burim e brendi e shërbimit tuaj si predikatarë të Ungjillit, aq më tepër është e nevojshme në një kohë, kur shumë zëra të tjerë kërkojnë ta bëjnë Zotin të heshtë në jetën personale e shoqërore, duke i thirrur njerëzit të ndjekin rrugë, që vënë në rrezik shpresën e vërtetë”.

 
Papa i porositi ipeshkvijtë ta përçojnë fenë në tërësinë e saj, me guxim e bindje, pa hequr kurrë dorë nga shpallja e hapur e vlerave morale të doktrinës katolike, që nganjëherë bëhen objekt diskutimi në fushën politike e kulturore, sidomos atyre që kanë të bëjnë me familjen, me seksualitetin e me jetën. Një mesazh të posaçëm Papa u drejtoi rregulltarëve e laikëve të impenjuar në misionin e Kishës, të thirrur për të dhënë dëshmi të gëzueshme të përkryerjes së jetës, që buron nga feja. Një përkryerje – theksoi Papa – që arrihet kur njeriu dëshiron të jetë më i mirë, e jo të ketë më shumë, e kur, përmes jetës së tij, rrezaton vlerat dhe gëzimin e parkrahasueshëm të takimit me Krishtin:

“La tarea del verdadero testigo de Cristo...
Detyra e dëshmitarit të vërtetë të Krishtit nuk është e lehtë, kërkon shumë: e më shumë se t’u besojë forcave të veta, besimtari duhet të mbështetet tek pushteti i Atij, që e mundi botën”.

 
Nuk duhet ta humbisni kurrë guximin përballë indiferencës fetare e individualizmit të skajshëm, që sundon shpesh në shoqëri – u tha Papa ipeshkvijve - të cilët i ftoi të jenë përherë mbartës të shpresës që nuk të zhgënjen e të dashurisë së Krishtit, posaçërisht për të varfërit, përmes veprave konkrete të dashurisë e të drejtësisë. Në situatat e vështira përballë të cilave ndodhen edhe uruguaianët – tha në përfundim Ati i Shenjtë – Kisha është e thirrur ta dëshmojë madhështinë e zemrës së saj për të gjithë njerëzit.







All the contents on this site are copyrighted ©.